Mimoza Hafizi, astrofizikania që sjell romanin “Drita”, fjalën që zbërthen fotonet e dritës në ngjyra shpirti
Nga Albert Vataj
Romani “Drita” i Mimoza Hafizi, i astrofizikanes që zgjedh fjalën të përshkojë dhe përshkruaj dritën, këtë mister dhe mishërim të gjithçaje, këtë ngulmim dhe shëmbëllim të kuptimsisë së gjithsisë dhe qenies, këtë shkas mrekullimi dhe ëndje magjepsjeje, është zbulesa e liturgjisë së shpirtërores që zbret nga pafundësia si një ikonë nga tabloja, për të përbashkuar në etjen tonë për zotërim skajet ekzistenciale, dhe për të zbërthyer, jo dhe aq grimcat e dritës, se sa për ta çliruar njeriun nga ngujimi i ngurtësisë, përmes dritës së drituar nga rrëfimtaria.
Njeriu jeton me dritën, prej dritës, për dritën, në dhënien e gjithçkaje të zotërimit përnmes dritës dhe dijes. Dhe momenti kur ky mister rreket të gjej përputhshmëri përmes lëndës së shpirtit, shndërrohet në skajin ku nevoja jonë prej thërrmijash drite, gjurmon të gjej përplasjen që e shndërron në vullnetin e etern të krijimit
Drita, si grimcë dhe si qenie, si lëndë kuantike dhe si vërshim etern fati njerëzor, vjen në këtë akt të epër komunikimi për të bashkëndarë me lexuesin shtresëzimet e asaj pranie që çdoditshmëria mbrun, njëjt si ato fotone, dritën, dhe udhërrëfen fatin e Dritës që në këtë narrativë të Mimoza Hafizit, vjen përplot mbushur me magjinë që eksploron vetë drita si sfidë dhe sendërtim.
Autorja në këtë libër guxon që nëpërmjet fjalës të na kumtojë mrekullinë e krijimit, dhe e shuguron këtë ligjërim të ngopur me dritë, duke u orvatur ta sjellë te ëndja jonë e leximit, si një qasje e ndryshtë, unike përnga subjekti dhe fabula, thellësia e ndërthurjes së gjëndjeve dhe zakonshmërieve jetësore, të cilat vijnë të rrëfejnë një botë, në përbërje të së cilës është gjithësia në gjithçkanë e saj përbërëse. Me hapa të matshëm jetësor, personazhet e këtij libri vijnë të na tregojë jo tamam udhën për në yje, por për dimensionin që çel hapja e shpirtit kah përshkueshmëria e dritës dhe hapësirës.
E si do të ishte një mënyrë tjetër më magjike për të ndërtuar një komunikim, duke e gdhëndur fjalën me dritë, përjetimin me shpërthim, ëndrrën me prekshmëri skajesh.
Edhe për ata që janë pjesë e mrekullisë së dritës, dhe që shkenca u mundëson të hyjnë përmes deriçkës së dëshirimit kureshtues, në pafundësinë e papërmasshme, përmes fotoneve të dritës dhe formësimit të gjëndjes përmes fjalës.
Libri “Drita” i Mimoza Hafizi, botuar nga Albas, është një nga ato raste të rralla kur shkenca nuk mbetet në laborator, por kalon në territorin e ndjeshmërisë dhe bëhet letërsi, lëndësi e prekshme dhe depërtuese, një përpjekje për ta përkthyer universin në gjuhën e shpirtit.
“Drita” nuk është thjesht një roman, por një ndërthurje e guximshme midis fizikes kuantike dhe përjetimit njerëzor. Dy skajet që as imagjinata nuk ka mundur t’i bashkojë, siç guxon astrofizikania Mimoza Hafizi ta bëjë, për të kurorëzuar në këtë kulmim të përvojës romaneske, të mundshmen e mëndjes dhe përshkueshmërinë e shndërrimit të jetësoreve në përjetime, ku qenia gjithnjë është më shumë se si e tillë, si grimca drite, si një spektakël fotonesh që na shpei te përceptimi kuantik.
