Më të mirët e shkencës për vitin 2017, vlerësohet studimi për shqiptarët e Ukrainës
Konkursi për Çmimet Shkencore Kombëtare për vitin 2017 ka pasur disa kandidatë të fortë. Tre fituesit sjellin analiza të reja për fenomene të botës shqiptare në fushat e gjuhësisë, kulturës por edhe të bujqësisë.
Aleksandër Novik dhe ekipi i albanologëve rusë që ai përfaqëson është një nga fituesit me veprën “Ekspedita në Detin Azov, gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës”.
Kjo vepër kolektive hedh dritë për herë të parë mbi kulturën tradicionale 500- vjeçare dhe mbi një ishull gjuhësor shqiptar me rreth 3000 pasardhës në disa fshatra të Ukrainës.
Aleksandër Novik: Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës kanë ikur nga trojet shqiptare 5 shekuj më parë për shqiptarët e sotëm të Ukrainës janë kthyer këtu në trojet shqiptare përmes monografisë sonë kolektive.
Me “Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe” profesor Kolec Topalli është fitues i çmimit “Çabej”, si një vazhdim i traditës më të mirë në shkencën albanologjike, ku Eqerem Çabejt i njihet një rol vendimtar.
Kjo punë shkencore është një vepër jete për profesor Topallin për rindërtimin e historisë së fjalëve shqipe, e origjinës dhe për zbulimin e kuptimeve të tyre më të hershme. Për shkak të gjendjes shëndetësore të profesorit, çmimin e tërhoqën familjarët.
Një nga fushat më të mënjanuara të studimit sot në Shqipëri është bujqësia. Prandaj juria akademike ka vlerësuar njëzëri me Çmimin “Radovicka”, veprën madhore “Hortikultura, vështrim enciklopedik”, e para e këtij lloji, me autorë Nazim Grudën e Andrea Shundin.
Ky është edicioni i dytë i Çmimeve Shkencore Kombëtare që kanë për simbol një statuetë të realizuar nga Maks Velo e cila paraqet një njeri që rrënjos në tokë një fidan.