Më shumë sesa një aktor ai është legjendë, 40 vjet nga vdekja e Charlie Chaplin

Ditën e djeshme u mbushën plot 40 vite pa aktorin e madh.

Pikërisht më 25 dhjetor të vitit 1977 në Zvicër ndahet nga jeta aktori, skenaristi, regjisori dhe producenti anglez Charlie Chaplin, një nga pionierët e kinemasë dhe një ndër artistët më të mëdhenj në historinë e filmit.

“Ai nuk ishte një yll Hollywood-I”, thotë ekspertja amerikane Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzsitonte”. Musteqe të zeza, kapelja, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha – karakteristika të Charlie Chaplin këto që nuk i harron askush. Ashtu si edhe në filmin e tij të parë, me të cilin korri sukses të madh, “Fëmija“ (1921) “Endacaku“ ndërthurte në figurën e tij, humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë.

Lindur në vitin me 16 prill 1889 në Londër, ai ndërroi jetë në Zvicër në vitin 1977. Gjatë jetës ai përjetoi shumë suksese në kinematografi, por edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Hollywood. Filmi i tij “Etja për ar”(1925) tematizon pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.

Shumica e veprave të Chaplin u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për “Dritat e qytetit” ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por Chaplin nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: Mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot tek filmat e Chaplin.

Charlie Chaplin ishte i dhënë pas grave dhe është martuar gjithsej katër herë. Yllin e ri të kinematografisë e tërhiqnin gjithmonë vajzat e reja. Kjo shpeshherë i ka krijuar telashe. Në SHBA dhe në atdheun e tij në Angli, apostujt e moralit e kanë kritikuar ashpër atë.

Vetëm në filmat e tij të vjetër Chaplin luante karaktere të pakëndshëm. Shumë shpejt ai iu përkushtua roleve, që karakterizuan më pas filmat e tij: ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si, “Kohët modern” (1936) ai ushtron edhe një kritikë të thellë shoqërore – njeriu në ingranazhet e industrializimit. Një vepër mjeshtërore e Chaplin është filmi “Diktatori i madh” (1940). Përpjekjes, që konsiderohej thuajse e pamundur për të satirizuar Hitlerin dhe nazistët – Chaplin ia doli me sukses. Më vonë Chaplin është shprehur, se po të kishte pasur dijeninë për kampet e përqendrimit ai nuk do ta kishte xhiruar filmin. E pavarësisht kësaj “Diktatori i madh” edhe sot është një film që ia vlen të shihet. Në veprën e mëvonshme “Projektorët” Chaplin ka përpunuar edhe shumë prej përjetimeve të tij. Në të tematizohen ulje – ngjitjet e artistit. Premiera e filmit u shfaq në vitin 1952, në një kohë, kur Chaplin përçmohej në SHBA. Atë e akuzonin atje, se ishte i afërt me komunizmin. Chaplin, i cili ishte atë kohë në Angli, nuk u lejua të kthehej në SHBA.

Pas dhjetë vjetëve ndërprerjeje, Charlie Chaplin rivuri në skenë në Evropë në 1967 filmin: “Kontesha e Hong-Kongut”. Ndonëse filmi me dy yjet e kinematografisë Sophia Loren dhe Marlon Brando pati aktorë të nivelit të lartë, ai nuk solli asnjë sukses komercial. Vitet e fundit të jetës Chaplin i kaloi në Zvicër. Vetëm një herë ai u kthye shkurt në SHBA.

As sot e kësaj dite nuk ka figurë tjetër në historinë e kinematografisë, që të jetë kaq e pranishme sa Charlie Chaplin. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet – figura e endacakut me tiparet tipike të aktorit Charlie Chaplin haset kudo dhe në çdo kohë. Chaplin u ka mbijetuar kohërave – ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të shkuare të largët. Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun. “Ai nuk ishte një yll Hollywood-i”, thotë – sipas koha.net – ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzsitonte”. Edhe sot mund të thuash që: Charlie Chaplin është shumë më tepër se sa një aktor. Ai është një legjendë.

SHKARKO APP