“Mbrëmje kulturore Shqipëri-Hollandë” në Shkodër

 

Nga Tonin Çobani

Në fundjavën që lamë pas shoqata Miqtë e Muzikës “Rozafa Expression”(Shkodër) në bashkëpunim me Korin e të rinjve të “Oldenzaal”(Hollandë) organizuan “Mbrëmjen kulturore Shqipëri-Hollandë”. Mjeshtër kori: Prof. Mariette Effing, Prof. Zef Çoba dhe Koncert maester: Dennis Vallenduuk, Klevis Gjergji.

Veprimtaria u zhvillua në Qendrën e këndimit koral, në sallën “Marianne Graf” (Shkodër) dhe u ndoq me interesim nga artdashësit shkodranë. Disa korale u shoqëruan me duartrokitje edhe gjatë interpretimit. Kështu ndodhi me pjesët që u kënduan nga kori i përbashkët i të dy grupeve, si koralet  “Ave Maria” (Javier Busto : 1949) dhe “Lule Borë” (Simon Gjoni : 1925 -1991). Kjo e fundit, “Lule Borë”(Përpunuar për kor nga Zef Çoba), për shkak të kushteve atmosferike të paparashikuar, u këndua në sallën e provave nga pjesëtarët e të dy koreve dhe thuajse nga të gjithë spektatorët.

Të rinjtë e Korit të djemve janë pjesë e korit të qytetit Oldenzaal (Hollandë), i cili ka në përbërje disa grupime moshash të ndryshme. Përveç pjesëmarrjes në shumë koncerte të koreve të tjera, kori i të rinjve realizon aktivitetet dhe koncertet e veta, repertori i të cilëve përbëhet nga muzika e lehtë dhe klasike. Në vitin 2015 Kori i djemve të qytetit shënoi përvjetorin e 100-të. Me këtë rast korit iu dha “Medalja e Artë” e nderit të qytetit, që iu dorëzua nga kryebashkiaku i Oldenzaal-it. Në vitin 2016 Kori i djemve të rinj fitoi një rivendosje (arriti mesataren 8.5, në shkallën nga 0 deri në 10) në raportin e jurisë së Festivalit të Koreve të Holandës. Që nga viti 1998, Kori i djemve të qytetit Oldenzaal ka qenë nën udhëheqjen artistike të prof. Mariette Effing. Dennis Vallenduuk është pianisti dhe organisti i Korit.

 Shoqata Miqtë e Muzikës “Rozafa Expression“ (Shkodër),  është krijuar në vitin 1999 me iniciativën e dirigjentit dhe kompozitorit prof. Zef Çoba. Synimi kryesor i shoqatës është edukimi muzikor dhe detyrimi artistik i saj qëndron në realitetet artistike të ndërtuara mbi ekspresivitetin e vlerave muzikore,- shprehen artistët e shoqatës Miqtë e Muzikës “Rozafa Expression“. Shoqata ka katër seksione: (1) Korin ”Rozafa Expression”, (2) grupin vokal “Loja e notave muzikore” për formimin muzikor të fëmijëve dhe të rinjve, (3) “Në lulishten e këngës shkodrane” për edukimin e  këngëtarëve të rinj, dhe (4) “Miqtë e Muzikës”. Që nga krijimi (1999) kori i shoqatës Miqtë e Muzikës “Rozafa Expression“ të qytetit të Shkodrës, që ka zhvilluar shumë veprimtari të suksesshme brenda dhe jashtë vendit, ka qenë nën udhëheqjen artistike të prof. Zef Çoba. Klevis Gjergji është aktualisht pianisti i Korit.

 

SHKARKO APP