Mes legjendës së shtojzovalleve dhe bukurive përrallore, ftesa e Nikaj-Mërtur për turistët

E cilësuar si Perla e Apleve, Bashkia e Tropojës ka hapur sezonin turistik malor në zonën e Nikaj-Mërturi.

Ky aktivitet u shoqërua me valle, këngë, lojëra popullore dhe një panair ushqimor me prodhime tradicionale të zonës.

Kjo zonë vit pas viti po shënon rritje të numrit të vizitorëve, por potenciali ende është i pa shfrytëzuar.

Për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, rruga drejt Currajt të Epërm, të cilësuar Perla e Apleve që tashmë ka nisur, do të japë efekte të menjëhershme në zhvillimin e turizmit.

“Besoj se keni ndier kënaqësi gjatë ngjitjes nëpër rrugën e rregulluar, nëpër krazhnjetet, malet, burimet, lumenjtë e kullat, pra dikush që nuk ka qenë herë tjetër me siguri është ndier i mahnitur. Jemi në prehër të Kakijës së Nikajve, përballë Kores së Mërturit dhe pas kësaj qafe, Qafës së M’rrethit ndodhet mrekullia e Alpeve, Curraj Epër”, tha Dushaj në nisje të fjalës së tij.

Kjo krahinë legjendare, që mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, kryebashkiaku vuri në dukje se “rrallë popull tjetër si Nikaj-Mërturasit kanë ruajtur vëllazërinë me njëri-tjetrin, por dhe kanë mbajtur në shpirt zjarrin e ndezur të lirisë duke e përcjellë nga brezi në brez”..

“E nuk është vetëm Eposi i Kreshnikëve kryevepra e kësaj treve, por është pasuria e madhe e gjuhës, janë virtytet e mrekullueshme, është respekti për veten dhe të tjerët, është guximi e trimëria, është mikpritja e pashoqe në botë. Ky takim i mrekullueshëm, kjo pjesëmarrje, këngët e vallet, motivimi i jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit e tregon se ç’shëmbull të madh jep Nikaj Mërturi në ditët e sotme. Gjej rastin të përshëndes së pari banorët e tanishëm të këtyre fshatrave, megjithëse të pakët në numër ata po tërheqin shumë të tjerë, që të përvëluar nga malli ngjiten këtej në të gjitha stinët e vitit”, tha ai.

Dushaj shtoi se “të gjithëve na gëzon fakti se shumë turistë u drejtohen këtyre zonave, ku në këtë sektor të rëndësishëm për zhvillimin e kësaj zone po vetpunësohen disa familje nga Brisa deri në Curraj Epër duke i kthyer kullat në bujtina të mrekullueshme”.

Ai shprehu besimin se shumë shpejt numri i të punësuarve nga turizmi në këtë zonë do të shumëfishohet.

“Siç e shihni ne kemi filluar rrugën për Curraj Epër, për t’u dhënë mundësi banorëve të këtij fshati të kthehen kur të duan te vatrat e tyre, për t’u dhënë mundësi turistëve të eksplorojnë vendet më të bukura jo vetëm të Alpeve shqiptare, por ndoshta edhe të Europës”, deklaroi kryebashkiakui Tropojës.
Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana u shpreh i bindur se sezoni tjetër do të çelet në Zemër të Alpeve, ndërsa deputeti Isuf Çela e vuri theksin shfrytëzimi i traditave në funksion të zhvillimit.

“Besoj dhe shpresoj që këtë festë do ta hapim në Curraj Të Epërm”, tha ai. Përveç bukurive natyrore dhe ushqimeve karakteristike të zonës, trashëgimia e pasur kulturore e shpirtërore e bën më tërheqëse ofertën për tu ngjitur në Aplet e Nikaj Mërturit. /a.g/

SHKARKO APP