Me librin në këto kohë të trishta

I VETËKARANTINUAR KUNDËR COVID-19, ME “DJALLI KOMIK” , “PESË DITË NË PARIS” dhe “DASHURI NË KOHËN E KOLERËS”…
Nga Halil RAMA

Tre romane, me të cilët mund të humbasësh në botën e brendshme të personazheve të tyre dhe të hedhësh tej për disa çaste ankthin që na ka shkaktuar kjo kolerë e kohëve moderne… Fillimisht me “DJALLI KOMIK”, një nga kryeveprat e të madhit Zija Çela kupton profecinë e tij, kur sëmundja misterioze e ngrirjes mori qindra jetë njerëzish në qytetin e Horketës….Ngjarje dhe personazhe të skalitura mjeshtërisht nga shumë i dashtuni Zija, në koherencë me këtë realitet të trishtë. Do të mjaftonte për ta kuptuar këtë qoftë edhe vetëm ky perifrazim nga ky roman mbresëlënës: “Në tri javë sëmundja e ngrirjes asnjë ditë nuk u ndal. Ndryshe nga fillimi, ato shenjat e katastrofës tani përveçse ndiheshin, dukeshin edhe me sy….”(fq.31). Apo edhe kur: “…zoti Mentor Tanashi, i zgjedhur kryetar bashkie pas Lumbardit, e modifikoi qarkullimin, duke hartuar një rregullore të veçantë për këmbësorët” (fq.33). Më tej në fq.63: “…Sara, gruaja e kryebashkiakut ia citoi si rastësisht gruas së Tanashit këtë ankim të Glosterit: ‘S’e di. Po bota u bë kaq e keqe, sa zoçkat hanë ku s’guxojnë shqipet. Që kur çdo horr u bë këtu fisnik, shumë fisnikë janë bërë horra…”. Dhe mund të vazhdojmë kështu me perifrazime nga “25 Danielët” e këtij romani kryevepër, ku mjeshtri i prozës shqipe Zija Çela na mahnit me peshën e bukurinë e fjalës dhe me mendimin e thellë filozofik, që sipas Mehmet Krajës, përçohet aq bukur në rrëfime të zhdërvjellët, alegorik, meditativ, me depërtime gjuhësore në shtresime kuptimore të panjohura dhe të paprovuara në prozën tonë… Koherencë me këtë realitet gjejmë edhe në romanin “Pesë ditë në Paris” të Daniel Still, ku personazhi kryesor, Peteri, nuk pranoi kurrësesi t’ua servirte të famshmin “Vikotek”, të sëmurëve me kancer, pa u bindur më parë në dobinë e tij. Një tjetër roman i rekomanduar për këto kohë tragjike është padyshim “Dashuri në kohën e kolerës” i Gabriel Garcia Marquez, nga fundi i të cilit është “era e tharmeve njerëzore, të cilën ai e kishte zbuluar te dashnoret e tij më të moshuara – dhe ato tek ai”….
Libri është padyshim ushqimi më i mirë shpërtëror në këto kohë të trishta. Përzgjedhja e tij si shoku e miku më i mirë në vetëizolim është padyshim në dorën e lexuesit, mjafton vullneti i tij i mirë. Unë rekomandova tre romane që më patën mbëtur ende pa u lexuar nga koorpusi i librave në raftet e bibliotekës sime familjare….
Por, nga Zija Çela, për shembull, mund të lexojme e të mrekullohemi edhe me romanin e tij të fundit “Lavjerrësi i qytetit” që kapërcen barrierat letrare, dhe i vendos ngjarjet gjithkund, pse jo, në mes të Tiranës kryeqytet. Me një rrëfim që të rrëmben ujërave të një filozofie mbresëlënëse, shkrimtari bën bashkë të ndershëm e të pandershëm, të lirë e të burgosur, duke bërë që çdo bindje rreth ndërgjegjes njerëzore të lëkundet. E drejta edhe e padrejta, vihen pranë, kundër lëkunden në trampolinën e rrethanave, duke na bërë të mendojmë se asgjë nuk është e sigurtë.
Ndërsa nga Teodor Laço i cili, në korpusin e tij letrar, përfshin më se 50 tituj romanesh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, do ia vlente të lexonim qoftë dhe dy vëllimet e tij: “Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar” dhe “Bashkëjetesë me kohën” (Shënime politike, letrare intime). Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, esseist, komentator, opinionist e politolog, Laço padyshim njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe. Dhe nëse, në këto gjini, Laço radhitet me elitën krijuese të kombit, ai si poet njihet pak. Jo se nuk ka shkruar poezi, por ato i ka ruajtur si “thesare” të laboratorit të tij krijues nga i cili poeti Bardhyl Londo përzgjodhi me botoi vëllimin poetic të Laços me titullin sinjifikativ “Hapjani dritaren pulëbardhës”.
Në këtë linjë mund të rendisnim edhe poetin e prozatorin e mirënjohur Shefki Karadaku, i cili para disa kohësh u botua edhe në gjuhën gjermane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11, ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit, boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar, Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare Marburg e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN.
Kohët e fundit u ribotua vëllimi me novela “Arkadia e largët”, i shkrimtarit Shefki Karadakut. Këto novela sirtari te viteve 1975-1978 nuk e njohën dritën e botimit kur u krijuan, para viteve ‘90, por vetëm tani. Janë botuar në vitin 1994 dhe janë ribotuar në vitin 2012 për vetë trajtesën e tyre dhe stilin e tyre të veçantë letrar. Teksa lexon këtë vëllim shumë tërheqës, vetëtimthi të kujtohet krijimtaria letrare e këtij poeti dhe prozatori që shkruan prej pesë dekadash, si romanet ”Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panegjerikus”, “Gjergj Elez Alia”, “Sagë mbretërore” si dhe disa novela e vëllime me poezi.
Mund të vazhdonim kështu me dhjetra e qindra pena të spikatura, pasi fatmirësisht nga e drejta për të lexuar nuk jemi privuar edhe në këto ditë kur po përjetojmë pasojat e kësaj kolere të kohëve moderne.

SHKARKO APP