Ministria e Kulturës e Shqipërisë mbylli përfundimisht “Onufrin”, artistët e rikthejnë në Prishtinë

Ndonëse, Ministria e Kulturës në Tiranë, para tre muajsh e mbylli përfundimisht ekspozitën ndërkombëtare “Onufri”, dekani i Fakultetit të Arteve Pamore, Ardian Isufi, rrëfen se edicioni i 24-të i “Onufrit” do të vazhdojë, por kësaj herë mikëpritsja e saj është Galeria Kombëtare e Arteve në Kosovë. Në këtë aspekt, konkursi ndërkombëtar, që për ish-ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, nuk përmbushte pritshmëritë për skenën moderne, do të vazhdojë jo vetëm në mënyrë simbolike, por edhe historike.

“Ishte një shkëndijë intelektuale, ku së bashku me Elton Koritarin po mendonim që mos të ngelte vetëm në konstatimin e një fenomeni, por ta kthenim në një propozim konkret. Ne nuk do të donim që vetëm të konstatojmë fenomene, që nuk shkojnë, sikundër ndodhi edhe me ‘Onufrin’ që u hoq në mënyrë të padrejtë”, shprehet Isufi.

Në këtë kontekst, ai dhe Elton Koritari kanë bashkëpunuar me Galerinë e Kosovës.

“Temat do të jenë pickuese, që mund të kenë lidhje me korrupsionin, anti-konformizmin apo inflacionin. Këto vepra do të vijnë nëpërmjet artistëve apo edhe njerëzve publik, që janë të angazhuar në artin pamor”, thotë dekani. “Do të ketë një ftesë për të gjithë artistët, që do të përzgjidhen në bazë të një bordi kuratorial. Projektet do të zhvillohen në bazë të një procesi hulumtimi, ky lloj procesi do të jetë pjesë shumë e rëndësishme e ekspozitës. Pas debatit dhe dialogut artistik fituesi do të finalizojë këtë aktivitet, që nuk do të jetë thjesht në kuadër të vendit të parë. Një sfidë tjetër është edhe botimi për këtë edicion, që nuk do të përfshijë vetëm veprat pjesëmarrëse, por që të ketë edhe një impak studiues. Për ne ka më shumë rëndësi përmbajta, më shumë se ajo që përfiton ‘Onufri’. Ky është një “Onufër” simbolik, që për në buxheti nuk është i rëndësishëm, aq sa është i rëndësishëm vazhdimësia e këtij aktiviteti”.

Artistët janë akoma në fazat e para të procesit, në muajin nëntor do të jetë finalizimi i ekspozitës. Fondi për ekspozitën ndërkombëtare “Onufri” është rreth 10 milionë lekë. /Shqiptarja/

SHKARKO APP