Moulin Rouge, shfaqja e baletit zbret sonte në Amfiteatrin e Tiranës
Edhe pse është verë dhe mendja mund të na shkojë te plazhi, në kryeqytet ka plot aktivitete për të gjithë artdashësit dhe jo vetëm. Për të gjithë ata që duan të kalojnë një ditë ndryshe te Amfiteatri i Liqenit të premten do të organizohet eventi “Takohemi në Moulin Rouge”.
Ky event kërcimi organizohet nga shoqata “ZUMBA ART” në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Ky spektakël do të sjellë në Tiranë plot kërcimtarë elitarë, të cilët do të performojnë numrat më brilantë nga arti i kërcimit si: “Zhizel”, “Liqeni i Mjelmave”, Ëndrra e një nate vere”, etj.
E premtja në kryeqytet do të jetë një natë e mrekullueshme nën tingujt e muzikës dhe nën interpretimin e shumë kërcimtarëve. Pse jo, një natë ku të gjithë mund të ftojmë dikë për të kërcyer së bashku tek Amfiteatri në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Nga një karakatinë e degraduar dhe e lënë në harresë për shumë kohë, amfiteatri i Parkut të Madh të Liqenit rezultoi një prej investimeve më të goditura të Bashkisë së Tiranës, i cili u kthye edhe këtë vit në një nga pikat më tërheqëse dhe më të gjalla të Tiranës.