Mjekja turko-shqiptare që trajnoi shërbimet e urgjencës me 32 shtete

Nga
Sokol PAJA*
Dr. Esen Uysal mjekja turko-shqiptare në Izmir të Turqisë ka arritur të përfundojë me sukses dhe profesionalizëm të lartë trajnimin dhe kordinimin e Urgjencave me 32 shtete e mbi 1000 përfaqësues të këtyre shteteve. Në kohën që pandemia globale futi botën dhe sistemin shëndetësor në kolaps, shërbimit të emergjencës në të gjitha shtetet iu dha një rëndësi specifike trajnimi dhe përgatitjeje pasi emergjencat kishin një rol të madh pasi rastet më flagrante të të prekurve paraqiteshin në urgjencë. Dr. Esen Uysal shprehet për “Dielli”-n e “Vatrës” në New York se ka qenë një kënaqësi e madhe dhe një lumturi të punoje e trajnojë mjekë nga 32 shtete të botës. Ajo shprehet se kënaqësinë më të madhe e ka ndjerë kur ka punuar me kolegët shqiptarë që janë emrat më të spikatur të mjeksisë në Shqipëri dhe Kosovë. Dr. Esen Uysal tregon se në vitin 2014 Ministria e Shëndetësisë së Turqisë filloi trajnimet e Urgjencës Ndërkombëtare ku u përfshinë mjeke nga Shqipëria ku kanë ardhur 5 grupe me nga 20 mjekë. “Kolegët e mi nga Shqipëria e Kosova më kanë befasuar në të gjitha aspektet si mjekë profesionistë, si njerëz të mrekullueshëm, si njerëz të kulturuar, për të cilët do të ruaj gjithmonë respekt, vlerësim, dashuri e mirënjohje. Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë më ka dërguar letër faleminderimi çka për mua ka qenë nder i veçantë dhe vlerësim” kujton Dr. Esen Uysal. Pas grupit të mjekëve nga Shqipëria edhe Kosova ka dërguar 5 grupe mjekësh për trajnim. “Kam qenë e nderuar të punoj ngushtë me profesor Basri Lenjanin, Skender Brataj, Agron Dogjanin me të cilët patëm bashkëpunim të shkëlqyer, mendime për projekte të ardhshme se si mund të rrisim në një nivel më të lartë Shëndetësinë në Shqipëri e Kosovë, me staf më të përgaditur dhe të trajnuar. Mjekja shqiptare Dr. Esen Uysal përgjatë gjithë pandemisë Covid-19 ka qenë në kryesi të Komitetit Infektiv në qytetin e Izmirit në mbikqyrje të shërbimeve të ambulancës. Ajo shpjegon se detyra e saj dhe e Komitetit ka qenë që të vlerësojnë dhe të merren kryesisht në trajtim të nevojshëm specifikisht edhe të rasteve që nuk kanë qenë të infektuar me Covid-19 por që kanë pasur të nevojshme në mënyrë urgjente trajtimin shëndetësor si pasojë e sëmundjeve të tjera bashkëshoqëruese. Ajo ishte pjesë e Komitetit Infektiv në të cilin punonin 1200 specialistë të shëndetësisë si mjekë, infermierë, personel mjeksorë, personel ndihmës etj që vepruan intensivisht në përballje të pasojave nga Covid dhe ndjekjen e shëndetit të qytetarëve që kishin sëmundje të tjera. Ajo shpjegon se puna përgjatë pandemisë ka qenë tepër e vështirë. Përveç se ndiqej personi i sëmurë, ekipi i mjekëve ka mbajtur nën kontroll intensiv çdo pacient dhe madje e kanë ndjekur deri në familje në riaftësimin e shërimin e plotë të tij. Pas shpërthimit të pandemisë në Turqi, Dr. Esen Uysal shpjegon se autoritetet krijuan Bordin Shkencor, trajnuan stafet, botuan