Mjeshtri i aforizmave shqiptare
25 vjet krijimtari letrare me Halim Hasanin
Nga Sevdail Hyseni
Preshevë-Lugina e Preshevës, njeh krijues letrarë, të cilët tashmë kanë kapërcyer kufijtë lokalë, madje edhe nacionalë, duke bërë emër edhe në shkallë rajoni.
Përkundër vështirësive me të cilat përballet kultura shqiptare në veçanti në Luginë të Preshevës, e në përgjithësi në Serbi, qoftë në mungesë të fondeve, qoftë nga presioni politik, ajo po mundohet të frymoj shqip, meqë siç thuhet edhe në “gojë të ujkut!”
Disa nga krijuesit shqiptarë të kësaj krahine të bukur shqiptare në Serbi, jo vetëm që kanë arritur në vazhdimësi ta ruajnë, zhvillojnë dhe ta afirmojnë traditën e shkrimit shqip, por edhe kanë nxjerrë vlera letrare, të cilat paraqesin një thesar të çmuar në kalanë e letrave shqipe.
Në mesin e këtyre krijuesve, padyshim, zë vend meritor edhe bota e mendimit filozofik të aforizmit, Halim Hasani, nga Dobrosini i Komunës së Bujanocit, i cili për 25 vjet rresht, shkroi me dhjetëra libra me aforizma, publicistikë e zhanre të tjera të krijimtarisë letrare.
Dy mijë e katërqind Aforizmat e publikuar në librin e fundit, të autorit Halim Hasani, janë një thesar i pasur për kulturën shqiptare, një kontribut i çmueshëm për këtë fushë të artit, për ta çuar përpara traditën aforistike në historinë e letërsisë shqipe.
Por, kjo shifër nuk ndalet me kaq, rrugëtimi i shkrimit të aforizmit nga shkrimtari Halim Hasani, vazhdon për ta çuar numrin e tyre në tre mijë sish, për t’i përmbledhur, pastaj brenda kopertinave të një libri.
Korpusi letrar
Jo më pak se 25 vjet, iu deshën Halim Hasanit, që nga viti 1993, të publikoj, pesë libra me aforizma e disa të tjera nga fusha e publicistikës, duke shkrirë inspirimin, përvojën jetësore, nëpër këto mendime të larta filozofike.
Libri i parë i tij mban titullin “Aforizma të kohës”, që e pa dritën e botimit, në vitin 1993, për të vazhduar me librin e dytë “Dobrosini kështjellë e rezistencës kombëtare” ( 2003), më pas me “200 aforizma” (2005), “Në mes historisë dhe legjendës, Dobrosini, skicë monografike” (2006), “Aforizma bashkëkohor” (2008), “Yjet e lirisë” (2010), “Aforizma” (2010), “Fjalë nëpër kohë” (2012), “Ylli i vogël” (2012), “1021 aforizma” (20012), “Fjali pa mahi” (2013) dhe “Aforizma 2400” (2016), për të vazhduar me aforizma të tjerë, të cilët do të arrijnë lartësinë në 3000 sish.
Halim Hasani, vazhdon ta kultivoj, afirmoj dhe promovoj Aforizmin, për t’i dhënë letërsisë shqipe një frymë të re, një mesazh të qartë për këtë lëmi të artit krijues. Ai, nuk i ndahet kësaj gjinie letrare e cila e ka burimin te urtitë popullore, të sajuara nëpër shekuj. Është munduar autori, në aforizmat e tij, të ngërthej një mësim, një porosi, një këshillë të urtë, si dhe të jap një mesazh të qartë me vlera të mëdha njerëzore.
