Migjeni, “djalli me tre brirë”
Nga: Ismail Kadare (Nga libri “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”)
Rilindasit krijuan mitin e Shqipërisë “zonjë të rëndë”, të fyer, e të shqiptarëve kombi i zgjedhur, por që në jetën e të cilëve kishte ndodhur një katastrofë: pushtimi osman. Kjo katastrofë duhej ndrequr me çdo kusht. Gjithë aksioni i rilindasve mund të përmblidhej kështu me dy fjalë: riparimi i një katastrofe.
Ai riparim do të bëhej në shekullin XX, por siç ndodh gjithmonë me ëndrrat e ëndërruara tepër gjatë, duke qenë vërtetë shekull i pavarësisë, ai do të ishte njëkohësisht shekulli i zhgënjimit të madh.
Në historinë mijëvjeçare të shqiptarëve ai është shekulli më i pasur në ngjarje, më i ndërlikuari e më dramatiku. Për letërsinë shqipe, ai është “shekulli i artë”.
Migjeni erdhi në letërsi pikërisht në këtë shekull…
Në rininë e tij të parë Migjeni duhej të kishte pasur një njohje disi të mjegullt të të gjithë kësaj. Në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër ai kreu vetëm shkollën fillore, për t’u larguar në moshën dymbëdhjetëvjeçare jashtë shtetit, në Jugosllavi, ku do të kryente, në fillim në Tivar e pastaj në Manastir, shkollën e mesme e seminarin fetar ortodoks.
Në shkollë të huaj, ku nuk dëgjohej gjuha shqipe e nuk përmendej as Shqipëria e as shqiptarët, Milloshit të vogël i duhej t’i vinin si përmes një tymtaje ato që kishte mësuar në fëmini për vendin e tij: portretet hijerëndë të princëve mesjetarë, poetët e mëdhenj, rrëfimet, ritet.
Edhe në Shkodër, Milloshi kishte qenë një fëmijë jo fort i shoqërueshëm. Më tepër se prej karakterit të tij kjo qe shkaktuar prej një rrethane të veçantë: prej fesë së familjes së tij. Shkodra ishte qyteti më i përçarë shqiptar në punë feje. I ndarë si me thikë midis katolikëve dhe myslimanëve, ai shkumëzonte nga pasionet e të dyja palëve kundër njëra-tjetrës. Tingujt e kambanave acaronin gjithë ditën veshët e myslimanëve, ashtu si zërat e hoxhallarëve ato të katolikëve. Një traditë e tërë urrejtjeje, e mjaftueshme të ushqente breza të tërë njerëzorë, mbahej gjallë me të gjitha mjetet: libra, revista, shoqata, procesione, thashetheme, përdhosje vendesh të shenjta, grindje, vrasje e gjer te masakra që shmangeshin me vështirësi.
Midis këtyre dy deteve armiqësore, në qytet jetonte një minoritet i paktë (jo më shumë se njëqind familje), të një feje të tretë: ortodokse. Familja e Migjenit, ndonëse jetonte në pjesën katolike të Shkodrës, i përkiste këtij ishulli.
Kuptohej që Milloshi i vogël, tek i cili nuk ngjiste dot urrejtja e asnjë pale kundër palës tjetër, i paaftë për të ulëritur në njërin klan kundër tjetrit, kishte mbetur më shumë i vetmuar se me shokë.
Kjo ndjesi vetmie do t’i shtohej më tepër në Jugosllavi për arsyen tashmë të thjeshtë se ai mbante brenda tij një botë krejtësisht të huaj e të panjohur për të mos thënë të padashur për nxënësit sllavë: botën shqiptare.
Mësimet bëheshin në serbokroatisht, më vonë do të mësonte greqishten e vjetër, latinishten, frëngjishten e rusishten, por gjuhën e vet, atë me të cilën do të lidhej në jetë të jetëve gjithë qenia e tij, ishte i detyruar ta mbante në trurin e tij, në vetmi të plotë. Bashkë me gjuhën mbante të gjitha shkëndijimet, që në vend t’i zbeheshin, përndriteshin edhe më shumë nga largësia, malli dhe sidomos pamundësia.
