Muzat e panjohura të shkrimtarëve “seriozë”: Letërsia shqipe, një nga më të varfrat për histori dashurie
Pakkush e di kush ishte gruaja e Naim Frashërit apo vajza që frymëzonte Haki Stërmillin, fytyrën e Eugjenisë së Andon Zako Çajupit apo trishtimin e Brojkës së Migjenit … Cilat ishin muzat e shkrimtarëve tanë dhe pse mungojnë biografitë ndryshe të autorëve…
Haki Stërmilli, burri me vështrimin e thellë, veshur me kostumin e zi, shfaqet elegant në fotot e mbetura në kohë. Në historinë e letrave shqipe ai është një ndër personazhet më interesante për vetë profilin që ka, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në kapërcyell të viteve 1923-1924, partizan në Luftën e Dytë Botërore, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor, mbrojtës i të drejtave të grave në shtyp dhe autor i një prej veprave më të rëndësishme të fillesave të historisë sonë letrare “Sikur t’isha djalë” (1936).
Historia e Dijes, vajzës jetime të mbuluar me ferexhe që zbulon papritur dashurinë, e cila hap tek ajo dëshirën për ta parë botën ndryshe nuk mund të ishte thjesht një përfytyrim i aktit të krijimit. Stërmilli analizon me këtë personazh botën femërore, duke treguar kushtet e vështira në të cilat jetonte femra shqiptare para Luftës së Dytë Botërore. Ai e bën Dijen të shkruajë ditar, duke treguar aty jo vetëm dëshirat e fshehta për Shpendin, por dhe dëshirën e saj për të mësuar për të jetuar në një botë më të lirë. Kritika shqiptare ende nuk i ka dhënë Dijes vendin e duhur në galerinë e pafund të personazheve të kësaj letërsie, ku ajo vijon të shfaqet e ndrojtur. Por teksa flasim për Dijen ne shohim se sa pak dimë për jetën e burrit që i pëlqente të vishej bukur, Haki Stërmillin. Në një histori letërsie, e cila deri atëherë ishte më shumë një sprovë, ai shfaqet si autor i disa romaneve. Ajo çfarë dimë për Stërmillin janë titujt e veprave që ka shkruar. Ne nuk dimë se kush ishte “Dija” e tij, në ishte i martuar apo ndonjë vajzë me të njëjtin emër e torturonte nga pamundësia për t’u takuar lehtë.
Historia e letërsisë shqipe është një nga më të varfrat sa u përket historive të dashurive, letrave apo qoftë dhe ndarjeve. Në asnjë letërsi shkrimtarët nuk shfaqen kaq seriozë, si qenie perfekte të zhveshur nga veset. Pas viteve ’50, vetë sociorealizmi i përjashtonte histori të tilla në jetë e jo më në letërsi. Por nëse hidhemi sërish para në kohë e kemi të vështirë të përfytyrojmë se cila mund të ketë qenë gruaja e Naim Frashërit, një prej intelektualëve më tërheqës të Perandorisë Osmane. Apo çfarë e trazonte kur shkruante vargjet “Në fytyrët tënde gjeta Bukurinë / Si ajy që gjeti në malt Perëndinë / Lulezët e Majit sa janë të mira! / Po përpara teje m’erdhë të pështira / Kur shoh faqezët’ e tua / Ç’vjeft’ i mbetet trëndafilit, / Zëri yt shpirt më jep mua …” (Poezia Bukurija). Është e vështirë të besosh udhëtimet e tij nga Janina në Stamboll pa pasur në mendje imazhin e një femre. Asnjë biograf nuk është marrë deri tani me jetën private të Naim Frashërit, duke e bërë profilin e këtij intelektuali të rëndësishëm të kohës të mos jetë i plotë.
