Mirdita, trualli historik i Principatës së Arbërit
Nga: Mark Uci
Në shek. XI-XII, si rrjedhojë e dobësimit të perandorisë Bizantine, fisnikëria shqiptare ishte fuqizuar mjaft. Ky proçes zhvillimi politik autokton i familjeve të mëdha që zotëronin territore të veçanta, eci më shpejt në trevat qendrore të Arbërit. Këto treva, n’atë kohë, u ndodhën në një pozitë të mirë gjeopolitike, me dalje në det e në kryqëzimin e rrugëve tregtare me zonat e tjera të Ballkanit. Në shek. IX-X në Trakinë antike u formua Mbretëria Bullgare. Car Simeoni (894-927) pushtoi krejt viset e Shqipërisë Qendrore duke u futur edhe në veri, në Malësinë e Lezhës dhe Mirditën e sotme. Me pushtimin bullgar të vendit tonë, ata bënë që të lulëzojnë disa qendra të rëndësishme ushtarake-administrative e kishtare, siç ishin : Devolli, Ballshi, Oroshi dhe Kashnjeti (Zhuba) që e mori edhe emrin ngase aty u vendosën zhupanët (sundimtarët ushtarakë) bullgar. Samueli, pasardhës i Car Simeonit, jo vetëm nuk i preku privilegjet dhe pushtetin e parisë së vendit, por i përforcoi ato duke e rritur rolin dhe peshën ushtarake të faktorit shqiptar, me kusht që të luftonin kundër bizantinëve. Me sa duket, në këto treva, bullgarët e Samuelit, lanë një traditë të fortë ushtarake e shtetare. Duke folur për këtë, studiuesi kroat Th. Ippen në librin e tij“Shqiperia e Vjetër” në pjesën “Malësia e Lezhës’’ shkruan se: “Bajrakun e Bulgurit të Mirditës, ka disa që e lidhin këtë emër fisi me bullgarët, duke ngritur hipotezën që ky fis shqiptar përfaqëson mbetje bullgarësh, të cilët patën pushtuar nën udhëheqjen e carit Simeon, në një luftë që zgjati nga viti 913-923 kundër bizantinëve.” Pas bullgarëve të Samuelit, këtu kaluan kryqtarët dhe tregtarët e perëndimit. Ndikimi i Perëndimit gjatë kryqëzatave dhe roli i Vatikanit nëpërmjet kishave të shumta që u ngritën në shek. XII, bënë që të lulëzojë kjo anë, në harkun gjeografik të Mirditës, Kurbinit e deri në Durrës, ku rrokeshin edhe trevat e Lezhës. Në këtë taban historik, në shek. XII, shfaqen funksionarë bizantinë që studiuesit i cilësojnë me origjinë shqiptare si: Andrea Skura, Andrea Vranja, Vlado Blinishti etj. Dëshmi kemi, dekumentin për shungurimin e Kishës së Shën Tërfolit në Kotorr i cili shtjellon se:“Ndërkaq, më 19 qershor të vitit 1166, titullari i kishës së Arbërit, peshkopi Lazar, ( Lazari Albanesi) i shoqëruar nga abati i manastirit benediktin i Shelbuemit ( Rubik), Gjergji mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Kishës katolike të Shën Trifolit në Kotorr, ku iu rezervua nderi i veçantë i kansakrimit të njërit prej altarëve të kishës. Në ceremoninë në fjalë ndodheshin edhe përfaqësues të peshkopatave dhe abacive të tjera katolike nga Drishti, Shirgji, Ulqini, Tivari, Shasi si dhe “priori Andrea i Arbrit’’ ( prior Albanesis) që, me sa duket përfaqësonte pushtetin laik të asaj krahine.’’3 Të tërheq fakti se të tre emrat si: Lazri peshkopi, Ndreu princi i Arbërit që ishte formuar diku në Nërfanë si principatë, si dhe Gjergji, abati i manastirit të Kishës së Shelbuemit në Rubik, janë emra shqiptarë dhe të përdorur më shumë se kudo në vendin tonë. Ato gjenden në trevat mirditore. Me sa duket Peshkopata e Arbërit “Lazarus episkopus Arbanensis’’ i vitit 1166, si dhe Principata e Arbanonit që lidhet me të, “Andrea prior Albanensis’’ si dhe Georgio ( Gjergji ) abati i San Salvadotorit Arbanesi (i Rubikut), ishin të unifikuar mirë, në trevat e Mirditës së sotme. Këtu kemi të bëjmë me një peshkopatë të re të shkëputur nga struktura e mëparshme e mbështetur nga një fuqi shtetërore, “Andrea prior Albaneses’’ feudal e prijës i fuqishëm i krahinës së Mirditës, në të cilën ndodhej e mbrohej Peshkopata katolike e Arbanoit. Dokumentat tregojnë se Peshkopata e Arbërit ishte ndryshe nga ajo e Krujës e lidhur me Durrësin ortodoks dhe nuk varej nga ajo, por nga kryekisha katolike e Tivarit. Duket qartë se në vitin 1166 ishte formuar bashkësia arbanite në truedhin e Mirditës, si struktura e parë e shtetit feudal shqiptar, me prijës Ndreu, me kryeqendër Rubikun dhe me abatin e Arbnisë, Gjergjin në Kishën e Shelbuemit, si dhe Peshkopatën katolike Arbënore të krijuar rishtazi, me peshkop Lazrin. Pra,një principatë feudale autonome e mirë organizuar për atë kohë, me të gjitha atributet fetare e shtetërore, e cila e ka vazhdimësinë e saj tek Dinastia Mirditore e Progonatëve. Ndër studiuesit e parë që u morën me Principatën e Arbënisë dhe sundimtarin shtetar feudal Andrea, ishte Dh. Shuteriqi, i cili për vazhdimësinë e kësaj dinastie shkruan se: “Te ky kryetar pushteti (Andrea) në Veriun shqiptar, kemi arsye të kërkojmë një paraardhës të shtetit të Arbërit të vitit 1190.’’ Për këtë fakt edhe, Aleks Buda, hedh mendimin se: “ Si e tillë mund të mendohet, se këtu bëhet fjalë për një bërthamë shtetërore autonome, e cila në kushtet e mëvonshme jep Principatën e Arbërit. Përmendet një arkond i Arbërit,(Andrea) në vitin 1166, që ishte një hallkë ndërmjetëse në rrugën e formimit të shtetit të Arbërit.’’ 1 Mes arsyetimit e mendimit, që na japin dy studjuesit e mirënjohur shqiptar, Shuteriqi e Buda, del se në truedhin historik të Mirditës së sotme ishte krijuar një berthamë shtetrore që në vitn 1166, e cila na jep Principaten e Arbërit me një vazhdimësi deri në vitn 1216. ’’Ky kryetar pushteti (Andrea) në veriun e Shqiperisë’’, e dalun nga aristokracia feudale e Nërfanes, na siell drejt përsdrejti, siç arsyeton Shuteriqi ose si hallkë ndërmjetëse siç mendon Buda, dinastinë Progonate të shtetit të Arbërit. Themelues i këtij shteti feudal të pavarur të Arbërit ishte Progroni në shkrimin latin (shqip “Prenk” sipas Ipenit , ndërsa sipas At Valentinit, “ Prenk do të thotë prijës’’) Sundoi në vitet 1190-1199, pushtetin e të cilit e trashëguan të bijtë, Gjini ( 1198-1206) dhe Dhimitri (1206-1216). Dokumentat e rralla të kohës nuk thonë se cilës familje të Arbërit i përkisnin këta princër, por studimet e kohës së fundit, tregojnë se sundimtarët e Arbërit në kapërcim të shek. XII-XIII kanë dalë nga aristokracia feudale e Mirditës dhe i përkasin familjes së Prenkëve (Progonateve në latinisht) të Nërfanes . Ndërsa teza se sundimtarët e Arbërit janë të familjes së Skura ka rënë tërësisht poshtë. Për këtë fakt, K. Frashëri, në librin e tij: “ Historia e Tiranës’’kur flet për familjen e Skurajve në f.45, sqaron se bashkësia krahinore e Skurajve, në kohën e sundimit të Dhimitrit, ishte inkuadruar plotësisht në Principatën e Arbërit, që e drejtonte një familje tjetër e madhe feudale e Arbanonit. Pra ishte vasale e saj, së bashku me 14 bashkësi të tjera:
Harta e Principatës së Arbërit (1190-1216) në Dinastinë e Prengonatëve.
Dhe më tej studjuesi fakton se;’’nuk ka dyshim se treva e Tiranës ( Skurajt), përbënte që në atë kohë një bashkësi krahinore me në krye një sevast, i cili duke qenë fare pranë, u inkuadrua në Principatën e Arbërisë që në vitin 1191. Si rrjedhim, një nga 14 krerët që ka nënshkruar marrëveshjen tregtare të Arkodit të Madh Dhimitër me Republikën e Raguzës, rreth vitit 1208 duhet të ketë qenë ai i pasardhësit të sevastit Mihal Skura.’’ Dihet se në Mesjetë, çdo principatë apo familje e madhe feudale shqiptare, ashtu si dhe në Evropë, kishte stemën me simbolet e veta, gjë që tregonte pavarësinë dhe identitetin e tyre. Duke u nisur nga stemat, këtu kemi të bëjmë me dy familje princërore: Njëra në Nërfanë, me qendër në Gëziq të Mirditës ku u gjetën edhe simbolet e saj, e tjetra në Skuraj të Kurbinit me stemat e tyre krejt të ndryshme me njëra- tjetrën dhe me dallime thelbësore. Stema e dytë është gjetur në një varr pranë Kishës së Shna-Nout në Lezhë. “Bëhet fjalë për varrin e Anton Skurës. Stema e luanit që qëndron lart mbi dy këmbët e pasme, simbolizon pushtetin e vet, nga çereku i parë i shek. të XIV, rreth vitit 1320-30.’’ Krejt ndryshe na vjen stema e Principatës së Arbërit e zbuluar në Gëziq të Mirditës. Ajo është plotësisht shqiptare pa ndikime të huaja, gjë që e takojmë rallë në heraldikat e stemave të familjeve të mëdha dhe të principatave arbërore në Mesjetë. Në një rrasë prej guri shohim të gdhendur me kujdes një shqiponjë origjinale e përpurtë, me trup real, të ekspozuar mirë, me krahë të pashformuar, të ngritura lart, me bishtin poshtë, me një kokë të kthyer djathtas, me sqep të hapur.
