“Mik Festival”, zyrtarizon aktivitetet kulturore pas pandemisë

Sopranoja e njohur Inva Mula, ka iniciuar prej 4 vitesh Festivalin Ndërkombëtar “Mik festival”.

Ky edicion sipas saj është shumë i rëndësishëm, pasi vjen pas pandemisë dhe si dritë shprese. Nga ana tjetër, është konceptuar si një kombinim zhanresh të muzikës dhe artit.

“Për 18 muaj sikur na është mbajtur goja dhe aktiviteti në skenë dhe kjo datë e “Mik Festival” përkon dhe me një hapje të bukur të të gjitha aktiviteteve artistike dhe këtë herë ia kemi kushtuar artit gjerman”, shprehet ajo.

Muaji korrik bashkon emra të mëdhenj të muzikës, ndërthurur  me historinë dhe kulturën e qytetit të Korçës dhe rrethinat.

 “Kjo buqetë e bukur e “Mik Festival” ka për qëllim të mos profilizohet në një zhaner të muzikës, por të jetë një fresk me faqe të vërteta të zhanerave të ndryshëm ku bashkohen të gjitha artet bashkë”, thotë ajo.

Violinisti virtuoz Olen Cesari thotë se, nuk mund të rrinte pa u përfshi në këtë festival, pasi do të interpretojë në Ishullin e Maligradit.

Udhëtimi muzikor do përfshijë edhe tingujt e filmave italian. Ndërsa pianistja Ardita Bufaj do të luajë muzikën e filmave shqiptarë.

“Përkrah do të kem edhe aktoren e njohur Zamira Kita e cila do të interpretojë nëpërmjet fjalës disa nga fragmentet dhe batutat më të bukura”, thotë ajo.

Një vend të veçantë zë edhe promovimi i turizmit.

“Mik Festival”  për 4 netë radhazi do të sjellë muzikë shqiptare, gjermane, greke, italiane si dhe sfilatë mode.

/Nga Leontina Nika – Abcnews/

SHKARKO APP