“Mjeshtri i Madh”, Sandër Ruçi sjell “Pikante” në Teatrin “Migjeni” për të tamëltuar shpirtin shkodran me humor dhe këngë

Foto nga Ramazan Çeka, nga premiera e Pikante qe u shfaq ne Migjeni (7)
Foto nga Ramazan Çeka, nga premiera e Pikante qe u shfaq ne Migjeni (7)

Nga Albert Vataj
“Pikante” nuk erdhi në jetën artistike të Shkodrës thjesht si një shfaqje me humor dhe muzikë, por si një ngjarje shpirtërore që i’a behu për t’u bërë pjesë e harmonishme e dinamizmit të veprimtarisë kulturore të Shkodrës, si një freski e gjallë e kujtesës dhe një shenjë e rilindjes. Ajo solli me vete aromën e humorit të pastër dhe tingujt e këngës së ngrohtë, duke i dhënë qytetit jo vetëm një rikthim tek rrënjët e artit, por edhe një ridimensionim të asaj çka Shkodra përfaqëson në thelbin e saj, një kryeqendër të pashterrshme të kulturës dhe të bukurisë shpirtërore. Nëpërmjet kësaj shfaqjeje u manifestua përmes një pritjeje plot ovacione, një akt i dyfishtë, ruajtja e një trashëgimie që është thesar i përjetshëm dhe shpërfaqja e brezave të rinj që mbartin flakën e korifenjve, duke e kaluar atë si një pishtar nëpër kohë dhe gjenerata, për të fuqizuar statusin e Shkodrës si një tempull arti.

Sandër Ruçi, një nga figurat më sopikature të humorit shkodran, mbetet emblemë e një plejade të artë që ka ngjizur e përjetësuar historinë e një prej traditave më krenare të qytetit, humorin e tij fisnik e të hollë. Me kthimin nga Amerika, ai solli jo vetëm praninë e tij, por një ndriçim të ri, një rizbukurim të Shkodrës, një përqafim të publikut me spektaklin, festën dhe të qeshurën që shëron. Duartrokitjet që mori ishin më shumë se mirënjohje, ishin dëshmi se Shkodra jeton në art dhe për art, se ky qytet ka qenë, është e do të mbetet një tempull i gjallë i skenës, një vatër ku arti i vërtetë nuk shuhet kurrë, por rilind e përtërihet me çdo brez.

Shfaqja “Pikante”, e ngjitur në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, u shndërrua në një festë të gjallë shpirtërore, ku humori, muzikaliteti dhe satira u bashkuan për të rigjallëruar një traditë të rrënjosur thellë në zemrën e qytetit. Si një premierë e veçantë, ajo erdhi për të mbushur sallën me dritë dhe të qeshura, duke i dhënë publikut shkodran dhe mysafirëve të saj, kënaqësinë e një takimi me artin e mirëfilltë.

Nën autorësinë dhe regjinë e “Mjeshtrit të Madh” Sandër Ruçi, një prej ikonave të humorit dhe skenës shqiptare, “Pikante” u realizua me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe produksionit “Sandri Company”. Ruçi, me finesën e tij të njohur, ndërtoi një mozaik situatash komike dhe batutash therëse, ku realitetet e përditshme u shpalosën me syrin kritik të artistit, por gjithmonë të mbështjella me velin e ngrohtë të humorit.

Personazhet e larmishëm dhe skenat plot gjallëri krijuan një ndërthurje të hollë mes satirës dhe ndjeshmërisë, duke gjetur jehonë të natyrshme në zemrat e spektatorëve. Çdo skenë ishte një pasqyrë ku publiku shihte vetveten dhe komunikonte gjallërisht me skenën, dhe çdo batutë ishte një kujtesë e ëmbël e realitetit të përbashkët.

Sandër Ruçi, një emër i skalitur në kujtesën e teatrit shqiptar, solli në “Pikante” jo vetëm përvojën e gjatë dhe mjeshtërinë e tij regjisoriale, por edhe një ndjeshmëri të hollë ndaj ritmit të humorit, asaj vale të brendshme që e bën publikun të qeshë e të mendojë në të njëjtën kohë. Me dorën e tij të sigurt, Ruçi arriti të nxjerrë në pah ato të vërteta të vogla, të përditshme, që shpesh mbeten të pathëna, por që na përkasin të gjithëve.
Ky event, edhe pse mbeti kryesisht i përjetuar brenda kufijve të Shkodrës për nga mediatizimi dhe jehona publike, pati një domethënie shumë më të thellë, ai ishte një dëshmi e fuqishme se arti nuk matet me sa hapësirë zë në kronikat e zhurmshme apo në klikimet e propagandës digjitale. Ai matet me përjetimin e publikut, me duartrokitjet që ngrihen si një valë falënderimi, me gëzimin dhe reflektimin që mbeten brenda shpirtit të spektatorëve edhe pasi dritat e skenës shuhen.

Në fund, “Pikante” tregoi se arti është gjithmonë vepër e artistëve, e përkushtimit dhe pasionit të tyre, dhe jo një produkt i marketingut të rastësishëm. Teatri “Migjeni” u bë sërish dëshmitar i kësaj të vërtete, duke rikthyer besimin se Shkodra mbetet jo vetëm djep i humorit dhe kulturës, por edhe një qendër ku arti gjallon me dinjitet dhe shpirt.

Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se jo të gjithëve u pëlqejnë “pikantet”. Ka nga ata që shijen e artit e matin me shtrirjen e thjeshtë të buzëqeshjes, jo me thellësinë e mesazhit që ajo mbart. Dhe pikërisht këtu qëndron veçantia e kësaj shfaqjeje: “Mjeshtri i Madh”, Sandër Ruçi e solli “Pikanten” si një ushqim të pasur e të shëndetshëm për shpirtin, një përzierje të hollë humori e kënge që jo kushdo mund ta shijojë, por që ata që dinë të ushqehen me artin e vërtetë, e ndjejnë si nektar jetëdhënës.

Kjo shfaqje nuk ishte një argëtim kalimtar, por një ofertë e guximshme që e vendos humorin dhe këngën në piedestalin e merituar, si dy kolona madhështore mbi të cilat ngrihet tempulli i artit shkodran. Dhe për ata që dinë të shohin përtej sipërfaqes, “Pikante” mbetet një thirrje për t’u rikthyer te thelbi: arti nuk është vetëm zbavitje, por ushqim i mendjes dhe balsam për shpirtin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?