Ministrja Margariti zbulon në çfarë faze ndodhet çështja e Teatrit Kombëtar

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e ftuar në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora, është shprehur se Teatri Kombëtar është në një proces që po ndiqet nga Bashkia e Tiranës me një komision të posaçëm që do bëjnë vlerësimin e projektit.

Ndërsa shtoi se do duhet ende shumë kohë për vlerësimin e projektit të Teatrit Kombëtar.

Elva Margariti: “Është në një proces që po ndiqet nga bashkia me një komision të posaçëm të ngritur për vlerësimin e projekteve. Ende do ketë shumë për të bërë mbi vlerësimin e këtij projekti.”

Ministrja Margariti tha se vendimi për nxjerrjen e rekuizitave dhe materialeve nga Teatri ishte një vendim i artistëve pasi i duheshin në shfaqjet në ArTurbina.

Elva Margariti: “Ajo çfarë ndodhi në korrik ishte një nevojë fizike e Teatrit Kombëtar që prej 1 viti qëndron në ArTurbina dhe kryen të gjitha shfaqjet atje për të marrë nga Teatri Kombëtar fizikisht rekuizita, materiale, pjesë të skenografike të cilat vazhdojnë të ndodhen ende brenda Teatrit Kombëtar. Është sikur të kthehem në shtëpinë time të vjetër për të marrë gjërat e mia aty, persona të cilët nuk janë pronarët legjitimë të shtëpisë sime të më pengojnë të marr këto sende. 

Thjesht një përplasje e kërkimit të së drejtës nga ana e artistëve tanë që të merrnin ato çfarë ishin brenda u kthye në një luftë të kotë, e cila u shmang nga ana jonë duke abandonuar. Por kjo nuk bën sens sepse në njëfarë mënyre ne kemi materiale për të shfrytëzuar të cilat do na duhen gjithmonë ti improvizojmë për ti rigjetur, marrë me qira ose për të riblerë gjëra që i kemi.”

SHKARKO APP