guidën në ndihmë të stafit mjeksor, u shtuan kapacitete mbështetëse, baza materiale dhe e gjithë puna ka qenë shumë e organizuar në shërbim të pacientëve dhe menaxhimit të pandemisë globale. Gjatë pandemisë në Turqi u krye hospitalizim pa probleme i pacientëve dhe gjithmonë kishte vende në spitalet turke me ventilator dhe ekipe shërbimi në këmbë ndaj pacientëve. Turqia përgjatë pandemisë formoi ekipe mjeksore për pacientët që e kalonin në shtëpi pa shkuar në spital Covid-19. Falë masave rigoroze të marra, Turqia e përballoi me shumë sukses pandeminë dhe Shërbimi i Shëndetësisë së Turqisë jo vetëm që nuk përjetoi kaos e kolaps si në vendet tjera, por dëshmoi se ishte një ndër shërbimet mjeksore më të mira në botë, arsyeton Dr. Esen Uysal. Ndikimi i Covid në psikologjinë e njerëzve është pa diskutim i rëndë dhe sipas Dr. Esen Uysal nevojiten masa emergjente nga institucionet përgjegjëse në mënyrë që shëndeti i njerëzve dhe popullatës të jetë më i sigurtë. Dr. Esen Uysal shpjegon se grupet shoqërore që përpara pandemisë kanë qenë psikologjikisht apo fizikisht në kushte jo optimale, pas pandemisë globale kanë qenë më të ekspozuar dhe më të rrezikuar nga sëmundjet mendore. Për shkak të ndryshimeve rrënjësore që solli pandemia, njerëzit do të përballen për kohë të gjatë me simptomat e ankthit, stresit post traumatik, humbjes së vetbesimit dhe depresionit si pasojë direkte Covid-19. Dr. Esen Uysal tregon se pandemia i bëri njerëzit më të përgjegjshëm për vetën dhe jetën. U kujtoi atyre vlerën e vërtetë që kanë njerëzit e afërt, familja e miqtë. Pandemia sipas Dr. Esen Uysal tregoi se para se ti qajmë njerëzit që na ikin, duhet të gjejmë kohën ti duam e ti respektojmë sa i kemi pranë nesh. Mjekja Dr. Esen Uysal me baba turk dhe nënë shqiptare ka një karrierë të gjatë në fushën e mjeksisë dhe të trajnimeve në fushën e urgjencave. Ajo ka kryer Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në janar të vitit 1992. Pas mbarimit të studimeve deri në vitin 1995 ka mbaruar specializimin e mjeksisë në departamentin e Sëmundjeve Infektive. Dr. Esen Uysal që prej vitit 1999 ka punuar si mjeke e Urgjencës në İzmir të Turqisë. Nga viti 2012 Dr. Esen Uysal ka punuar si Menaxhere e Standarteve të Cilësisë dhe kordinatore për trajnimet ndërkombëtare. Në tetor të vitit 2020 ajo doli në pension dhe merret në mënyrë aktive me projekte private trajnuese me Qëndrën e Trajnimeve në Kosovë. Në fund të prononcimit të saj për “Dielli”-n e “Vatrës”, Dr. Esen Uysal ka një thirrje dhe lutje për të gjithë shqiptarët e Amerikës dhe çdo shqiptar kudo në botë: “ Sa të mundeni përkraheni Shqipërinë dhe Kosovën, duajeni njëri-tjetrin kudo ku jeni, bëni investime në Kosovë e Shqipëri. Ndihmoni sektorin e shëndetësisë se keni ndihmuar shëndetin dhe sigurinë e jetës në atdheun tuaj. Të gjithë shqiptarëve kudo nëpër botë ju dëshiroj shëndet dhe jetë të lumtur” përfundoi për “Dielli”-n e “Vatrës” mjekja turko-shqiptare Dr. Esen Uysal.
*Gazeta Dielli, SHBA

SHKARKO APP