Mes reales dhe imagjinares së piktores nga Peja, Shpresa Tolaj-Gjonbalaj

Arti është një thesar me shumë kode, është shprehje e gjërave që nuk mund të thuhen me fjalë. Thjesht është mishërim i çdo gjëje. Piktura e vërtetë duket në thellësi. Atë nuk duhet vlerësuar vetëm në aspektin sipërfaqësor, por në atë substancial dhe thelbësor. Me këtë moto, frymëzim e profesionalizëm punon me pikturën, piktorja e njohur nga Peja, Kosovë, Shpresa Tolaj-Gjonbalaj, përherë në kërkim të perfeksionit, profesionalizmit dhe pasqyrimit real dhe në kohë të gjerave përherë në lëvizje. Edhe përmes ekspozitave që ajo hap ne Pejë dhe në qytetet e tjera në Kosovë dhe jashtë saj në Evropë etj.  por edhe në Shqipëri , si në qytetin e Lezhës “Në kërkim të ekuivalencës , mes reales dhe imagjinares”, me plot frymëzim, pasion dhe realizëm. Pasi vepra e piktores së mirënjohur nga Peja, Kosovë, Shpresa Tolaj-Gjonbalaj , pasqyron kufirin ndarës mes reales dhe imagjinares , optimizmit dhe pesimizmit, gjuhën e shenjave dhe kodeve. Duke përçuar mesazhe që referencë kanë të bukurën dhe të shëmtuarën e realitetit që na rrethon. Shprehja figurative në kompozicionet e saj është ekspresive me kolorit intensiv dhe shumë kontraste, ashtu siç është vetë jeta. Por, krijimtarinë e piktores së talentuar, Shpresa Tolaj-Gjonbalaj, e përshkon edhe gama e gjërë e pakënaqësive, e cila shprehet përmes gjuhës semiotike. Ajo në pikturat e saj të arrira, të realizuara profesionalisht e mjeshtërisht, përdor teknikën:akrilik në kanavacë, vaj në kanavacë etj. Ku motivacion kanë natyrën, bukurinë dhe delikatesën femërore, kompozicion abstrakt etj. ”-Frymëzimi im në krijimtarinë time artistike, ka qënë nga trashëgimia familjare, nga nëna që merret me art e duke qenë mbesa e piktorit të njohur , daja im .  Adem Kastrati etj.  shprehet me modesti piktorja Shpresa Tolaj -Gjonbalaj.  Me pjesëmarrjen dhe e vlerësuar në ekspozita kombëtare e ndërkombëtaren: 26 kolektive dhe 2 personale , në : Londër, Shangai, Gjermani, Milano , Marok, Indi, SHBA, Dubai , Liban, Kosovë, Shqipëri , në Fier, Lezhë, ekspozitë personale në Milano.  Me çmime të ndryshme : çmimi i parë në ekspozitën ndërkombëtare në Milano, çmim nderi në ekspozitën ndërkombëtare në Taza, Marok , çmim nderi në ekspozitën ndërkombëtare në Londër , duke vazhduar të nxjerrë gjëra të bukura nga peneli si piktore e afirmuar.

Jak Rrozhani

SHKARKO APP