Por, të gjitha këto u rritën në një shkallë të re gjatë pesë vjetëve të studimeve të tij fetare në seminar. Mund të thuhet pa e tepruar se kjo ishte një antishkollë e vërtetë për të. Në vend të devotshmërisë ndaj fesë ajo do t’i nxiste përçmimin ndaj saj, në vend të përvuajtjes, krenarinë, në vend të mospërfilljes për gëzimet e jetës, etjen për to, madje në skajshmërinë e tyre, atje ku feja sfidohej më vdekshëm: mëkatin, erotizmin gjer në incest, etj, etj.
“Mos u lut për mua, se dua pash më pash ti bij ferrit”, shkruan në një nga vjershat e tij. Për mendësinë e një fetari Milloshi i ri, në mos ishte vetë djalli i veshur me rrobe seminaristi, kishte bërë së paku një pakt me djallin për t’u joshur (tani për tani), nga gjithçka e ndaluar, makabre, shkatërrimtare.
Ai përfytyron gjëra të tmerrshme: fusha që në vend të gurit pjellin tyta të hekurta topash, uraganë që thyejnë statuja idhujsh, varre, gurët e të cilëve lartësohen gjer në qiell, popuj të tërë që llahtarisen ndër këmbët e hapura të një përbindëshi, kufoma fëmijësh që propozohen të dhurohen si shtatore, shtatore që pjellin fëmijë, etj, etj. Çdo gjë që mungon, gjithçka e ndaluar, e mallkuar, e shpallur jashtë ligjit dhe moralit bëhet e afërt për shpirtin e tij.
Kështu duhet t’i ketë lindur edhe dashuria për letërsinë atje në seminarin e mërzitshëm sllav, si dashuri për atë që mungon. Dhe është e kuptueshme se ndërsa letërsia atje mungonte, përgjithësisht për letërsinë shqipe as që mund të bëhej fjalë. Përsëri , si përmes një velloje ëndrrash, ndoshta këtë herë më e dendur se ajo e Tivarit, do t’i kenë ardhur fytyrat e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë, ashtu siç mund t’i kishte parë në librat e shkollës në fëmininë e tij.
Fytyrat e tyre të çuditshme, me rrudha kërcënuese, me sy delirantë që dukej sikur përherë kërkonin të të besonin një kumt misterioz, disa herë kishin mbi supe zhgunin e thjeshtë të murgut, por shpesh ishin mbështjellë me rrobën e sundimtarit, me pelerinë peshkopi, xhube rektori, grada armë ose frak diplomati. Kështu i kishin edhe fatet disa herë të jashtëzakonshëm, të pabesueshëm.
Ja njëri prej tyre, një bashkëqytetar i tij, autor i një prej poemave të letrësisë shqipe, i vjershës së bukur, aq të pikëllueshme, aq lirike, “O moj Shqipni, e mjera shqipni”, të gjithë vocërrakët e Shqipërisë e mësonin përmendësh në shkollë, pasi kishte botuar shkrime anglisht në Londër dhe pasi kishte botuar romanin e tij të vetëm të shkruar në frëngjisht në një shtëpi botuese të Parisit, kishte ndërruar fenë katolike në myslimane, kishte braktisur letërsinë për karrierën dhe qe emërëuar prej sulltanit turk si guvernator i Libani.
Dhe kështu kishte vazhduar të jetonte me dy emra, një katolik dhe një mysliman, me dy fama, atë të poetit në vendine tij e atë të diktatorit në vendin tjetër, së fundi me dy fate pas vdekjes: i glorifikuar te shqiptarët si rilindas, i zi te libanezët si tiran.
Sa të largët, të huaj e mizorisht të fuqishëm duhet t’i jenë dukur Migjenit këta shkrimtarë, fytyrat e të cilëve në orët e mërzitshme të mësimeve fetare duhej t’i përziheshin me ato të personazheve biblike. Por, i dukeshin ose jo të tillë, e joshnin ose e tromaksnin, ai do të hynte në radhën e tyre, në atë urdhër të rreptë e të zymtë që kërkonte ndoshta flijime më shumë se çdo urdhër fetar.
Kështu Milloshi e mbaroi seminarin si një antiseminarist. Ai po dilte nga porta e tij për t’i kthyer shpinën përgjithmonë klerit dhe zhgunit priftëror. Për sytë e një fetari të devotshëm, Migjeni dilte nga seminari ortodoks sllav si një djall me tre brirë. Ai ishte dezertor i fesë. Ai donte të bëhej shkrimtar. Ishin tri akuza të mjaftueshme për ta vënë në kryq.