Martin Scorsese dhe rrëfimi për Bob Dylanin

“Jeta nuk do të thotë ta gjesh veten apo të gjesh çfarëdo tjetër”, thotë Bob Dykan, “Bëhet fjalë për krijimin e vetes”. Në moshën 78-vjeçare, muzikanti kalon në një fazë të re të vetë-krijimit me filmin intrigues, magjepsës, hutues e ndonjëherë ekzaltues – “Rolling Thunder Revue: A Bob Dylan Story by Martin Scorsese review” të regjisorit Martin Scorsese. Kjo do të thotë se Scorsese ka mbikëqyrur edhe editimin e arkivit filmik dhe se bashkëpunoi me Dylanin në një akt tjetër artistik të vetë-riformimit, shkruan kritiku i filmit Peter Bradshaw. Tekstin e tij Telegrafi ua sjell më poshtë.

Filmi flet për turneun e koncerteve të quajtur “Rolling Thunder Revue”, që u mbajte në SHBA dhe në Kanada në vitin 1975 – turneu 57-ditësh ku trubaduri u shfaq me grim të bardhë në fytyrë e me një listë të jashtëzakonshme të akteve mbështetëse, ku përfshiheshin Joan Baez, Joni Mitchell, Roger McGuinn, Ronee Blakley, “Ramblin” Jack Elliott, Bob Neuwirth dhe violinistja Scarlet Rivera. Vendet ku luanin nuk ishin arena masive; ishin salla dhe hapësira të vogla, me publicitet ndonjëherë të kufizuar në fletushka të shpërndara gjatë ditës tek banorët e qyteteve të vogla, në të cilat autobusi i turneut i stilit të Ken Keseyt do të kalonte me Dylanin e buzëqeshur në timon. Mundohuni të paramendoni se po ndodh tani.

Çfarë nënkuptonte për Dylanin, që të udhëheq këtë ngjarje në një si thashetheme muzikore që gjarpëronte nëpër Amerikën që po e merrte veten nga turpi i skandalit Watergate dhe që po bëhej gati për festimin e 200-vjetorit të pavarësisë?

“Ishte aq moti sa që nuk kisha lindur”, thotë sot Dylani ironik, duke ngritur supet. Të gjitha paraqitjet e tij në intervista janë shumë qesharake, me zë të thatë si bari i prerisë.

Filmi nuk mëton të na tregojë qartazi se për çfarë bëhet fjalë. Ka diçka të çuditshme dhe djallëzore aty. Pamjet e koncerteve dhe të prapaskenave duket se janë marrë nga i njëjti arkiv i materialeve që formoi bazën e filmit të gjatë dhe të dështuar të vitit 1978 – për këtë turne, “Renaldo and Clara” – të cilin ai shkroi me të ndjerin Sam Shepard (i cili është intervistuar në dokumentar). Ashtu si ai film, “Rolling Thunder Revue” ka disa karaktere që nuk mund të jenë bash faktikë. Xhirimet i atribuohen filmbërësit dispeptik i cili në fakt është artisti i performancave dhe komediani Martin Von Haselberg, bashkëshorti i aktores dhe këngëtares Bette Midler. Një politikan i caktuar është intervistuar dhe ju mund të thoni: “Prit, ai djalë duket si aktori Michael Murphy”! Dhe është aktori Michael Murphy. Mund të jetë kjo një komedi moderne dell’arte në të cilën, me ndihmën diskrete të Scorseses, Dylan po tërhiqet prapa maskave që mund ta lejojnë të tregojë një të vërtetë më të madhe?

Mbase po. Scorsese hedh më shumë aludime me copëzat nga filmat që në një mënyrë kanë të bëjnë me performancat skenike: “The Vanishing Lady” (1893) nga Georges Melies, “Children of Paradise” (1945) nga Marcel Carnes dhe “Latcho Drom” (1993) nga Tony Gatlif. Ndonjëherë gjysmë-kujtimi kreativ është pak i errët dhe ka raste kur unë do ta kisha bërë më shumë si një realizëm të drejtpërdrejtë dokumentar. Por, nuk bën të ankohem kur gjithë kjo është aq e mahnitshme, si një kapsulë kohore dhe si një shfaqje unike me Dylanin dhe me paraqitje të lavdishme nga Baez, Mitchell dhe gjithashtu Patti Smith – e cila në fakt nuk ishte anëtare i turneut “Rolling Thunder”.

Allen Ginsberg, një tjetër figurë me rëndësi e viteve 1970, shfaqet në turne, sa egoist aq edhe i nënshtruar nga rëndësia e Dylanit. Është një intervistë e mirë me aktoren Sharon Stone, e cila si e re duket se ka qenë pak në turneun me “Rolling Thunder”. Ajo është intervistuar për përvojat e saj – përfshirë shpërthimin në lot kur zbuloi se kënga e Dylanit, “Just Like a Womabn”, përkundër fjalëve që ai i kishte thënë, nuk i dedikohej asaj!? A mund të ndodhte kjo meqë ishte e vetmja femër e re në udhëtim tek e cila Bob mund ta përdorte atë varg?

Pjesa më emocionale e filmit është kënga e Dylanit, “Hurricane”, për boksierin Rubin “Hurricane” Carter i cili u burgos gabimisht për një vrasje. Kjo këngë dhe turneu “Rolling Thunder” ishin pjesë e rëndësishme e momentumit që përmbysi dënimin për Carterin – megjithëse nuk do të lirohej edhe për 10 vjet.

Për fund, kjo është një përvojë e mrekullueshme, që të zhyt përsëri në vitet 1970. Ka pasion aty. E, pa marrë parasysh se sa kaotike apo të zymta bëhen gjërat, askush nuk ka dyshime se muzika ka rëndësi. /Telegrafi/

SHKARKO APP