Ajo nis si një reflektim mbi dritën, këtë “dhuratë bujare të natyrës” dhe vetë misterin e krijuesit, që ka zbritur nga katet e pafundësisë shkallareve të përfytyrimit, për të marrë trajtë, të shndërrohet në një rrëfim ku enigmat shkencore bëhen ura për të kuptuar dhe kumtuar marrëdhëniet njerëzore. Po, për t’i kremtuar atij fjalën si fijëza që na ndërlidhin me grimcat e dritës, për të ngjizur magjepsjen, atë që zgjon dritën brenda nesh, për ta bërë edhe atë si lëndë kuantike, me të cilën nuk merret vetëm fizika por edhe forma që ne i japim momenteve që na bashkojnë me dritën në dritshmërinë që përpjekjet njerëzore udhëtuan drejt saj, prejkur ajo u shpërbë në ngjyra përmes prizmit, derimtash që ligjësia kuantike, e shtyt tej skajin e kuptimsisë.
Në thelb, libri ndërton një paralelizëm të thellë, ashtu si fotonet, që në botën kuantike mund të qëndrojnë të lidhura përtej distancave, edhe njerëzit mbeten të lidhur në mënyra të padukshme, përtej hapësirës dhe kohës, përtej gjëndjeve dhe përjetimit. Një satelit, një kërkim shkencor, një enigmë fizike, të gjitha këto bëhen pjesë e një narrative ku historia e universit ndërthuret me historitë intime të njerëzve.
Kështu, drita nuk është vetëm objekt studimi, por metaforë, e njohjes, e dashurisë, e misterit, e forcës së fjalës dhe mrekullisë së krijimit, që lëndëzuar në shpirt rrëmben trajnë e formshme që na orvatet ta rrokim me kuptim.
“Drita” është një befasi në letërsinë shqipe, por nuk është një habi në ndërtimin e njohjes që vjen. Autorja, Mimoza Hafizi është një figurë që e përfaqëson rrallë këtë dyzim krijues, një mendje e formuar në disiplinën rigoroze të fizikës teorike dhe një shpirt që kërkon të shprehet përmes artit, të deshifrojë përmes fijëzave të holla të ndijimit, grimcat përbërëse të dritimit. E formuar në Universitetin e Tiranës dhe në institucione prestigjioze në Francë, ajo është një nga zërat më të rëndësishëm të astrofizikës shqiptare, me një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore. Nuk është rastësi, por vijimsi, me të cilën ajo ka kërkuar të vijë përmes komunikimit liximtar. Është përvojë dhe sprovë që ajo ballafaqon në këtë realitet gjëmimtar të sfidave të fjalës dhe komunikimit, tashmëri e librit që paradoksalisht e gjen veten në një betejë të ngadhënjimshme.
Mimoza Hafizi nuk mbetet vetëm në orbitën e shkencës, duke u vërtitur në formalizimin e kuptimsisë së rregullit në kaosin kozmik. Del vullnetlirë për të prishur rregullin e katedrës. Kërkon liri shpirti përmes fjalës dhe krijimit, jo dhe aq për t’i ikur hijes së rëndë të akademizmit, se sa për t’i kumtuar misionit të saj qëllimin.
Në veprat e saj letrare, si edhe më herët te romanet “Infiniti blu” apo “Duke pritur supernovën”, ajo dëshmon se universi nuk është vetëm objekt matjeje, por edhe përjetim estetik dhe filozofik.
Në “Drita”, kjo dyfishësi arrin një pjekuri të veçantë, unike dhe të pagjasë në letërsinë shqipe. Mimoza Hafizi, një shkodrane që vjen të dëshmojë vazhdimsinë e një tradite dhe shkëlqimsinë e yjësisë që lartësuan shpirtin dhe hyjnizuan fjalën. Ajo hyn në një hapësirë ku fjala bëhet instrument ndriçimi, dhe drita është Dritë e njerëzishme, e bardhë, përjetim, emocion, dashuri, gjithçka tokësore nën peshën e përshkueshmërisë së dritës. Ajo nuk shpjegon vetëm fenomenet, ajo i përjetëson ato në ndjesi. Ajo nuk na tregon thjeshtë se si zbërthehet drita, por ka privilegjin të na dëshmojë, se përmes së njerëzishmes të depërtojmë thellë brenda kësaj grimce, me të cilën ne jemi të përbërë dhe gjithçka e jona ka atë përmasë dhe rrokshmëri të kuptimsisë dhe pranisë së jetës.
Në planin shkencor dhe në atë që ne duam të gjithëpranojmë, drita është paradoks, njëkohësisht grimcë dhe valë, një entitet që sfidon intuitën dhe na befason. Dhe ajo, po, ajo, në planin letrar të Hafizit, ajo merr një dimension tjetër, bëhet përvojë njerëzore, një prani që depërton në vetëdije dhe në marrëdhënie.
