Musine Kokalari si figurë frymëzuese, stërmbesa: Qëndroi deri në fund ndaj agresionit komunist

“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”

Kështu shkruante në mbrojtjen e saj përpara gjyqit, Musine Kokalari. Ishte 29 vjeç kur gjyqi politik e dënoi me 20 vite burg për idetë e saj, duke parashikuar kështu atë që do të ndodhte më pas edhe me intelektualët e tjerë shqiptarë nën regjimin komunist. E shkolluar fillimisht në institutin ”Nëna Mbretëneshë” ajo përfundoi me rezultate të shkëlqyera në La Sapienza. Musine Kokalari ishte shkrimtarja e parë grua në Shqipërinë patriarkale të kohës, dhe arriti të botonte 3 libra.

Si një intelektuale e shkolluar në perëndim, ajo nuk mund të rrinte mënjanë gjatë luftës së dytë botërore. Në vitin 1943 së bashku me disa intelektualë të tjerë, krijoi Partinë Social Demokrate. Pikërisht për këtë Musineja do të arrestohej dhe vuante 18 vite në burgun e Burrelit. Pas burgut u internua në Rrëshen, ku punoi në ndërmarrjen komunale dhe në ndërtim deri sa u sëmur nga kanceri e ndërroi jetë pasi ju mohua kujdesi shëndetësor.

Musine Kokalari u përcoll për në banesën e fundit, vetëm nga dy punëtorë të bashkisë më 13 gusht 1983. Linda Kokalari, stërmbesa e Musine Kokalarit thotë se ajo është një figurë frymëzuese jo vetëm për femrat por të gjithë shoqërinë pasi edhe përballë ndëshkimeve nga komunistët nuk shkeli mbi dinjitetin e saj. ”Është frymëzim për rininë e sotme. Jo vetëm që ishte politikane dhe udhëhoqi burra. Ajo që e bën të veçantë është qëndresa ndaj sulmeve, burgut dhe punës në ndërtim pa u ulur kokën, pa e humbur dinjitetin dhe integritetin. Nëse do të futej në kurrikulat mësimore atëherë frymëzimi i Musine Kokalarit do të bëhet i prekshëm”, u shpreh Linda Kokalari.

SHKARKO APP