Mësonjëtorja e Parë Shqipe drejt restaurimit, çelet fondi prej 30 mln lekësh
Një fond prej 30 milionë lekë do të jepet në funksion të restaurimit të godinës së Mësonjëtores së Parë Shqipe. Ministria e Kulturës ka evidentuar dëmet dhe brenda vitit do të nisin punimet në godinë.
Në Mësonjëtoren e Parë Shqipe në vitin 1987 janë ulur nxënësit e parë për të mësuar Abetaren.
Gjendja e rëndë është evidentuar prej disa muajsh, por si masë ndërhyrje nuk është parë restaurimi i menjëhershëm, por ndërprerja e vizitave në Muze.
Tërmeti i rënë në fillim të muajit qershor ka përkeqësuar edhe më shumë situatën ndaj dhe Ministria e Kulturës është detyruar ta vendosë në listën e objekteve me risk të lartë.
Tanimë duket se një dritë jeshile është ndezur për këtë Muze. Mësonjëtorja e parë shqipe do të restaurohet. Drejtori i Monumenteve të Kulturës, Gjergji Koki, tha se projekti do të vijojë në dy faza.
Gjergji Koki: Faza e parë është investigimi në godinë dhe më pas merret një vendim final pasi shikojmë të gjithë problematikat që mund të ketë objekti në brendësi të tij. Shpresojmë dhe nga të gjithë verifikimet që janë kryer nga ana jonë nuk ka probleme të pariparueshme në godinë, përkundrazi jemi në kohën e duhur për të mos agravuar më tej situata.
Brenda këtij viti pritet që të nisin punimet në godinë.
Gjergji Koki: Brenda vitit ne do të kemi mundësinë për ta filluar punën, nuk mund t’ju them dot nëse do ta kalojë këtë dimër apo jo sepse punimet e restaurimit janë shumë specifike, kanë shumë problematika të vogla të cilat zgjasin të gjithë afatin e punimeve. Por shpresojmë të mos i kemi këto, sepse projekti është shumë i detajuar dhe ka marrë parasysh çdo detaj në brendësi të godinës.
Projekti i restaurimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe kap vlerën e 30 mln lekë të reja.