Emblema e Principatës se Arbërisë, zbuluar në Gëziq të Mirditës, një bllok guri me përmasa. 30 me 50 cm, ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, pavioni i historisë së Mesjetës.
Në rastin e dytë, kemi të bëjmë me emblemen e një familje fisnike të Prenkëve nga Nërfana, në Mirditën e sotme, që arriti kohezionin e saj më të madh nën sundimin e Dhimitrit. Nën autoritetin e tij u vunë n’atë kohë edhe familjet e shquara të Arbërit siç qenë :Jonimet, Plitet, Shtëpanët, Kamonat, madje edhe familja e madhe Skura. Ka edhe një fakt tjetër, shumë domethënës : po në Gëziq të Mirditës, paralel me shqiponjën, në të njëjtin vend e kohë, në bazilikën e Shën Mërisë është gjetur edhe epigrafi me emrat e sundimtarëve të Principatës së Arbërit, Progroni e Dhimitri. Edhe kjo dëshmi e rrallë e Mesjetës, i gdhendur në gurë e i shkruar me shkronja të mëdha latine, tregon se këtu ka sunduar një dinasti mirditore. Kjo principatë u ngrit në Nërfanë, me selinë e saj mu në fshatin Gëziq të Mirditës dhe drejtohej nga familja e madhe e Prenkëve, por në kohën e sundimit të Dhimitrit, kur ajo arriti kulmin e fuqisë së saj, në vitin 1214-15, vetem për një vit arriti të fusë në dorë përkohësisht Krujën, duke e bërë kryeqytet të Arbërit. Ishin rrethanat historike që e detyruan princin Dhimitër, në vitin 1215 të zhvendosë përsëri kryeqytetin në vendin e mëparshëm, në Gëziq të Mirditës.
Mbishkrim Epigrafik, me emrat e Prijësve Progron e Dhimitër, të zbuluara në Kishën e Shën Mërisë së Gëziqit në Mirditë ( Muzeun Kombëtar, Tiranë, Pavioni i Mesjetës )
Për këtë moment, Kristo Frashëri mendon :”Të dhëna sesi u zhvilluan ngjarjet në Principatën e Arbërisë, për mungesë burimesh dokumentare, nuk kemi. Duket se Dhimitër Progonati nuk mund të qëndronte në Krujë. Nëse Kruja u pushtua ose jo nga despotati i Epirit, për ne është ende e panjohur. Dimë me siguri se qendra e Principatës u shpërngul nga Kruja e Arbanonit ,në një fshat në cepin perëndimor të Mirditës së sotme. Sot ai fshat quhet Gëziq, ndodhet rreth 8 km në veriperëndim të Rrëshenit. Në kohën kur u vendos prijësi i Principatës së Arbërisë, ky vendbanim quhej Ndërfandë, në burimet latine Trafand… Në fakt, Trafandinë quhej në Mesjetë krahina e sotme e Mirditës…. Historinë e Principatës së Arbërit pas vendosjes së udhëheqësve të saj në Ndërfandë e ndriçojnë të dhënat që kanë mbetur të fshehura për shekuj të tërë në gërmadhat e fshatit Gëziq.’’(K. F‘’P.Arbërisë’’ f.109).
Në aktin tregtar të Arbërit të nënshkruar në vitin 1210, Dhimitri i quan banorët e tij, sipas të drejtës feudale perëndimore “ njerëzit e mi ”(hominess mei). Edhe titujt “ gjykatës ”(eudex) apo princ( princeps), që i atribuohen Dhimitrit prej papës Inocenti III, flasin për pozitën e tij të dalluar në gjirin e fisnikërisë së Arbërisë. Po japim të plotë tekstin e aktit tregtar të nënshkruar me Raguzën: “ Unë, Dhimitri, për hir të perëndisë panhypersevast dhe arkod i madh, betohem mbi katër ungjijtë e shenjtë të perëndisë, se pa mashtrim dhe pa qëllim të keq, do kem paqe të sigurtë dhe do ta mbajë përherë, sa të kem jetë e të jem gjallë, me qytetin e Raguzës dhe me të gjithë njerëzit raguzinë, në mënyrë që ata raguzinë të lëvizin shëndoshë e të sigurtë nëpër të gjithë tokën time pa asnjë taksë doganore, të lirë e të sigurtë, në të gjitha të drejtat e tyre qoftë për tokë, qoftë për det. Dhe sikundër unë po betohem për këtë dhe po e përforcoj, ashtu si i urdhëroj të gjithë njerëzit e mij që të betohen për këtë dhe, t’i mbahen pa lojtur për të gjitha ditët e jetës së tyre.Unë Andrea stopan u betova. Unë Jomena u betova. Unë Marku u betova. Unë Aleksi u betova. Unë Pali u betova. Unë Dhimitri u betova. Unë Kosmaj u betova. Unë Serbeli u betova. Unë Llazari u betova. Unë Gjoni u betova. Unë Nikolla u betova. Unë Pelti u betova. Unë V.. u betova. Unë Leu u betova. Unë sundia Andrea u betova.’’
