Mimoza Ahmeti në “Ferma VIP 3”, risi dhe rebelim përmes vërtetësisë në realitetin e një reality show

Nga Albert Vataj
Prania e Mimoza Ahmeti në Ferma VIP 3 nuk ishte thjesht një hyrje në një format televiziv të konsoliduar, por një akt i ndërgjegjshëm shpërthimi ndaj një kulture që e ka bërë konformizmin standard dhe hipokrizinë normë të pranueshme. Ajo erdhi jo për t’u përshtatur, por për të çrregulluar ekuilibrat e rremë, për të vënë në siklet komoditetin e rremë të një publiku të mësuar me simulime emocionesh dhe skenarë të stërpërsëritur.

Shoqëria shqiptare, e mësuar të konsumojë spektaklin si një formë anestetiku, përballet rrallë me figura që refuzojnë të luajnë sipas rregullave të padukshme të këtij teatri. Në këtë kontekst, Ahmeti nuk u bë pjesë e lojës, ajo e demaskoi atë. Me një spontanitet që shpesh ngjan si çrregullim për ata që jetojnë në rendin e rremë të normave, ajo solli një tjetër dimension, atë të vërtetësisë së papërpunuar, të një vetëdijeje që nuk kërkon aprovimin e turmës.

Në një peizazh mediatik të mbushur me zhurmë, me podkaste që shpesh riciklojnë banalitetin dhe me reality show që prodhojnë dramë të fabrikuar, prania e saj ishte një ndërhyrje disonante, një “defekt” i nevojshëm në sistem. Ajo nuk prodhoi spektakël në kuptimin klasik, ajo e zhveshi atë nga artifici. Pikërisht këtu qëndron edhe rebelimi i saj: në refuzimin për të performuar sipas pritshmërive.
Hyrja e saj në spektakël, përballja me pyetjen nëse gjithçka ishte reale apo e inskenuar, dhe më pas tërheqja e menjëhershme drejt vetes, akti i shtrirjes në krevat për të “filtruar” mendimet, ishte një moment që sfidoi vetë strukturën e këtij formati. Ndërkohë që spektakli kërkon ekspozim të vazhdueshëm, ajo kërkoi tërheqje; ndërkohë që kërkohet performancë, ajo zgjodhi introspeksionin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dialogu i saj me Arbana Osmani nuk ishte thjesht një shkëmbim fjalësh, por një akt i çmontimit të mekanizmit të spektaklit. Pyetjet e saj për kohëzgjatjen, për ritmin, për vetë natyrën e asaj që po ndodhte, ishin në thelb pyetje që publiku rrallë guxon t’i artikulojë, por shpesh i mendon.
Në një farë mënyre, ajo bëri atë që shumë e ndiejnë por nuk e bëjnë: doli jashtë lojës duke qenë ende brenda saj. Ky është paradoksi që e bën Mimoza Ahmetin të pazëvendësueshme në këtë kontekst, ajo nuk është thjesht pjesëmarrëse, por një akt kritik në lëvizje.
Nën drejtimin e Holta Dulaku dhe me prezantimin e Arbana Osmani, spektakli synonte të sillte një energji të re, një rivalitet më të fortë në tregun e reality show-ve. Por, në mënyrë paradoksale, gjithçka u përqendrua në një figurë që refuzoi të bëhej pjesë e këtij rivaliteti sipas rregullave të tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

Moza, si figurë publike dhe si poetikë e gjallë, nuk bëri thjesht “spektakël”; ajo krijoi një çarje në të. Një çarje nga e cila u pa për një çast e vërteta e zhveshur e këtij formati dhe, përtej tij, e një shoqërie që ka nevojë më shumë se kurrë për autenticitet.
Dhe ndoshta, pikërisht për këtë arsye, ajo mbeti qendra e gravitetit të asaj nate: sepse në një botë që shpërblen maskën, ajo pati guximin të mbetet fytyrë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?