Mbi klasiken

Nga: Jorge Luis Borges
Përktheu: Antonio Çikollari

Shumë pak disiplina kanë interes më të madh se etimologjia; kjo i detyrohet shndërrimeve të paparashikueshme të kuptimit të vjetruar të fjalëve në rrjedhë kohore. Kjo mund të na dërgojë në paradoks duke patur shndërrime të tilla: zanafilla e fjalës mund t’i shërbejë sqarimit të një koncepti aspak ose shumë pak. Duke e ditur këtë punë më së miri, në latinisht, quhej gurëz ajo çka përdorej më herët prej pitagorasve përpara shpikjes së numrave, gjë që na mohoi përdorimin e fshehtësisë së algjebrës: duke e ditur se hipokriti ishte aktor, dhe njeri-maskë, pra; jo mjet i vlefshëm për studim etik. Paralelisht, për të mbërritur në shpjegimin e asaj çka kuptojmë sot me klasike, do të ishte e kotë të thuhej që ky mbiemër rrjedh prej latinishtes Classis, flotë, që do të marrë më pas kuptimin e rregullit. (Kujtojmë në vijim, ndërtimin analogjik të ship-shape)

Po cili është pra libri klasik? Po shfletoj mëtash përkufizimet e Elliot, Arnold dhe të Saint-Beuve, pa dyshime të arsyeshme dhe të qarta (të ndritshme), dhe do isha i lumtur me qenë dakord me këta autorë të shkëlqyer, por nuk do të konsultohem. Jam më shumë se gjashtëdhjetë vjeç; në moshën time, rastësitë dhe risitë kanë më pak rëndësi sesa ai që i beson vërtet. Do të kufizohem pra në deklarimin e asaj çka mendoj mbi këtë pikë.

Shtysa ime e parë qe një “Histori e letërsisë kineze” (1901) e Herbert Alien Giles. Në kapitullin e tij të dytë lexova një prej pesë teksteve kanonikë të botimit të Konfucit, që është “Libri i tjetërsimit” ose “I King”, i përbërë prej gjashtëdhjetekatër hekzagramesh, ku ai e shfrytëzon mundësinë e tjetërsimeve në gjashtë njësi ose në gjithë vargjet. Një prej shqyrtimeve për shembull, konsiston në dy vargje njëri pas tjetrit, marrë shkas dhe prej një tresheje të tërë, vertikalisht e modeluar. Një perandor i lashtë e pat zbuluar nën zhguallin e një breshke të shenjtë. Leibniz besonte se shihte në hekzagrame një sistem binar të numërimit; mandej, një filozofi enigmatike; mandej, si Wilhem-i, një mjet në përcaktimin e së ardhmes, qyshse gjashtëdhjetekatër figurat përkonin me gjashtëdhjetekatër fazat e ndonjë sekti apo procesi; mandej një fjalor të dofarë tribuje; mandej një kalendar. Mbaj mend se Xul-Solar e rikonstruktoi këtë tekst me shkopinj dhe fosfor. Për të huajt, “Libri i Tjetërsimit” krijon përshypjen e një lloj kinezerie; por mijëra gjenerata njerëzish të ngritur intelektualisht e kanë rilexuar me devotshmëri dhe ende vazhdojnë ta lexojnë. Konfuci u tha dishepujve se nëse fati do t’i jepte edhe një shekull jetë, gjysmën e tij do t’ia kushtonte studimit dhe komentimit ose mjerimit.

Qëllimisht zgjodha një shembull të skajshëm, sesi leximi na fton për një veprim besimi. Po i kthehem pra tezës time. Klasik, është libri ku një komb apo një grup kombesh (ase rrjedha kohore) kanë vendosur për ta lexuar nëse gjithçka ka qenë e qëllimtë në faqet e tij, fatale, e thellë si kozmosi dhe aftësia e interpretimeve pa fund. Siç edhe dihet, këto vendime variojnë. Për gjermanët dhe austriakët Fausti është njeri gjenial; për të tjerët, një prej formave më të famshme të mërzisë, libri i dytë i Parajsës së Miltonit apo vepra e Rabelaisës. Libra si ai i Jobit, Komedia Hyjnore, Makbethi (po ashtu edhe disa prej sagave të Veriut) premtojnë një përjetësi të pashtershme, por asgjë nuk dihet për të ardhmen, përveç se ndryshon prej të tashmes. Një preferencë mund të jetë mjaft mirë një supersticion.

Nuk e kam dhuntinë e ikonoklasit. Prej viteve tridhjetë besoja, duke u bazuar nën ndikimin e Macedonio Fernandezit, se bukuria është privilegj i pak autorëve; tashmë e di se ajo është e zakonshme dhe po na i merr sytë në faqet e rastësishme të mediokritetit apo në një dialog në rrugë. Kështu pra, padija ime për letrat malajziane apo hungareze është e plotë, por jam i sigurt nëse koha ka për ta sjellë rastin e studimit të tyre, kam për të gjetur gjithë ushqimin që kërkon shpirti. Pavarësisht pengesave gjuhësore që ndërhyjnë në politikë apo gjeografi. Burns është klasik në Skoci; jugut të Tuidit i intereson më pak Dunbar apo Stivenson. Lavdia e një poeti varet nga eksitimi apo apatia e gjeneratave të njerëzve anonimë që sjellin tregues në vetminë e bibliotekave të tyre.

Emocionet që përfton letërsia ndoshta janë të pashtershme, por kuptimi duhet të ndryshojë në mënyrë konstante, së paku në një trajtë të lehtë, pa e humbur fuqinë. Ato janë mbartur për tu njohur me lexuesin. Ndaj, rreziku i afrimit të këtyre veprave klasike ekziston dhe do të ekzistojë në përjetësi.

Cilido e humbet besimin për artin dhe për artificet e tij. Unë që po heq dorë nga dyshimi për kohëzgjatjen e përjetshme të Volterit ose të Shekspirit, besoj (fill këtë mbrëmje të një prej ditëve të fundit të vitit 1965) për Schopenhauer-in dhe Berkeley-n.

Klasik nuk është një libër (anipse po e përsëris) që ka detyrimisht këtë apo atë meritë; është një libër që gjeneratat njerëzore nxiten për arsye të ndryshme për ta lexuar me padurim prej fillimit në fund me një besnikëri misterioze. /Revista “Palimpsest”/

SHKARKO APP