Muzeu Historik Kombëtar, pjesë atraktive e aktiviteteve kulturore
Jeta artistike dhe kulturore në kryeqytet çdo ditë e më shumë po tërheq publik, duke treguar se artdashësit e shohin si atraksion për të njohur dhe prekur nga afër fusha të shumëllojshme artistike. Muzeu Historik Kombëtar ka rritje të numrit të vizitorëve për periudhën janar-gusht të këtij viti. Siç transmeton agjencia telegrafike shqiptare, të dhënat statistikore tregojnë për këto arritje krahasuar me një vit më parë, pasi muzeu ka mirëpritur 36,705 vizitorë për periudhën janar-gusht 2018.
Pra numri i vizitorëve vendas dhe të huaj gjatë muajve janar-gusht 2018 është rritur me 41% në krahasim me të njëjtën periudhë për vitin 2017.Gjithashtu kjo ka çuar në 36% më shumë të ardhura krahasuar me të njëjtën periudhë për vitin 2017. Publiku vendas i cili gjithnjë e më shumë po sheh si atraksione vendet të cilat tregojnë më shumë rreth historisë dhe rrënjëve tona në Muzeun Historik Kombëtar ka njohur një rritje të kënaqëshme me rreth 46% më shumë vizitorë vendas krahasuar me të njëjtën periudhë për vitin 2017.
Gjithashtu sezoni veror, i cili ka sjellë në kryeqytet një numër të lartë turistësh e ka bërë dhe Muzeun Historik Kombëtar një atraksion mjaft tërheqës duke shënuar një rritje me 36% më shumë vizitorë të huaj krahasuar me të njëjtën periudhë për vitin 2017.
Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeal më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar me afro 400 objekte të ndryshme.
Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Broncit (2100-1200 para Krishtit) si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e popullit ilir.