“Mbretëresha” Elia firmos shembjen e Teatrit, ndërtuar nga gjyshi Mbret

Mbretit Zog i kanë luajtur eshtrat vendit atje ku prehet, kur ka parë a dëgjuar se Mbretëresha e Shqipërisë, gruaja e nipit, trashëgimtar i fronit që ai themeloi në vitin 1928, ka hedhur firmën për shembjen e një ndërtese që vetë ai e ka ndërtuar.

Mbretëresha Shqiptare, Elia Zaharia Zogu, është një nga 65 firmëtarët e peticionit dërguar krerëve të shtetit për ndërtimin e një Teatri të Ri Kombëtar në truallin ku sot ngrihet godina e vjetër e TK-së.

Sigurisht, kjo do të thotë shembja e kësaj të fundit, një godinë që është porositur nga Mbreti Zog I dhe nisi ndërtimin në 1938. Më shumë se kushdo tjetër, Mbretëresha e re, e cila vuri kurorë në Pallatin Mbretëror (të Brigadave), edhe pse me profesion aktore dhe ka të drejtë të pretendojë për kushte më të mira pune, duhet të kishte ndjeshmërinë për të ruajtur gjurmët e mbetura të Monarkisë.

Por, ose Zaharia ka menduar për të mirën e “të gjithëve”, pra, për kushte më të mira për kolegët, duke sakrifikuar ndërtesën e porositur nga gjyshi Mbret, ose nuk ia ka fare haberin që ajo godinë, është porositur nga Zogu I.

fax-teatri

Me gjasë, Mbretëreshës i kanë shpëtuar sqarimet, informimet nga ana e historianëve të artit dhe specialistëve për historikun e institucionit ku ajo punon. Me shumë gjasë, edhe asaj i ka mbetur sahati te fakti që godina e TK-së është një ndërtesë “fashiste”, “kazermë” apo “dopolavoro për argëtimin e ushtarëve italianë”.

Mbretëresha duhet të kishte qenë më e vëmendshme ndaj deklaratave gjatë protestave apo shtypit të shkruar. Në datën 15 qershor, në gazetën “Panorama”, historiani i artit, Rubens Shima, argumentonte me fakte e dokumente, se përse kjo godinë, jo vetëm nuk është “dopolavoro”, jo vetëm që nuk ka qenë kazermë, por paraqet një moment shumë interesant të arkitekturës botërore.

Por ndër të tjera, ai na sqaroi se kjo godinë, që atëherë quhej Rrethi Italo-Shqiptar “Skanderbeg” nuk është një godinë fashiste (jo se do ishte mëkat po të qe. Ndërtesat e kësaj periudhe ruhen si pjesë e trashëgimisë botërore), por edhe është porositur nga vetë mbreti Zog. Bashkangjitur me shkrimin, ai ofroi edhe statutin e Rrethit “Skanderbeg”, në pikën e parë të të cilit sqarohej edhe në patronazhin e kujt ngrihej ajo godinë.

Në Nenin 1 të “Statutit themeltar” shkruhej: “Me synim intensifikimin e marrëdhënieve miqësore mes popullit shqiptar dhe atij italian, nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë në fushat kulturore, artistike, sportive dhe argëtuese, nën patronazhin e lartë të Madhërisë së tij Mbretit të Shqiptarëve dhe nën presidencën e Shkëlqesisë së Tij, Ministrit të Italisë në Tiranë, dhe të Shkëlqesisë së Tij Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ngrihet Rrethi ItaloShqiptar ‘Skanderbeg’”.

Ky nen flet qartë. Këtë, duhet ta dijë edhe Mbretëresha. Por nëse kalendari i saj është shumë i ngjeshur me aktivitete, të paktën, Oborri duhet ta informojë për ç’ka ndodh apo ç’ka ndodhur. Do të jetë mirë që Mbretëreshës t’i jepej një listë me veprat që ka bërë gjyshi Mbret, se ndryshe, mund ta hedhë firmën edhe në ndonjë ndërtesë tjetër… jo nga keqdashja, por nga padija.

PANORAMA

SHKARKO APP