Kjo është forca e librit, e fjalës dhe ligjërimit. E bën të prekshme atë që zakonisht është abstrakte. Fotonet nuk mbeten më ekuacione, ato bëhen impulse ndjenjash, gjëndje që ne i shohim, por nuk i perceptojmë. Ngatërrimi kuantik nuk është më vetëm teori, bëhet metaforë e lidhjeve që nuk shpjegohen, por ndihen, duke ardhur përmes rrëfimit të andshëm tekstshkrues të Hafizit, trajtë e befasishme e zakonshmërisë, që gjen te puna dhe përpjekja, te dëshirimi dhe ëndrra, te atyshmëria e paformë, trajtën e mbushur me dritë dhe kuptim.
“Drita” është gjithëpoaq një ftesë për të parë përtej sipërfaqes së realitetit, për të hyrë shpirtërisht siç shkenca kuantike hyn në deshifrimin e rebusit të dritës dhe nënshtrimin e krenarisë sonë të rreme. Ajo nuk synon vetëm të informojë, por të zgjojë një mënyrë tjetër të të menduarit, një mënyrë ku shkenca dhe arti, fjala dhe përjetimi, gjëndja dhe zakonshmëria, nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por e plotësojnë, duke na thënë përmes një zëri etern, po, kjo është jeta, prej drite, grimcash dhe çfarëtjetër na përshkon.
Në këtë kuptim, libri është një akt ndërmjetësimi, midis dijes dhe ndjesisë, midis universit dhe njeriut, të matshmes dhe pakufishmërisë. Dhe ndoshta kjo është arritja më e madhe e Mimoza Hafizi. Ajo nuk na mëson vetëm çfarë është drita, por na bën ta ndiejmë atë, ta vështrojmë të vërshimshmen e jetës prej drite brenda dhe përreth nesh.
Hafizi i trajton fotonet jo thjesht si mbartës të ndërveprimit elektromagnetik apo si grimca pa masë që udhëtojnë me shpejtësi limit, por si lajmëtarë të kuptimit, si zbritja vullnetmirë e duarve të qiellit që zbrazen në prehrin e lutjeve tona për nënshtrim dhe kopulim.
Nëpërmjet stilit të saj, fotoni pushon së qeni vetëm një material kuantik, por shndërrohet në një mjet që ndriçon ligjësitë e ndijimeve. Ajo na tregon se drita që vjen nga yjet e largët nuk mbart vetëm informacion mbi temperaturën apo përbërjen kimike, por mbart kohën, kujtesën dhe lidhjen tonë organike me universin.
Mimoza Hafizi në këtë libër shfaqet si një alkimiste e fjalës. Ajo përdor autoritetin e saj akademik për të na bindur se shkenca nuk është armike e shpirtërores, por një formë tjetër adhurimi për bukurinë e rregullit universal, i cili është i tillë përmes nesh. Kalimi nga formula te proza poetike bëhet aq rrjedhshëm, sa lexuesi harron që po mëson për procese komplekse astrofizike dhe ndjen sikur po shikon një pikturë të gjallë të realitetit.
Libri është njëherash një ftesë për ta parë botën me një sy të dyfishtë, me mendjen e mprehtë të kërkuesit dhe me zemrën e hapur të artistit. Hafizi dëshmon se kur drita kalon përmes thjerres së shpirtit të saj, ajo nuk zbërthehet thjesht në ngjyra, por në emocione që e bëjnë shkencën të perceptueshme edhe për ata që nuk njohin gjuhën e matematikës.
“Drita” i Mimoza Hafizit nuk është një tekst mbi optikën apo fizikën kuantike, ai është një urë e ndërtuar me saktësi shkencore dhe ndjeshmëri poeti, midis të prekshmes dhe të pashpjegueshmes, të papërmasshmes dhe thelbësores, të mistershmes dhe magjikes. Kur një astrofizikane e përmasave të saj zbret nga katedra e mistereve të kozmosit për t’u marrë me artin e fjalës, ndodh një fenomen i rrallë, jemi sakaq dëshmitar të një ngjarjeje, drita zhvishet nga ekuacionet e ftohta dhe vesh petkun e një përjetimi shpirtëror.
Ndjeje dhe përjetoje çdo grimcë drite në fjalët e “Drita”s!
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH
A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?
Results
Vota totale: 180