Nëpër këto aforizma, autori, ka përdorur ironinë, alegorinë, metaforën, krahasimin, të cilat i bëjnë ato më të këndshëm për lexim dhe më të gjata në komentim. Nëpër këto aforizma, gjithashtu, lexuesit gjejnë eksperiencën e jetës dhe sfidat e saj, do të gjejnë mjaft sekuenca jetësore, ku vetë do të shohin sa kënaqësi dhe krenari fshihet pas këtyre thënieve filozofike, të cilat në vete përmbajnë: fisnikëri, humanitet dhe sa njerëzore dhe madhështore është porosia e tyre. Duke lexuar, aforizmat e këtyre librave, gjithsesi se do të ndjeni çlodhje fizike e shpirtërore nga problemet e përditshme, duke u relaksuar dhe motivuar për veprime të reja.
Përvoja krijuese
Aforizmat e Halim Hasanit, i kalojnë kufijtë rajonalë, duke pasuruar mendimin filozofik shqiptar dhe duke i dhënë atij, një formë dhe një frymë të re.
Hysen Këqiku, një kritik letrar nga Anamorava e Gjilani, duke shkruar për aforizmat e Halim Hasanit, mes tjerash, spikat, se janë “vepra me vlera të pakontestueshme edukative, e që kapin një gamë të gjerë ngjarjesh, dukurish a fenomenesh”.
– Unë them se me këto pesë libra me Aforizma, Halim Hasani, kapërcen kufijtë e rajonit të Kosovës Lindore, duke u bërë një krijues me shtrirje gjithëkombëtare, në pasurimin e mendimit filozofik, vazhdon kritiku letrar Këqiku.
Kujt i ka rënë në dorë ndonjë nga pesë librat e autorit me Aforizma, s’ka se si të mos i lënë përshtypje ato mendime të arta, të dalë nga shpirti mendimtar i këtij krijuesi, me përvojë të gjatë në fushën e shkrimit shqip.
Aforizmat e Halim Hasanit e kanë burimin te urtit popullore, të sajuara nëpër shekull. Ato në vete ngërthejnë një mësim, një porosi, një këshillë të urtë. Në këto krijime shkurt e shqip, jepet një mesazh i qartë me vlera të mëdha njerëzore.
Për librat me Aforizma të Halim Hasanit, kanë shkruar edhe kritikë të tjerë letrar, të cilët e kanë çmuar lart artin e të shkruari të aforizmit, të autorit nga Lugina e Preshevës, në gjetjen, mbarështrimin e shtjellimin e temave, duke i shndërrimin në aforizma produktiv, të këtij zhanri deficitar për artin shqiptar.
Le të dihet
Halim Hasani, lindi, më 22 dhjetor të vitit 1957, në Dobrosin të Komunës së Bujanocit.
Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollimin e lartë pedagogjik, Dega Histori dhe Gjeografi në Gjakovë. Pas mbarimit të shkollimit të lartë angazhohet arsimtar i historisë në shkollën e fshatit e cila e mbanë emrin e Sami Frashërit, ku vazhdon edhe sot ta jap kontributin e mësimdhënësit.
Me veprimtari letrare merret që nga vitet e 90- ta.
Halim Hasani, jeton dhe vepron në Dobrosin (Lugina e Preshevës), duke u marrë me shkrime letrare dhe është në përfundim të hartimit të aforizmit me numër rendor 3000.
………………………….
Aforizma nëpër kohë
- Bleta kërkon nektarin, shkrimtari thesarin!
- Peshorja e gabimeve historike është shekulli!
- Kush e humb kohën kot, herët a vonë qanë me lot!
- Pa një të kaluar të sakrifikuar, nuk ka të ardhme të lumtur!
- Gjithçka lind nga embrioni, ec rrugës së revolucionit!
- Nëse je i dobët, atëherë radhën e ka kurrizi të brengoset!
- Nëse në politikë nuk je dinak, për fat të keq nuk je diplomat!
- Kur hyn rrugës së suksesit, kurrë mos e shiko rrugën e piramidës!
- Arti as nuk ka majë as fund!
- Dashuria është si plumbi me dritë, kujt i mungon kujdesi, derën ja fikë!