E ç’mund të themi për të ditur më shumë mbi Marin Barletin, Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin apo Pjetër Bogdanin. Edhe botimet e sotme të Jeronim de Radës, djaloshit që bëri një jetë të lirë përtej brigjeve, denjojnë të rrëfejnë mbi pasionet apo femrat që takoi në jetë. Do të ishte e pamundur ta mendojmë De Radën një asket teksa Arshi Pipa, pas hulumtimeve në Kozencë mes dorëshkrimeve, zbuloi letra që ai ia drejtonte tek Josephine de Knorr, Dora D’Istria, Emil Reinhold, Domenico Damis, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Louis Podhorsky etj. A thua mes këtyre letërkëmbimeve nuk kishte asnjë për grua?
Në një nga letrat drejtuar të atit më 1845-n ai shprehet për martesën: “Dhe a mos duhet ta shes talentin, që Zoti më ka falur për t’u shërbyer shumë njerëzve, për çmimin e një gruaje, në një kohë kur ai don që martesa të jetë një betim i shenjtë hyjnor?” Kjo letër të lë të kuptosh që poeti do të jetojë i lirë, duke mos ia lënë zemrën peng vetëm një dashurie.
Interesante do të ishte të kishim sot ditarin e Ndre Mjedës, priftit, gjuhëtarit e poetit lirik, i cili përpara se të përqafonte besimin mbrëmjeve në Venecia ëndërronte të jetonte si shkrimtar i lirë. Më pas u nis në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi letërsi. Sa keq që copëza historish që mund të kenë shoqëruar jetën e Mjedës janë shuar sapo kanë mbaruar duke mos mbetur në asnjë rresht. Po kështu histori të Filip Shirokës, Luigj Gurakuqit, Sami Frashërit, Naum Veqilharxhit, Risto Siliqit, Mihal Gramenos …
Ne dimë shumë pak për Eugjeninë, gruan, ikja e së cilës nga kjo jetë do të sillte një nga elegjitë më të bukura për ndarjen shkruar nga Andon Zako Çajupi. Ajo dhe Çajupi janë takuar në Aleksandri, ku Andoni u vendos për të studiuar frëngjisht për pesë vite te Sainte Catherine des Lazaristes. Pas studimeve ata u martuan dhe patën bashkë një djalë me emrin Stefan. Të gjithë ata që janë marrë me jetën e Andon Zako Çajupit nuk kanë shkruar asnjë rresht për Eugjeninë, gruan që do të frymëzonte një nga vajet më të bukura të shkruara në historinë tonë letrare. Ndarja e saj e parakohshme nga jeta do ta zhyste në trishtim shkrimtarin, i cili nuk ngurron të hedhë në letër fjalët e zemrës, duke shkruar: “Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë / Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë / Shumë vjetë u bënë sot u mbushën dhjetë / Që kur më ke lënë dhe s’të shoh në jetë!” (Vajë).
Brojka, vajza e ndrojtur shkodrane, është një ndër të parat që tregon se në letërsinë shqipe ka pasur jetë. E fshehur për vite me radhë në sirtarët e familjarëve të poetit, lidhja e saj me Migjenin është bërë publike vetëm pak kohë më parë, në një biografi të hartuar nga Skënder Luarasi. Dashuria mes tyre ka qenë e fortë. Kjo ndihet edhe në letrat që Brojka ia dërgon së motrës së tij Ollgës, teksa i rri pranë të vëllait në spital. Ja çfarë i shkruan ajo: “Ndoshta edhe ti vetë e ke vërejtur se ai më ka dashur, edhe pse unë këtë e kam fshehur prej teje, sipas dëshirës së tij. Kur e kam pyetur se ç’duhet të them ty, sepse unë gjithmonë kam thënë diçka, ai m’u përgjigj: ‘Më mirë mos, motrat ndoshta e shohin edhe vetë, por unë nuk dëshiroj që ato qoftë edhe për një çast të mendojnë se unë dashurinë time ia fal dikujt tjetër përveç tyre’. Pas kësaj unë i thashë se dashuria e tij ndaj jush do të mbetet kurdoherë e paprekur dhe dashuria ndërmjet nesh është e një lloji tjetër dashurie, entuziazëm që nuk e gjen shpesh në jetë e se ju motrat e tija do të gëzoheshit për këtë. Dhe mbeti ashtu siç deshi ai. E unë përkundrejt tij kam qenë mund të them lirshëm, shumë e kujdesshme. Kur ma shfaqi dashurinë për herë të parë përmes një letre, unë i jam përgjigjur se edhe tek unë ka lindur e njëjta ndjenjë, se edhe unë e dashuroj dhe e respektoj”.