Siç del, përveç emrit të princ Dhimitrit, teksti përmban edhe 14 emra pa mbiemra që e kanë nënshkruar dokumentin. Të 14 nënshkruesit ishin 14 krerë të 14 bashkësive krahinore të integruara në Principatën e Arbanoit si vasalë të saj. Duke lexuar emrat e krerëve, vemë re se nga të pesëmbëdhjetë prijësat, shumica janë emra katolikë, madje i përkasin onomastikës shqiptare, bile emra që janë shumë të përdorur edhe sot në trevat e Mirditës si : Ndrea, Marku, Gjoni, Aleksi, Pali, Lazri, Nikolla, etj. Ka edhe një fakt tjetër : dokumenti sipas traditës perëndimore fillon me shenjën e kryqit si dhe për hir të Perëndisë dhe betimi bëhet : “betohem mbi të katër ungjijtë e shenjtë”. E veçanta është që dokumenti e thekson betimin dy herë në traditën shqiptare si:“ Për këtë dhe t’i mbahen pa lojtur për të gjitha ditët e jetës së tyre.” Këtë betim e takojmë shpesh edhe sot në Mirditë si: “Për qiella –për dhe.’’ Kjo tregon se krerët, që nënshkruan marrëveshjen, si nga emrat ashtu dhe nga betimi i tyre, na ҫojnë në etnosin shqiptar mirditor. Mundet që ky dokument është nënshkrur në vitin 1208 diku në Mirditë, sepse edhe shumica e fisnikërisë së bashkësive të krahinave që kanë nënshkruar këtë dokument është me emra mirditorësh. Në mungesë të burimeve dokumentare të shkruara, na vijnë në ndihmë të dhënat arkeologjike të zbuluara në vitin 1907 në fshatin Gëziq. Për këtë, austriaku Theodor Ippen në vitin 1907 vuri në dije mbi gjurmët arkeologjike që kishte zbuluar në këtë fshat. Këtu poshtë po japim mendimin që jepte dijetari, të parashtruar në librin e tij “Shqipëria e Vjetër ” (f.265) ku shprehet se:“Sot në Kishën e vjetër të abacisë së Ndërfandinës, ngrihet një kishëz e varfër. Mbi portat e saj janë murosur disa fragmente mermeri, me sa duket nga abacia e vjetër, që përfaqësojnë pjesë skulpturash e mbishkrimesh. Fragmentet e paraqitura, duket se i përkisnin një pllake më të madhe guri…. Ajo përmban një mbishkrim varri, ndërimi apo kushtimi… Shkrimi ishte radhitur në tri radhë, prej të cilave, radha e sipërme kishte shkronja të mëdha…Fragmenti tjetër paraqet një shqiponjë heraldike me një kokë. Në tjetrën paraqitet një rozetë me tetë rreze brenda një kornize rrethore. Tregon pjesën e pasme të një palloi…’’ Më vonë, janë studjuesit tanë, Shuteriqi,Tirta si dhe Zamputi që i kushtuan rëndësi këtij fakti duke mbledhur e analizuar një pasuri arkelogjike me karakter historik në Gëziq dhe konkluduan se në këtë vend kemi të bëjmë me dy prijsa të Principatës së Arbërit, Progron e Dhimitër, sepse pranë tyre gjindej titulli gjykatës. Profesor Zamputi me punë të mëtejshme e ktheu përfundimisht mbishkrimin në një tekst të lexueshëm.
