Momenti i Robin Williams

Ishte viti 1989 dhe një profesor vizionar, e i dashuruar me Shekspirin u ngrit në këmbë mbi tryezë, për t’i kujtuar vetes dhe nxënësve të tij, se duhet që gjithmonë t’i shohim gjërat nga këndvështrime të ndryshme. “Pikërisht atëherë kur mendoni se e dini diçka, duhet ta shihni nga një tjetër pikëvështrim. Ngjituni lart bashkë me mua. Duhet ta provoni, bijtë e mi, duhet të luftoni për të gjetur zërin tuaj. Sa më vonë që të filloni, aq më i madh është rreziku që të mos e gjeni fare. Mos u dorëzoni. Guxoni të ndryshoni. Kërkoni rrugë të reja”.

Profesor Keating, alias Robin Williams u bënte thirrje studentëve që të rroknin momentin, të kultivonin ëndrrat e tyre, ta fusnin jetën e tyre në binarët e përzgjedhur në mënyrë autonome dhe jo të imponuar nga të tjerët. Vetëm një tjetër vizionar, si Steve Jobs, do të përsëriste 16 vjet më vonë atë emocion në mendjet e studentëve, në një fjalim tejet karizmatik, këtë herë jo të një heroi të letërsisë, por një menaxheri që sfidonte të rinjtë që të dëgjonin historinë e tij të suksesit, me fjalinë e famshme: Jini të uritur, jini të “çmendur”.

Ka filma që ndryshojnë jetën e atyre që i realizojnë dhe atyre që i shohin, dhe “Shoqëria e Poetëve të Vdekur” që regjisori Peter Weir e vendos në një kolegj të zymtë të Vermontit në vitet pesëdhjetë është një prej tyre, edhe pse ndonjë kritik i gjithëditur i kohës e ka quajtur si shumë të sheqerosur (“Isha kaq i prekur, sa në fund doja të villja”, shkruante atëherë Roger Ebert).

“Kishte diçka që i shpinte njerëzit përtej vetë filmit”, paralajmëronte menjëherë aktori kryesor, Robin Williams. “Kisha vënë re që kishte diçka në ajër, sepse gjatë xhirimeve të skenës së fundit, ajo ku të rinjtë hipnin mbi banga për të përshëndetur profesorin, një prej kamionistëve të trupës së xhirimit, një tip plot me tatuazhe, nisi të qajë si një viç”, ka thënë aktori. “Shoqëria e poetëve të vdekur” flet për pasionin dhe kreativitetin dhe, siç rrëfente Williams, prekte njerëzit që kishin fatin ta ndeshnin në rrugën e tyre.

Edhe vetë puna me filmin ishte një eksperiencë mbushëse, me të rinjtë e përzgjedhur nga regjisori që jetonin me Robinin, i cili falë pasionin të tij të gjatë për teatrin dhe përvojës në komedi, improvizonte të paktën 15 % të batutave. Edhe skena e famshme e Shekspirit ishte propozuar dhe më pas improvizuar nga ai vetë. “Të punoje me të ishte e mrekullueshme”, ka thënë regjisoroi Weir. “Mendoj që çdo artist duhet të ketë një çikë pasiguri”.

Dhe Robin kishte shumë pasiguri. Pavarësisht se kish lindur në një familje të fortë dhe të kamur në Çikago, studimeve të mira dhe një talenti të jashtëzakonshëm si aktor, ka qenë gjithmonë i munduar prej dyshimeve mbi veten dhe potencialin e tij, një rast i rralë i mungesës së vetëvlerësimit mashkullor. Bipolar, viktimë e alkoolit dhe drogave për periudha të gjata të jetës së tij, edhe pse edhe në momentet më të errëta nuk e humbiste ironinë dhe gjente rrugëdalje përmes batutave alla Woody Allen: “Kokaina është mënyra e Zotit për të të thënë se po fiton shumë para”.

Në kinema ka luajtur shpesh role personazhesh udhëheqës, profesorë, apo psikologë si në rastin e Gjeniut rebel që i dha edhe Oscar-in. Apo Miss Doubtfire, që në vitin 1993 i parapriu epokës së baballarëve të rinj, e luajtur në binarin e komikes pop dhe forcës së interpretimit, dhe ku dhimbja e Williams mbetet në zemër.

“Ndodh në jetë që të jemi mësues të mirë, edhe pse mua më ndodh më shpesh në ekran, por që më pas të mos jesh në gjendje të zgjedhësh rrugën e duhur për veten tënde”, ka rrëfyer ai në vitin 2004, duke zbuluar varësitë e tij dhe demonët e aktorit dhe njeriut.

Edhe pse atëherë ishte zyrtarisht mirë. Më pas erdhi diagnoza e Parkinsonit dhe sëmundjeve të tjera neurodegjenerative. Dhe pak kohë më pas, në gusht 2014, Robin iku nga kjo botë, ndoshta i vetëvrarë, ndoshta i mbytur nga palumturia e tij prej komiku të trishtuar. / Përgatiti: bota.al

SHKARKO APP