Ja çfarë i shkruante Migjeni asaj në një letër: “Ti je kundër meje aq e ëmbël, më e ëmbël sesa engjëlli që nuk ekziston. Kam dashuruar e kam puthur, por vetëm te ty kam gjetur qenien e vërtetë shoqërore”.
Djaloshi që nisi studimet për letërsi në Athinë ka pasur një nga jetët më interesante deri në hyrjen e komunizmit në vend. Përpara se të merrte anijen për në Marsejë më 1937-n, ai ndalon në Itali të takohet me Migjenin… Më pas, përmes Mesdheut mbërrin në Marsejë e ndalon në Paris për të takuar Llazar Fundon e Ali Kelmendin dhe u bashkohet Brigadave Internacionale me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, merr pjesë në mbledhjen e shkrimtarëve antifashistë në Valencia, ku ishte dhe Hemingueji, Pablo Neruda etj. Dy nga romanet më të bukura të letërsisë sonë e kanë zanafillën nga kjo periudhë e shpenguar në jetën e shkrimtarit. Aty ka lindur dhe Ana dhe Anita, dy femrat personazhe te Nata e Ustikës dhe Hasta la vista. Por, për fat të keq në ditarin e shkrimtarit nuk shohim asnjë takim dashurie të kësaj kohe. Ajo çfarë dihet zyrtarisht është martesa e tij me piktoren Safo Marko, me të cilën pati dy fëmijë dhe një jetë aspak të lehtë nën komunizëm.
Historitë e fshehura të dashurisë apo tradhtia, flirtet e vogla që mund të ndodhnin në jetën e secilit as që mund të mendoheshin të hidheshin në letër gjatë komunizmit, ku vetë erosi mungonte në letërsi. Pas viteve ‘50 e deri në fillim të viteve ‘90 e gjithë letërsia është pothuajse e zbrazur nga histori të tilla. Ato mund të ndodhnin në jetë, por jo në letra. Në biografitë zyrtare të shkrimtarëve shqiptarë të asaj periudhe qoftë edhe në Wikipedia, ndryshe nga shkrimtarët e huaj nuk jepet me kë kanë qenë të martuar. Megjithatë, bashkëshortet e shkrimtarëve të kësaj periudhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në letërsinë që ata shkruan.
Le ta nisim me Lasgushin. Nafija, vajza brune nga Durrësi, do ta dashuronte menjëherë poetin. Ajo ishte njohur më parë me vargjet e tij aq sa padurimi i zemrës për takimin e radhës. Nafije Mema, e pajisur me një kulturë perëndimore, njohëse e tri gjuhëve të huaja, arriti ta “zotërojë” Lasgushin sa të sertë aq edhe të thyeshëm, sa të prerë aq elokuent, sa tekanjoz aq edhe të ëmbël e njerëzor. Ajo me zgjuarsi, thjeshtësi, durim arriti ta adhurojë Atë, të gjithë qenien e tij, me të mirat e tekat e një njeriu të madh. Nuk u nda kurrë nga ai. Do të ishte gruaja e tij, shoqja e tij besnike. Do t’i qëndronte afër në shumë momente të vështira, në shpërthimet e jashtëzakonshme që ia krijonte gjendja e tij e keqe shëndetësore dhe anatemimi i regjimit komunist. Do të ndante më të vështirësitë e panumërta të jetës dhe do të ishte i vetmi njeri që ai do t’i besonte pa frikë çdo bisedë indiskrete politike pa pasur frikë se do të ishte i tradhtuar. Kaluan bashkë plot 44 vjet. Letrat e tyre të dashurisë janë botuar së fundmi nga të bijat. Por, ana tjetër intime e Lasgushit, ajo e studentit në Grac apo të riut të gjatë veshur me kostum në Tiranën e atyre viteve apo poetit më vonë, pothuajse nuk ekziston.