Tetë gurët me mbishkrimet, zbuluar në themelet e abacisë së Nërfanës-Gëziq (Muzeu Kombëtar)
Në mbishkrimin e rindërtuar në përkthimin shqip, në radhën e parë të tij shkruehet: “ I shkëlqyeri legat tribun Antoni, i të përndriturit Gjergj, me shpenzimet personale të caktuara për këtë qëllim, e ndërtoi këtë tempull të çliruar nga detyrimet dhe të paprekshëm të pajtores Shën Premte të Ndërfandës në Misjen e Epërme dhe me kënaqësi të madhe ia blatoi kombit të denjë.’’ Fakti që të dhënat arkeologjike, lëndore e shkrimore, u zbuluan në Gëziq të Mirditës dhe ajo që mbreti Gjergj i Zetës, duke zbatuar testamentin e Dhimitrit e ndërtoi kishën katolike në këtë vend për t’ja atribuar të nipit, tregojnë se selia e Principatës së Arbërit si dhe kryeqendra e saj ka qenë, Gëziqi. Në radhën e parë të mbishkrimit, flitet për “komb të denjë’’. I cili fakton se në truedhin e Mirditës së sotme, Ndërfandina e asaj kohe, si pasojë e ngjizjeve të forta ndërkrahinore dhe ndjenjës së fisit, bëri që të plazmohet t’tharmit e kombit shqiptar, me krijimin e një bashkësie banorësh me gjuhë, territor e me doke e zakone të njëjta, që arriti shtrirjen më të gjërë, nga Drini në Shkumbin, në kohen e sundimtarit Dhimitër, i cili e ngriti këtë bashkësi krahinore në nivelin e një principate, që nga historianët është quajtur Principata e Arbërit dhe është shteti i parë feudal mesjetar shqiptarë.
Ishte viti 1911, i cili shënon një epokë të lavdishme në kryengritjen e Malësisë së Madhe nën udhëheqjen e fatosit të maleve Ded Gjo’ Lulit. Flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare, u ngrit në Deçiç me 6 prill 1911. Me 23 qershor 1911 krenët e Shqipnisë shpallen vendimin e Greçës, ku ishin përfshirë 12 pikat e kerkesave tona nacionale. Në këto rrethana delikate, malësorët e Nënshkodrës bënë të gjitha përpjekje për të dalë në bjeshkët alpine për të veruar si zakonisht, gjë që u pengua nga administrata turke e Shkodrës, nga frika e unifikimit të kryengritësëve. Kështu ata u ngujuan në moçalet malarike të Ultësires, nën retë vdekjeprurese të mushkonjave, ku jeta në verë këtu, ishte e pamundur. Malësorët moren arratinë nëpër kodrat e malet për rreth Ultësires. Ndërsa burrat të udhëhequr nga vëllezërit Coku e Llesh Nik Daka, rrokën armët dhe së bashku me mirditoret e krahinave të Lezhës, me në krye Kol Tomen e Velës, zhvilluan shumë aksione luftarake kunder hordhive osmane të udhëhequr nga Turgut Pasha që atë verë zbarkoi në Shëngjin. Për të nxitur kryenritjen në Lezhë e në Mirditë dhe për t’i dhënë asaj orientim politik, me 15 prill 1911, nëpërmjet Shëngjinit zbriti arbëreshi Terec Toçi me 50 garibaldinë. Këmishkuqet gjeten mbështetjen e plotë të kryengritësve mirditorë, me abatin Preng Doçi e kapedanët, për luftë antiosmane dhe shpalljen e pavarsisë së Shqiperisë. Në një mbledhje të madhe që u mbajt në Kimëz me 27 prill1911, moren pjesë; garibaldinët me Terec Toçin, krenët e 12 bajrakëve të Mirditës me kapedan Marka Gjoni e abatin Preng Doçi, udhëheqës popullor bregamatës të Kelmenit, vëllezerit Coku e Llesh Nik Daka, si dhe udhëheqës e kryengritës popullor të tjerë, gjithsej 300 burra. Aty u vendos që të mbeshtetej kryengritja e malësoreve të Malësisë së Madhe, të çlirohej Lezha dhe më pas tërë krahinat e Shqiperisë. Vendimi më i rëndësishëm që u muar në Kimëz, me 27 prill 1911, ishte shpallja e Pavarsisë së Shqiperisë dhe krijimi i Qeverisë së Përkohshme të drejtuar nga Terec Toçi. Ishin rrethanat e jashtme, veçanarisht politika dritëshkurtër e Fuqive të Mëdha për ruajtjen e statuskosë, që solli që kryengritja e vitit 1911 t’mos ia arrinte qëllimit, si dhe qeveria dhe programi i Kimzës të dështojë.
Por rëndësia e kësaj ngjarje ishte unifikimi i luftës së përbashkët antiosmane të malësoreve e mirditoreve si e gjithë shqiptareve në kryengritjen e përgjithëshme të vitit 1912. Pasojat e kryengritjes së viti 1911, nga reprezarjet e satrapit Turgut Pasha, për malësoret e Nënshkodres qenë katostrofike. Batalioni special osman, në shenjë hakmarrje për kryengritjen, vetëm në Breg të Matit në veren e atij viti dogji dhe rrafshoi 160 shtëpia, duke i lënë ato në qiell të hapur. Kolera e malarja si dhe lufta, zhduku 1/3 e popullsisë së krahinës. Ndërhyrjes së ambasadorëve të huaj në Shkodër, për lejimin e malësoreve për të dalë në bjeshkët e Malsisë së Madhe, në veren e vitit 1912 që po vinte, Turgut Pasha do ti përgjigjej kështu; ‘’Le të ngordhin si derrat nëpër lluca.. Ne nuk kemi frikë se po mbetet Shqiperia e shkretueme. Kemi mjaft njerëz që t’ua zënë vendin shqiptarëve.’’
