Mësuesja që “vret” gjakmarrjen, mes 50 më të mirave në botë

Liljana Luani nga qyteti i Shkodrës njihet si mësuesja e nxënësve të ngujuar. Prej 15 vitesh, ajo shkon në shtëpitë e fëmijëve të ngujuar për t’u mësuar atyre gjuhën shqipe. Fëmijët e gjakmarrjes, ajo i mëson vullnetarisht pasi përfundon procesin mësimor në shkollën “Pashko Vasa”. Mësuese Liljana është tashmë në garë për çmimin “Global Teacher Prize”, teksa është kualifikuar mes 50 mësuesve më të mirë në botë.

“Buzë lumit Kir gjeta një djalë të vogël që po luante më një karrocë druri në oborr. Ai fëmijë duhej të ishte në shkollën time dhe duhej të ishte në mësim, sepse ajo lagje është pjesë e juridiksionit të shkollës s dhe duhej ta njihja patjetër. Iu afrova dhe e pyeta se përse nuk vinte në shkollë? Çoi kokën lart dhe, teksa loti i rodhi nga sytë, më tha se ishte në gjak. I jam betuar atij fëmije se do ta ndhmoja atë dhe të gjithë fëmijët që kanë fatin e atij”, shprehet mësuese Liljana.

E pyetur sesi ndihet teksa në çdo shtëpi që shkon ka një histori vrasje, ajo shton: “Nuk është se nuk lënë gjurmë tek unë. Sidomos dhimbjet e fëmijëve dhe nënave. Por njeriu duhet të jetë i fortë. Kjo është një luftë kundër së keqes dhe e keqja në këtë rast është gjakmarrja”.

Të lindësh i ngujuar! Ky është rasti i djalit të vogël nga Shkodra. Familja e tij, prej 17 vitesh është në gjakmarrje. Deri më tani, ndërmjet dy fiseve janë shënuar 3 viktima. Edhe pse vrasjet janë kryer pa ardhur në jetë Armiri, përsëri Kanuni i Lek Dukagjinit e bën atë fajtor, vetëm sepse është pjesë e njerës prej këtyre dy familjeve.

TCH: Kur ke dëgjuar për herë të parë për gjakmarrjen?
Armiri: Shumë vite më parë.

TCH: Çfarë mësove për gjakmarrjen?
Armiri: Që të mos dilja jashtë, sepse rrezikoja jetën.

TCH: Kush është dëshira jote më e madhe?
Armiri: Që të dal si të tjerët, të jem i lirë të iki në shkollë me shokët.

Nëna e Armirit ka 3 djem. Dy më të rriturit janë fshehur maleve, që të mos gjenden nga fisi kundërshtar. Sipas saj, drejtësia shqiptare është fajtore sepse ajo nuk dënon vrasësin e parë.

TCH: Si është rregulli i kanunit? Gjakësi mund të hyjë këtu?
E ëma e Armirit: Po mundet. Ai nuk pyet.

TCH: Familja juaj përse nuk ia la drejtësisë shqiptare që të vendoste?
E ëma e Armirit: Po nuk kishte drejtësi, sepse po të kishte drejtësi nuk do të ndodhnin këto gjëra. Drejtësia i ka fajet. Të dënohet ai që vret.

TCH: Çfarë ndodhi me atë që vrau pjesëtarin e familjes suaj, u dënua?
E ëma e Armirit: Ai nuk është dënuar.

Gjakmarrja është një plagë e vjetër e së shkuarës së shqiptarëve. Ajo është mbajtur nën frè me dhunë gjatë viteve të diktaturës, por u shfaq përsëri në demokraci, duke thyer edhe ato pak rregulla që Kanuni i Lek Dukagjinit kishte.

SHKARKO APP