Muzeu Historik Kombëtar, “Një ditë me kuratorin!”
Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një ditë me kuratorin!” me temë: “Koleksioni i qeramikës helenistike në Muzeun Historik Kombëtar”.
Kjo veprimtari arriti të krijojë një bashkëpunim me shkollat e mesme dhe të larta, duke sjellë më afër objektin muzeor tek studentët.
Takimi i sotëm kishte si qëllim prezantimin e koleksionit të qeramikës helenistike, e veçanërisht vazove me figura, para nxënësve të vitit të parë të shkollës së mesme Petro Nini Luarasi.
Nxënësit, krahas koleksioneve të tjera që ka Muzeu Historik Kombëtar, u njohën më nga afër me enët prej qeramike të kësaj periudhe, të cilat vijnë në pjesën më kryesore si inventare të varreve, fillimisht me origjinë nga Korinti e më pas, zëvendësimin e tyre me importin atik.
Enë si, amfora e lekitet me figura të zeza, skifosi i tipit Hermogenes, dëshmojnë pikërisht këtë orientim të importeve nga Atika. Në të njëjtën kohë, edhe kolonitë nga ana e tyre, në përpjekje për t’u shkëputur nga metropolet, prodhojnë në mënyrë të pavarur, siç dëshmon qeramika dyrrahase dhe apoloniate, që zë vend të konsiderueshëm në gjetjet e shtresave të shek. VI – V p. Kr. në Selcë, Belsh, Dimal, etj. Dinamika e zhvillimeve do të shtrijë edhe më tej rrjetin e kontakteve dhe shkëmbimeve, veçanërisht me brigjet e përtejme të Adriatikut. Ky orientim i ri, do të konkurrojë dhe më vonë do të eklipsojë tërësisht importin e vazove nga Atika, dhe në kontekstet e shek. V – IV p. Kr., shfaqen enët me figura të kuqe, të cilat ruajnë shumë veçori të qeramikës atike, si nga pikëpamja e zbukurimeve edhe për sa i përket subjekteve që trajtojnë. Edhe në këtë rast, nga gërmimet arkeologjike spikat roli i Dyrrahut dhe Apolonisë në qarkullimin e mallrave të importit grek apo italik. /m.z//r.e/