Për situaten e rëndë që u krijua, le ta lëmë të flasë Edith Durham, e cila për Bregun e Matit, në kujtimet tek libri ‘’Brenga e Ballkanit’’ në pjesen ‘’Lufta’’ për vitin 1911, do të shkruante: ‘’Vendosa të shkoja në qendër të etheve…për të shpërdarë kina, për t’u takuar me disa malësorë dhe për të shkuar me ta në Breg Matje, vumë re një gjendje shumë shqetësuese, krahina ishte pak a shumë në karatinë për shkak të kolerës. Njerëzit e shkretë vinin me shumicë nga fshati Gurëz për në shtëpinë e Ded Cokut, ku ne shpërdanim kinina. Por kërkesat i tejkalonin shumë rezervat tona. Ishte një punë që të coptonte zemrën. Më pak i sëmuri i familjes vinte që të kërkonte nga ato që kishin mbetur… Të dobët dhe të këputur, me lëkur të verdhë të ngjitur pas kafkës me sy të futur, ata luteshin; ‘’Më jep kinina për pesëmbëdhjetë veta!’’,‘’Unë kam njëzet’’,‘’Unë kam gjashtë fëmijë që po vdesin’’…. Dhe që t’i shpëtonim pamjes së kësaj fatkeqësie të cilën nuk mund ta lehtësonim, s’na mbetej gjë tjetër, veç t’u hipnim kuajve dhe të largoheshim. Ishte një skenë e llahtarshme që nuk do ta harroj.’’
Në këto rrethana teper të vështira për malësorët e Ultësirës, ishte Mirdita bujare që i mori përsipër shpëtimin e këtyre malësorëve fatkeq. Me 11maj 1912 tek kisha e Shenkollit në Zejmen u bë një kuvend i madh, nën drejtimin e priftit patriot mirditor Dom Pjetër Njeçit. Dekumenti për ngjarjen fakton: ‘’Në këtë kuvend moren pjesë 30 bajraktarë e krenë; si paria e Mirditës, Kthellës, Malësia e Lezhës, Kurbinit e Gurzit, ndërsa nga Bregu i Mats pati shumë përfaqsues fisesh.’’- U lidh Besa për luftë të përbashkët për të shporrur turkun nga Shqipnia. – Diten e 28 Majit 1912 t’i binin së bashku Lezhës dhe pasi të merrej depoja e armëve , të ngrihej në kalanë e Lezhës flamuri i Shypnisë dhe të vendosej qeveria e kryengritësve. ‘’ Kërkesës së malësoreve për verim me gja e robni në bjeshkët e Mirditës dhe Kushnenit, të gjithë bajraktarët iu përgjitgjen njëzëri pozitivisht. Dekumenti më poshtë shtjellon; ‘’Madje kapedanët e patën thënë që në fillim, se ishin të gatshëm me u pague trefish damin, që mund tua shkaktonte ndokush malësoreve.’’ Ajo që na kanë treguar të parët tanë dhe që u kishte lënë mbresa atyre, ishte fakti se malësorët në Mirditë, me gja e robni nuk shkuan kuturu por me një organizim të veçantë. Tërheqja dhe strehimi i popullsisë së Ultësires në Mirditë u organizua në mënyrë përfekte, me një përgjegjësi të lartë soldariteti për të cilen u angazhua, në qershorin e vitit 1912, e tërë paria dhe vegjelia e Mirditës. Kapedanët dërguan dyzetë luftëtarë trima të armatosur që do të ruanin e mbronin karvanët e malësorëve nga do të udhëtonin për në Mirditë, nga shkallët e Pllanës deri në destinacionin e qendrimit në Bjeshkë. Rojtarët luftetarë qendruan ditë e natë, gjatë gjithë qershorit, duke ruajtur pikat delikate të rrugëve nga do të kalonin ardhacakët për t’u kampuar nëpër bjeshkët e nalta. Madje ata, u detyruan shpesh të bëjnë aksione luftarake, në bashkëpunim me luftetarët bregamatas, kunder asqerit turk që u mundua të pengonte malësorët të delnin me veruar në Mirditë nga frika e unifikimit të dy krahinave luftarake. Paria e Mirditës i kishte caktuar secilit bajrak; katundet, fiset dhe familjet malësorë që do tërhiqte dhe përgjigjej për shperdarjen, strehimin dhe verimin e tyre. Mirdita tërhoqi pjesë pjesë, gjatë gjithë qershorit, të gjitha familjet malësore sipas datave të caktuara. Kështu mëhalla e jonë, e Vuksandedajve, u tërhoq dhe shtegëtoi për në Mirditë me 19 qershor, të shoqëruar nga përsona të armatosur të familjeve përgjegjëse që kishin ardhur një natë më parë. Sapo shkuam në Mirditë, ata na lëshun gjysmen e shtëpisë, ndanë përgjysëm miellin e bukës e çdo gjë që kishin. Na lëshuan stanet për bagëti si dhe bjeshkë e vërri për kullota verore. –Ne, ata na trajtuan si robtë e shtëpisë,‘’ tregojnë bashkëkohësit. Siguria ishte e veçantë në këto bjeshkë. Askush nuk guxonte të na grabiste apo të ngacmonte malësoret sepse ishte dhënë fjala dhe lidhur besa në Kuvendin e Dheut, për të cilën mirditorët ishin tepër korrekt. Festat dhe gëzimet e malësorëve u shkrinë në një me ato të Mirditës. Të gjitha bjeshkët, livadhet e ograjet e Mirditës dhe Kushnenit u mbushen me banorë të rinjë. Një bukuri e paparë ndonjëherë. Këmbanat e ogiçëve të berreve, fyjet dhe zymaret e barinjëve, kangët maja-krahut dhe lahuta e malësorëve, të kombinuar me qiftelitë dhe dyzenët e Mirditës, buçitnin si asnjëherë tjetër në këto bjeshkë të nalta. Hyrjet e daljet, vllazërimet dhe kumbarëzimet, në festa e gëzime e mbushën atë verë Mirditën. Dy familjet e mëdha malësore, Cokajt dhe bajraktari i Nikçit Turkajt, i mori për verim vetë kapedani i Mirditës në Orosh. Nuk munguan as edhe krushqitë, atë verë, madje edhe midis familjeve të mëdha’’.
