“Mrika”, 60 vjet më parë në Teatrin “Migjeni” u vu në skenë Opera e parë shqiptare

60 vjet më parë në qytetin e Shkodrës u shfaq për herë të parë Opera e Parë shqiptare, “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova.

“Mrika” – krijimi i së cilës i përket datës 1 dhjetor të vitit 1958 –  ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Opera “Mrika” ka dalë si trashëgimi vlerash nga të mëdhenjtë e qytetarisë shkodrane si; Palok Kurti, Lec Kurti, Kardinal Mikel Koliqi, Pader Martin Gjoka, Shuk Shllaku dhe ka vazhduar kjo traditë të prodhojë të lartë të tjerë të muzikës si Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Tish Daija, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani, deri te shkodranët e ditëve të sotme.

“Mrika” mishëroi ëndrrën e të gjithëve, por sidomos artistëve shkodranë me në krye të madhin Prenkë Jakova që dhe Shqipëria të kishte operan e saj. Kujtimi i një plejade të tillë, e cila arriti një sukses të madh të kohës e që vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një kujtim gati legjendë për realizimin e veprës operistike është një detyrim moral i ditëve të sotme.

Patjetër që mbas kësaj vepre kanë dalë vepra të tjera, por kjo është pionierja e gjinisë së operas dhe njerëzit e saj, po ashtu janë pionierët e fillimit të muzikës së madhe që na bashkonte me botën e qytetëruar.

No automatic alt text available.

Kush ishte Prenk Jakova?

Mjeshtri Jakova u lind më 1917 në një familje qytetare me prejardhje nga Gjakova, i biri i Kolës së Dedë Jakovës. Gjyshi i tij, Deda, qe i dhënë pas muzikës dhe i binte klarinetës në Kolegjin Saverian. I ati, Kola, qe pjesëmarrës dhe organizator në frontin e Luftës së Koplikut. Prenka kishte edhe dy vëllezër, Dedën dhe Çeskun, që do të bëheshin fotograf dhe muzikant përkatësisht.

Jakova ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 dhe më pas vijoi në liceun “Illyricum” në qytetin e lindjes, ku ndër të tjerë i dha mësim edhe Át Martin Gjoka. Gjatë shkollimit të mesëm, kaloi nga liceu në gjimnazin e përgjithshëm të Shkodrës, të cilin e kreu më 1935. Gjatë shkollës qe anëtar i bandës së shkollës dhe me nxitjen e të atit nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia. Më tej banda e shkollës u shndërrua në bandën e qytetit dhe Jakova qe klarinetisti i saj. Gjatë kësaj periudhe Jakova nisi të shkruante motive muzikore mbështetur në motivet e këngëve popullore të mirënjohura, ndër të cilat; “Delja rude”, “Hajredini”, “Besa” e një trimi dhe “Shkoj e vi flutrim si zogu”.

Kur qe 18 vjeç u caktua drejtor artistik i bandës së shkollës, ku luanin asokohe të vegjlit Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni dhe kompozitorë të tjerë të ardhshëm shqiptarë. Jakova nisi të kompozojë marshe dhe kantata. Më 2 janar 1936 u dërgua që të jepte mësim në Bërdicë, ku dha mësime muzike dhe për vete mësoi kitarën. Përgjatë verës së 1939 bleu një fizarmonikë dhe mësoi t’i binte edhe asaj; vjeshtën e po atij viti u caktua që të jepte mësim në internatin e Oroshit, ku shkroi një pjesë muzikore për fizarmonikë të titulluar, “Malli” dhe më pas “Fyellin e bariut”. Më 1940 Jakova u transferua në Shkodër, ku shkroi pjesë muzikore për fëmijë dhe operetën me dy hapje “Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve”. Vitin shkollor 1941-42 Jakova u caktua që të jepte mësim në Katërkollë të krahinës së Krajës, sot në Mal të Zi. Më 1942 shkoi të studionte klarinetë në Akademinë Kombëtare të Shën Çiles në Romë, studime që i përfundoi shkëlqyeshëm. Fundi i vitit 1944 e gjeti Jakovën mësues po prapë në Shkodër, më tej e morën për të ndihmuar në aktivitetet që bënte kori i Brigadës I Sulmuese në Shtëpinë e Rinisë, ku Jakova u caktua përgjegjës. Në atë periudhë Prenka u arrestua dhe u mbajt në hetuesi për shkak të vrasjes së vëllait të tij, duke luftuar kundër partizanëve komunistë. Me grupet e amatorëve, instrumentistëve, solistëve dhe korit që kishte në patronazh, Prenka dha shfaqje jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ulqin, Cetinjë e Titograd.

Pas “Mirkës”, Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika”, e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës, por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve. Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.

Prenk Jakova ishte një artist i madh, që me gjithë tragjedinë dhe dhembjen që kishte arriti të mbijetonte dhe të shkruante, duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.

Me gjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë vehten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë. / a. gjergji/

SHKARKO APP