Mehmet Myftiu, i fundmi i disidentëve shqiptarë
Nga Gjovalin Kola –
Këto ditë ndërroi jetë Mehmet Myftiu, i fundmi i disidentëve shqiptarë, veprat e të cilëve përfaqësojnë një rrymë dhe vlerë të veçantë në letërsinë tonë bashkëkohore. Ideologu dhe nismëtari i disidencës në Shqipëri ka qenë Sejfulla Malëshova (1900–1971), i njohur me emrin letrar, Lame Kodra, poet e përkthyes, ministër i Arsimit dhe i Kulturës, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve që me themelimin e saj, më 1945. Pikëpamjet e tij për demokracinë e lirinë, traditën dhe kulturën ishin të kundërta me ato të komunistëve dogmatikë. Shokët e tij të mendimit qenë Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi. Ndër disidentët e mëvonshëm është shkrimtari Kasëm Trebeshina (1926-2017), i cilësuar nga kritikët e huaj si njëri ndër të panjohurit e mëdhenj të letërsisë evropiane. Vazhduesi tjetër, Trifon Xhagjika, i pushkatuar në moshën 31–vjeçare, më 1963, përfaqëson një shembull të rrallë guximi edhe për shkrimtarët e Evropës së pasluftës. Ky poet i ri kishte bërë të veten moton e Gëtes: « E vërteta duhet të thuhet vazhdimisht, sepse edhe gënjeshtra përsëritet gjithnjë. »
Pjesë e kësaj rryme letrare ka qenë edhe M. Myftiu (1930-2019), një shkrimtar që sakrifikoi për idetë dhe mendimet e tij të lira. Ai protestoi kundër arrestimit të K. Trebeshinës në dhjetorin e vitit 1953, – akt shumë i rrallë në kohën e diktaturës, – pavarësisht ndëshkimit që e priste: arrestimi dhe internimi. Romani i tij i censuruar, Shkrimtari, që merret me fatin e artistit në diktaturë, denonconte hetuesinë, internimet, burgjet komuniste dhe rifuste në letërsi tema e personazhe tabu, të përjashtuara nga letërsia zyrtare e realizmit socialist. Kryeministri i kohës, Mehmet Shehu, e cilësoi këtë vepër si reaksionare në një plenum të KQ dhe autorin «i sëmurë» i pashërueshëm. Me etiketimin se M. Myftiu “ka kaluar në armiqësi me popullin”, ai sanksionoi edhe heqjen e të drejtës së botimit dhe denigrimin e shkrimtarit e të familjes së tij deri në rënien e diktaturës në vitin 1990. Në fakt, romani Shkrimtari tregon pikërisht historinë e disidencës shqiptare, ku bënte pjesë edhe vetë autori. Siç kuptohet edhe nga vetë titulli, ky libër na njeh me peripecitë e një kundërshtimi ideologjik e estetik që lindi në gjirin e inteligjencies, konkretisht në Lidhjen e Shkrimtarëve. Kjo karakteristikë, që vihet re edhe në lëvizje të tilla të ngjashme në vende të Evropës Lindore, tregon se kundërshtarë të totalitarizmit u bënë ata individë që nuk kanë qenë shumë të indoktrinuar nga ideologjia dhe praktikat politike të regjimit. Në demokracitë popullore të ish-Bllokut komunist, shkrimtari u gjend përpara alternativës së vështirë: të bëhej një mbështetës aktiv i regjimit apo të pushonte së shkruari. M. Myftiu tentoi t’i pajtone këto dy kërkesa të papajtueshme, duke besuar se shokët e tij të armëve do të kishin kurajon t’i pranonin kritikat e tij. Po përse u refuzua dhe u dënua ashpër? Sepse mesazhi i tij u konsiderua shumë i dëmshëm për imazhin e partisë, për “drejtësinë e të vërtetën absolute” që ajo pretendonte se mishëronte. Vepër pesimiste e kritike, ajo “nxinte realitetin e shoqërisë socialiste”. Një aspekt tjetër i papranueshëm ka të bëjë me objektin letrar. Ndërsa Myftiu përfshin në veprën e tij realitetin e burgjeve e të kampeve të internimit, kolegët e tij nuk kishin guximin të bënin as më të voglin zbulim në këto vende të padenja ngujimi e poshtërimi. Këto institucione ishin të dobishme për një regjim, i cili bënte ç’kishte në dorë për të mbyllur brenda tyre një pjesë të popullsisë të cilësuar si « armike », fati i së cilës ishte injoruar nga letërsia zyrtare. Të tentoje të përmendje apo të përshkruaje jetën e të burgosurve politikë, të këtyre masave të mbyllura, kjo do të thoshte të zbuloje pjesën më të errët të fytyrës së padenjë të regjimit të ri, të fshehur me kujdes e djallëzi. Duke zbuluar diçka nga ky ferr, Shkrimtari i M. Myftiut kishte guxuar t’i shpërfillte tabutë. Por ai nuk mjaftohet vetëm me kaq. Edhe në konceptimin dhe krijimin e personazheve ai ishte shmangur nga metoda–dogmë. Figura emblematike e romanit është ajo e shkrimtarit disident, Hysenit (K. Trebeshina), i cili simbolizon njeriun e lirë e të panënshtruar. Ai kalon disa vite nëpër burgje e internime, i damkosur si « armik i popullit ». Por në roman mbizotëron prania dhe mendimi i tij. Karakteri i tij është përshkruar ndryshe nga të tjerët, megjithëse ai përfaqësonte një personazh “negativ”, sipas normave të realizmit socialist. Hyseni, guximin e të cilit duket se autori e admiron, shprehet kështu: « Unë jam pishtar në errësirë ». Ose, « Letërsia e sotme është një turp », « Vraponi drejt socializmit! Udhë të mbarë! Unë qëndroj këtu, gjithnjë simbol i njerëzve të lirë! »Kjo epërsi e heroit të diskriminuar, pra e personazhit “negativ” ishte e patolerushme për censurën e partisë.
Ky roman, kryevepra e M. Myftiut, bën pjesë në rrymën e letërsisë disidente shqiptare të pasluftës, e shkruar jashtë ndikimit të ideologjisë së regjimit dhe realizmit socialist. Për shkrimtarët disidentë letërsia, jeta dhe morali janë një. Sepse këta e mbrojtën të vërtetën dhe profesionin e krijuesit me pasion e vetmohim. Në një kohë kur shkrimtari ishte kthyer në zëdhënës i propagandës dhe « ndihmës i partisë për edukimin komunist të masave », disidentët kërkuan dhe luftuan që atij t’i rikthehej dinjiteti i humbur. Dhe për këtë ata provuan vuajtje e sakrifica që vështirë të merren me mend nga brezat e sotëm e të nesërm.