Dhimitër Shuteriqi, një ndër shkrimtarët më prodhimtarë pas viteve ’60, njihet dhe për lidhjen e fortë që pati me bashkëshorten Mynever. Vajza me flokët e drejtë nga Elbasani nuk do të ndahej asnjëherë prej tij që kur u njohën në kohë lufte. “Kemi punuar në një nga fshatrat më të thellë, sepse ne ishim te shtypi ilegal. Që nga kjo kohë kemi punuar bashkë, ku unë isha redaktore, ai ishte kryeredaktor. Kur unë isha punonjëse e propagandës në Elbasan, ai ishte shef. Edhe këtu në Tiranë ai u interesua që unë të isha brenda këtij kuadri, që të merresha me shtypin e me botimet dhe kam punuar me shtypin e botimet gjithë jetën time. Kam qenë në Komitetin Qendror të Partisë në sektorin e shtypit, pastaj kam qenë zv/drejtore e shtëpisë botuese ‘8 Nëntori’. Kam qenë gjithnjë afër veprimtarisë shkencore të Dhimitrit”, kujton ajo në një intervistë pas ndarjes së tij nga jeta.
Mynever ka kontribut në historinë e librave biografikë, duke sjellë për herë të parë në historinë e botimeve tona një libër mbi jetën e saj me Shuteriqin, Një jetë me dashuri, duke ndjekur shembullin e bashkëshorteve të shkrimtarëve të njohur në botë, si Ana Dostojevska apo të tjera. “Në katedër zuri vend një djalë i ri, me një paraqitje që më tërhoqi menjëherë vëmendjen dhe që e regjistrova në kujtesë në mënyrë krejt të pavetëdijshme, por tepër besnike: flokë të zinj pak të valëzuar, fytyrë e bardhë e fisme, buzë mishtore me pjesën e poshtme disi të varur. Ndërsa nën syzet e vogla me një rreth ari të hollë, që nuk më lejonin t’i shquaja ngjyrën e syve, arrita të dalloj gjithsesi vështrimin e tij të vëmendshëm, që m’u duk se më drejtohej mua”, shkruan ajo.
Dritëro Agolli hyn te shkrimtarët ku tragjedia njerëzore, siç ishte prishja e marrëdhënieve shqiptaro-ruse, do të bënte të ndahej përgjithmonë nga gruaja e tij Nina ruse, me të cilën kishte edhe një djalë. Martesa e mëvonshme me Sadijen dhe lindja e dy fëmijëve, një djali e një vajze, do ta mbulonte me heshtje këtë histori, për të cilën dhe vetë shkrimtari preferoi të mos fliste. Do të ishte bukur të kishim nga ai ditarë apo letra nga kjo periudhë e ndarjes apo njohjes me Ninën, apo histori të tjera kur si gazetar i ri udhëtonte në krahina të ndryshme të vendit. Agolli është një ndër shkrimtarët që ka folur më shumë mbi tradhtinë në tregimet e tij. Te Zhurma e erërave të dikurshme ne takojmë femra jo të lumtura në jetën bashkëshortore, të cilat udhëtojnë deri në Tiranë për të takuar gazetarin e ri, që një ditë kishte bujtur në shtëpinë e tyre. Tregimet e Agollit tregojnë se asnjëherë nuk e dimë kur mund ta takojmë lumturinë.
Njohja me Sadijen duket se do të sjellë gëzim në jetën e shkrimtarit. Vetëm pak kohë më parë është botuar libri Dashuri në kohën e Krishtit me letrat e dashurisë që ata ia dërgonin njëri-tjetrit nga njohja gjatë jetës martesore. Ky libër e pasuron kolanën e rrëfimeve të munguara në këtë gjini në letërsinë tonë dhe, nga ana tjetër, na sjell jetën tjetër të Agollit, atë të pasionantit dhe të dashuruarit me gruan që ndan jetën.
