Mjeshtri Bledi Luzi, një ”mjek” për pianot
Ai thotë se ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve për degën: oboe. Prej 23 vitesh është instrumentist në Orketrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. “Gjatë kohës që isha student më lindi një dëshirë, ndoshta e fshehur, që të studioja për akordimin dhe riparimin e pianove. Duke ndenjur pranë mjeshtërve profesionistë, u dashurova pas tij dhe sot e vazhdoj si një profesion primar”.
Luzi pohon se ka qenë një fëmijë mjaft kureshtar dhe me këtë profesion është dashuruar që në momentet e para. Kur flet për punën që i duhet për të diagnostikuar “sëmundjen” e një pianoje, duket sikur zhvendoset në një tjetër dimension. “Sekretet janë disa por të rëndësishme janë përqëndrimi dhe përkushtimi maksimal. Janë procese pa fund për riparimin e një pianoje. Janë rreth 9600 detaje. Gjithçka është shumë e imët, si një ekuacion me shumë të panjohura, por është shumë e veçantë dhe e bukur”.
Për zanatin e tij për akordimin dhe riparimin e pianove ai ndihet si një kirurg që duhet të kujdeset për 9600 detaje. “Çdo piano ka sekretet e veta, obsione të ndryshme, në varësi të markës, modelit, vitit të prodhimit etj. Ndërkohë që problematikat janë nga më të larmishmet. Duke qenë se janë shumë procese, që lidhen me njëri-tjetrin, është e vështirë të gjesh se ku qëndron problemi me vetëm një të parë. Janë si damarët e një trupi, që janë të shpërndara, por edhe të lidhura me njëra-tjetrën”.
Ai tregon se më përpara pianot nëpër shtëpia numëroheshin me gishta por tani me ndryshimin e kohërave ato janë shtuar dhe ka një sërë të tillash me firma nga më të ndryshmet që gjenden në shtëpitë e shqiptarëve. “Më herët piano kishin vetëm muzikantët, kompozitorë, instrumentistë, që ua jepte institucioni apo Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Numëroheshin me gishta. Ndërsa sot kanë ndërruar kohët. Piano nuk kanë vetëm profesionistët por edhe amatorët, madje përdoren dhe për arredim. Dhe nuk i gjen vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”.
Luzi thotë se e ka me dëshirë të madhe, që këtë pasuri t’ia trashëgojë fëmijëve të tij. “Unë kam dy djem, të cilët kanë bërë kurse pianoje, jo për profesion, dhe të dy janë në hapat e duhur për vazhdimësinë e këtij zanati. Ata po e shohin edhe vet përkushtimin tim maksimal, përqëndrimin dhe transportimin në një botë tërësisht tjetër. Është si puna e një mjeku që duhet të bëjë ekzaminimet deri në qelizën e fundit, që të gjejë arsyen e sëmundjes. Deri tani shoh që jo vetëm janë kuriozë por edhe janë në hapat e duhur drejt këtij profesioni”.