Mjeshtri i argjendit, që punon me veglat e gjyshit (VIDEO)
Artizanët vazhdojnë të reduktohen vit pas viti, por në Pazarin e Vjetër të Korçës ka ende nga ata që e kanë trashëguar mjeshtërinë dhe e ruajmë atë me fanatizëm.
Stavri Lego është një argjendar, i cili e trashëgon profesionin prej tre brezash. Prej gjysmë shekulli ai ushtron këtë profesion, të cilin e ka mësuar në fëmijëri, kur shkonte në punishte me të atin. Edhe sot e kësaj dite ai punon me veglat e gjyshit dhe të atit për t’u dhënë formë bizhuterive.
“Vinim nga shkolla dhe pasditeve unë vija rrija me babanë, nga i cili kam mësuar edhe zanatin. Veglat me të cilat punoj janë të vitit 1947, të trashëguara brez pas brezi dhe unë do të përpiqem t’ua kaloj edhe fëmijëve të mi, nëse do të kenë zell për këtë punë”, tha Lego.
60-vjeçari kujton se sa shumë çmohej puna e artizanit, ndërsa sot zanati i tyre vlerësohet pak. “Të rinjtë nuk kanë zell të punojnë në një zanat të tillë, që kur hyri teknologjia në mes. Por ky dyqan është i domosdoshëm dhe ne zanatçinjtë duhet t’ua lëmë në trashëgimi fëmijëve tanë”, deklaroi Stavri Lego. Fanatikët e ruajtjes së traditës si ky 60-vjeçar janë të paktë dhe mjeshtërinë e tyre shumë pak arijnë t’ua përcjellin edhe fëmijëve. /Top Channel/