Nga ana tjetër, sipas beses së lidhur në kuvendin e Zejmenit, të dy palët, trimat mirditorë e malësorë u bashkuan në luftë të përbashkët kundër turkut barbar për lirinë e Shqiperisë. Këto ngjarje studiuesi Marin Sirdani, do na i shtjelloi me hollësi tek Revista ‘’Hylli i Dritës’’(v. 1938 f.95), ku ndër të tjera do të shkruante; ‘’Mbasi malësorët venduan robt e gjanë e gjallë në bjeshkët e Mirditës, u ulen me shumicë me trimat e Mirditës me vijue luften për liri kombtare….Ndërsa komita e malësor, qi shpesh sulmonin nga bjeshkët e Mirditës, në fushë s’lenin në qetësi kërkun ushtri turke në rrethin e Lezhës.’’ Dy ishin betejat më të mëdha, që zhvilluan ‘’Të beslidhurit’’ kundër turkut gjatë verës së vitit 1912. Luftimet që u bënë me 22 qershor 1912, në Breg të lumit Mat në fshatin Shënkoll si dhe tek leqet e Pllanës, ku malësorët dhe mirditorët i bënë një pritë të suksesëshme batalionit special të Turgut Pashës, që çoi në shpartallimin e plotë të këtij batalionit. Sipas shtypit të kohës; ‘’Turqit lanë në fushën e betejes 187 nizam e oficer të vrarë dhe dhjetëra të plagosur,, në mes të tyreve dhe vetë kajmekami i Lezhës, Faik Efendiun me 9 myltezim, 27 xhandarë, u moren 24 mushka me armë e municione.’’. Por edhe kryengritësit paten humbje të mëdha në fushën e luftimit në njerëz e materiale. Sipas po këtyre dekumentave, nga kryengritësit pati 42 të vrarë dhe 9 të plagosur luftëtarë malësorë e mirditorë. Në shenjë kujtimit, në hyrjet të urës së Matit për në Milot, në fshatin Pllanë, është ngritur një lapidarë kushtuar këtyre dëshmorëve, mirditor dhe malësorë, që dhanë jeten për lirinë e atdheut.
Një tjetër ngjarje e rëndësishme për ‘’të beslidhurit’’, ishte organizimin dhe zhvillimi i ekspeditës luftarake të Durrësit, me 14-16 gusht 1912. Për unifikimni e kryengritësve, malësorë e mirditorë, u zhvillua Kuvendi i Rubikut me 1gusht 1912. Këtu morën pjesë të gjithë krerët e Mirditës, Kurbinit dhe përfaqsuesit e malësorëve. Dekumenti për Rubikun na thotë se; ’’… u lidh besa, që kryengritësit të sulmojnë Durrësin dhe aty të vendosej flamuri kombëtar e të shpallej autonomia e Shqiperisë.’’ Për këtë ekspeditë luftarake u mblodhen në Milot 400 luftetar të armatosur malësorë, mirditor e kurbinas. Ata çliruan krahinat njëra pas tjetrës duke u futur edhe brenda në Durrës. Por atje u tradhtuan nga Esat Toptani që vetë ai pati lidhur besen me to. Për pjesmarrjen e mirditorëve në këtë luftë të shenjtë dhe bashkëpunimin e tyre me malësorët luftarakë, kanë shkruar dy studiuesit e njohur katolikë të asaj kohe. Kështu, Dom Marin Sirdani sqaron se: ‘’Kapidani i Mirditës Marka Gjoni, i cili vetë u nis për në Kosovë, nisi 60 mirditorë me në krye kushrinin e tij Ndue Gjonin për t’u ardhë në ndihmë malcorëve.’’ Ndërsa Dom Ndoc Nikaj tek libri i tij ‘’Shkodra e Rrethueme’’, do të dekumentojë se; ‘’Kapedani Ndue Gjoni që gjindej me 60 mirditas në Bilaj, ishte kah shkonte në kushtrim me u ardhë në ndihmë malcorëve për të çliruar Durrësin.’’
