Motive poetike suedezo-shqiptare nga Ullmar Qvick
Ullmar Qvicku, intelektual dhe studiues i shquar suedez, njohës i përkryer i gjuhës shqipe, autor ”Fjalorit Suedisht Shqip”, është edhe poet, që, madje, shkruan poezi edhe në gjuhën shqipe. “I dashuruar 70 vjët më parë me Shqipërinë nëpëmjet Radio Tiranës ,- thotë sot Qvicku 84-vjeçar,- nuk u ndava kurrë nga atdheu juaj”. Këtë dashuri, veç të tjerash, e dëshmojnë edhe poezitë që po botojmë, me motive suedezo-shqiptare.
Skifter Këlliçi, Boston, SHBA
FATET SHQIPTARE
Fidanëve të tyre ata ju apin emra shpresëdhënëse,
Ah, nëse do të rriteshin fëmijët gjithmonë si e duan prindërit!
Fatet shqiptare, sa të rënda, sa tragjike, sa të pakuptimta,
si ironi therëse në imagjinatën e sëmurë të xhelatit!
Fatet e njerëzve në kohën e dhunës, e diktaturës,
u bënë sikur jeta luan shah me dreqin!
U vra Lumnia kosovare dymbëdhjetëvjeçare
gjatë sulmeve të armikut serb.
Në Tropojë një plumb e shpoi trurin e Fatmirës 17-vjeçare,
Pas një jave u çlirua nga vuajtjet dhe ndërroi jetë në spital.
Lumi i vogël vdiq nga kanceri – ai do të kujtohet përgjithmonë,
Përmes fjalëve të babait vjershëtar.
Sot lindi dielli i ri, po zhduket koha barbare, koha e zezë,
Liridona zgjedh profesionin e vet dhe djalin që i don zemra…
Gëzimi shërohet nga sëmundja e rëndë dhe bëhet sportist i dalluar,
Lavdimi gjyqtar i respektuar, i drejtë, lufton kundër korrupcionit,
Vjollca në Kllokot jep masazh të mirë me duar të forta dhe të buta,
Lulëzimit, shokut të saj të punës, i çelet dita me bekimin e pacientëve….
Fatet shqiptare në ditët tona të paqes,
Le të bëhen si dielli që ndriçon mbi fushat tona të lumtura!
Le të bëhen si shiu i butë, që po presin bimët,
Le ti japin forcë dhe nam emrit shqiptar nëpër botë!
Le të rriten lule bjeshe dhe pyje të dendura që mbulojnë plagët,
Le të çrrenjosin fjalët e kobshme nga shpirtrat dhe zemrat e lënduara…
(Më frymëzuan fatet e pesë personave realë, ndërsa tre janë nga imagjinata ime.)
Norrköping, Suedi, 13 maj 2010.
KOHA MODERNE!..
Vellot e mistikës së lashtë u grisën në kohën moderne,
Vajza e valeve në estradë këndon ”Ring Ring” dhe ”Gimme gimme”,
Ismail Qemali shkoi në Bruksel për bisedime në Bashkimin Evropean,
Por udhëtimi i tij përfundoi në Ëaterloo,
Dhe gjuha mbushet me Lux, Mix dhe Sex
Dhe Gjergj Elez Alia dergjet që nëntë vite përpara kompjuterit,
I braktisur nga motra, që merret me argetimin e turistëve,
Xhuxhi dhe shkurtabiqi grinden keq në parlament,
Zana lexon përalla për fëmijët në bibliotekë,
Dhe Shtojzovallet kanë hapur një institut masazhi.
Është koha e varfërisë së vërtetë,
Më e rëndë se koha e skamjes, urisë.
Esat Pasha dhe Enver Hoxha u bashkuan në tregun e drogave,
Dhe thurin plane për zhvillimin e islamizmit terrorist,
Nga malet dëgjohet zëri i një fyelli,
në dorën e bariut të fundit malësor.
NGUSHËLLIMI
Në dhomën e pritjes të prindërve të mi,
Ora kishte ndaluar qëmoti,
Mbeteshin akrepat pa lëvizur në një vend,
Dhe ora rrinte kot së koti.
…..Vëllau im e trashëgoi këtë orë,
E bukur i rrin mbi mur,
Prapë nuk punon, kështu që i thashë:
O vëlla, kjo orë dy herë, natë e ditë,
Shënoka kohën e saktë!
Kurse të tjerat për disa sekonda gabim,
Me kohën kurrë nuk janë me takt!
VARRI ËSHTË PAJTIMI, QIELLI ËSHTË SQARIMI
Një herë u futa në zemrën e dreqit,
Zemra ime u mbush me iluzione,
Një herë u futa në shpirtin e dreqit,
Shpirti im u mbush me ndyrësi.
Me neveri kuptova se kjo rrugë ështe e gabuar,
Prapësëprapë, diçka më mbeti nga djallëzia
e zemrës dhe shpirtit të tij.
Që atëherë kërkoj mëshirën e Zotit,
Pa iluzione, ndyrësi dhe mashtrime,
Më mbetet vetëm të derdh gjak, djersë dhe lotë…
Të mundohem pareshtur,
Engjëjt më kanë premtuar se do të më shpëtojnë,
Si njëherë Faustin e Goethes…
Po më tregojnë:
Do të zhduken shqetësimet e botës për paqen që mbetet,
Varri është pajtimi, qielli është sqarimi…
BURRË DHE GRUA
Lëndinë e bukur ku pushoj,
në bar të butë dhe erëmirë,
është trupi yt plot hijeshi,
më mbush me ëndje dhe dëshirë.
Në çast u dogj kjo flaka ime,
dhe sytë e tu porsi burime,
pohuan zbavitje edhe gëzime,
si mrekulli, si ëndërrime.
O, këto çaste përqafimi,
të nxehtë porsi një fllad jugor,
me puls të jetës më rrethojnë,
dhe ndjej atë përjetësim rinor….
E dashur, motër je e fshehtësisë,
e dhimbjes edhe gazit zanafillë,
Me adhurim të shkruaj këto fjalë,
se vetëm ti parajsën më ke sjellë.
15 dhjetor 1995
ËSHTË DASHURI, PO SI
Kafshë gëzueshëm vrapojnë në radhë,
secili me një zemër të dridhur në gojë,
ështe dashuri, po si!
Mbi fushat e gjera të borës po rriten,
trëndafilat e kuq më të mrekullueshëm,
është dashuri, po si!
Plaku shkon me mbesën e tij përdore,
dhe një tufë vjollcash vendos në hyrje të Gjykatës së Lartë
është dashuri, po si!
Duke lexuar gazetën e mëngjesit,
Nexhati hidhet në këmbë dhe puth gruan e tij të përgjumur,
është dashuri, po si!
Në mes të turmës së njerëzve Përbindhëshi
takohet me të Bukurën e Dheut – dhe ajo i buzëqesh,
është dashuri, po si!
Në këtë botë me ankth dhe vuajtje prapë takohen
kafshë dhe zemra, trëndafila dhe bore,
Kjo është, po si, për mrekulli!