Çifti Helena dhe Ismail Kadare janë një ndër çiftet më interesantë në letrat shqipe. Biondja me sytë e bukur nga Elbasani do të dashurohej me studentin shqiptar në Rusi që kur i lexoi vargjet e para. Më pas ajo i shkroi një letër, pa e menduar se kjo do të ishte letra e parë e një morie letrash që do t’i shkruante më pas gjatë bashkëjetesës së tyre. Fjalia e Dhimitër Xhuvanit, që në atë kohë ishte student në Rusi bashkë me Kadarenë, se vajza që ka shkruar letrën është më e bukur se në fotografi, duket se do të ndizte shkëndijën e parë të një raporti dashurie që vazhdon ende edhe sot. Çifti Kadare, ashtu si me letërsinë që shkruan, por edhe me jetën e tyre, do të ndikonin në emancipimin e shoqërisë.
Fakti që Helena ishte shkrimtare e një nga autoret femra më të talentuara pas viteve ‘70, e bënte ta kuptonte më lehtë jetën plot trazime të shkrimtarit. Ajo diti t’i jepte atij dimensionin e lirisë, kaq i nevojshëm për shkrimin, duke ia bërë më të lehtë jetën në diktaturë. Disa vite më parë ajo botoi librin autobiografik Kohë e pamjaftueshme, ku tregon jetën e saj përkrah Kadaresë. Një libër, i cili e çon lart nivelin e botimeve të kësaj natyre në historinë letrare, pasi Helena nuk ngurron të tregojë çdo gjë interesante rreth gjeniut, pa fshehur dhe rastet ku femra të tjera kanë hyrë mes tyre duke e bërë të ndihet “xheloze”. Po vetë Kadare është ndër shkrimtarët më të hapur për sa i përket jetës private. Në librin Ftesë në studio ai nuk ngurron të tregojë pasazhe, copëza dashurish të jetuara në kohën e studimeve në Rusi, letra që ua dërgonte vajzave ruse apo ato çfarë i shkruanin ato duke bërë që për herë të parë një shkrimtar shqiptar të flasë hapur për intimitete të tilla, për të cilat lexuesi është kaq kurioz. Ja çfarë i shkruan Ljuba C., një vajzë me të cilën kishte dalë disa herë:
Që kishe në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli, këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime kur erdhe për të pirë çaj te ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë më tha se ti ishe më i keq se ç’e kishte menduar. Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty ishte njëlloj si të pije çaj me djallin. Këto, këto fjalë të nënës sime, e cila njëlloj si unë, e ndien veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj, dhe tani më dukesh edhe mua si mishërimi i së keqes. Nuk mjaftonte sjellja mospërfillëse ndaj prindërve të mi, kur ti mezi iu përgjigje pyetjeve të tyre me nga një “po” ose një “jo” të thatë, sikur të ishe një zotëri i madh, por duhej të dërgoje edhe atë shëmti. Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës, termat e së cilës pa kurrfarë turpi i krahasoje me sëmundjet veneriane, për të kuptuar se ç’përbindësh je. I poshtër gjej në fund, duke e parë se me prindërit e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha: “Zoti e ndjeftë!”. Më vjen turp, shumë turp, që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë, shumë. Ljuba (Ftesë në studio).
Një tjetër bashkëshorte e bukur e letrave shqipe është Eftipia, gruaja e Mitrush Kutelit. Vajza elegante nga qyteti i Korçës pëlqente të vishej bukur e me stil. Njohja me Kutelin ishte gjëja më e bukur në jetën e saj. Ajo ra në dashuri pa e ditur se jeta përkrah këtij burri nuk do të ishte e lehtë. Janë të njohura letrat që ai i dërgonte asaj, sidomos gjatë kohës kur ishte në burg. Kaq afër jemi, por kaq larg, / Të lutem mos më prit / Na ndajnë terre rreth e qark / Dhe yll për mua s’ndrit. /MAPO/