‘’Në çeten e këtyne spartanëve, qi ranë fli ndër ditët e 15-16 gushtit, nsa zgjati luftimi- vazhdon shkrimin Sirdani, tek ‘’Malësorët Nënshkodrakë’’ (‘’H.i Dritës’’, 1938 f.372 ) ‘’kje; Kolec Marku, Gjok Doda, Zef Simon Harapi, Gjek Marash Haka, Marka Preng Dudi, Mark Përzefi, Preng Nikoll Gjeçi, Prel Deli Shala, Tom Gjugji.’’ Ndersa gazeta ‘’Liri e Shqiperisë’’ e Sofjes, duke komentuar këtë ngjarje, ato ditë shkruante se: ‘’Dishiri që me pa tue valvitë sa ma parë flamurin kuq e zi në pyrgun historik të Durrësit, i shtyni këto fatosa malesh meu mbledhë me qindra, të shterguem n’armë, e me i ra Durrësit, të tanë shpresë se do t’i kishin për vedi gjithë beslidhunit, por mjerisht qellimi i shejtë, qi i shtyni këto çeta spartane, këto sokola malesh me i ra turrshem anmikut, i shtypi, e shkatërroi, e fashiti trathtia e njaj pakice….’’ Në këto luftime të gushtit, plagoset rëndë edhe vetë udhëheqësi i kryengritësve, i quajtur nga shtypi i kohës ‘’Leonidha i Bregut të Mats’’ Llesh Nik Daka. Me gjithë përkushtimin, përkujdesjen e mjekimet e priftit patriot mirditor pader Pal Dodaj tek kisha e fretërve në Rubik, vdiq me 28 gush 1912 në këtë Kuvend të Shejtë. ‘’ Llesh Nik Dakës iu ba një funerak aq i madhnueshëm nga mirditorët, diten e varrimit, sa nuk i ishte ba kujt deri n’atë kohë’’. Ai u percuell për në banesen e fundit si hero dhe dëshmor i pavarsisë. Poeti ynë, Gjergj Fishta tek ‘’Lahuta e Malcisë’’ në këngën e fundit të librit të tij, evokon këto dëshmorë që dhanë jeten për pavarsinë e atdheut. Në poemen e tij liriko-patriotike shkrinë në një edhe vajtimin që bëri vajtorja prej Rubikut Mara e Pren Gjokës, në varrimin e trimit Llesh Nik Daka, ku, ndër të tjera poeti tregon; ‘’Por jetë shkurt Lleshi ish qellue/ e si u rrfy e u ligjue/ aty trimi ka mbarue,/ i kshtenë, po, nip i Skenderbeut;/ dalë ka aty fisnikja e dheut,/ me dorë ballin ç’po ia lemon,/ hollë e gjatë se ç’po e vajton.’’ Gjatë gjithë verës edhe pas ngjarjes së Durrësit, malësorët dhe mirditorët, në kuadrin e ‘’ të beslidhurëve’’ vazhduan aksionet luftarake kunder garnizoneve turke duke çliruar të gjitha krahinat e Mirditës dhe të Lezhës. Mirditorët dhe malësorët të bashkuar i priten me armë në dorë edhe pushtuesit serbo-malazez që në tetor të vitit 1912, u turren për coptimin e Shqiperisë. Menjëherë pas ngjarjes madhore historike të Vlorës, me 28 nëntor 1912, Paria e Mirditës, Kurbinit dhe malësorët e Bregut t’Mats, janë të parët në Shqiperinë e Veriut që me 1 dhjetor 1912, ngrenë flamurin kombëtar në Rubik të Mirditës. Nuk vonoi shumë, me 3 dhjetor 1912, ‘’Paria e krahinave të Lezhës, malësor e mirditor, ngrenë flamurin e Shqipnisë në Bashki e kështjellë para një mase të madhe njerëzish, do të shkruante ato ditë revista‘’Perparimi’’ ( 1914 f. 8)
Siç del, nga faktet e ngjarjeve të viteve të luftes për liri e pavarsi, u skalit dhe më tej miqësia e malësorëve me vëllezërit e tyre mirditorë. Aq sa edhe në vitet e pas pavarsisë, malësorët nuk shkuan ma me bjeshkua në Vermosh, por shumë fise vazhduan të veronin në bjeshkët e Mirditës, sipas miqësisë që kishin, pa paguar as taksë as travajë. Kjo, është një kujtesë që duhet vlerësuar e s’duhet harruar, sepse është një pjesë e historisë që nuk duhet të mbetet kurrë në harresë.