Muzeu (i ri) Kombëtar i Artit Mesjetar një dështim i muzeologjisë shqiptare

Nga Kristaq BALLI –
Para afro dy vitesh, në Korçë u çel Muzeu i ri Kombëtar i Artit Mesjetar. Inaugurimi i tij me një protokoll e ceremoni impozante e fjalime panergjike shtetërore e cilësonte atë si një institucion të një niveli të lakmueshëm kulturor dhe si një zenith të padiskutueshëm suksesi qeveritar. Por, pas zbaticës së ditirambeve ekzaltuese dhe përditësimit të situatës në rrjedhën e saj normale, siç ndodh zakonisht kur ndërtohen vepra dhe institucine kulturore me status e rëndësi kombëtare pritet një reflektim, një opinion, një impenjim profesional nga studiues, arkitektë, kritikë arti, muzeologë, specialistë për të vlerësuar në optikë realiste cilat janë tiparet arkitekturore, teknologjike, ekspozicionale, restauruese ato që i venë vulën e suksesit, dështimit, apo mesit të artë të një ndërtimi të ri kulturor e artistik madhor që daton dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XXI, pra të më të riut nga të rinjtë. Jehona e ndërtimit dhe çeljes së tij u venit, u shua, u harrua shumë shpejt, pasi askush nga opinioni profesional vlerësues pozitivist, apo kritikues nuk është marrë deri sot me këtë ndërtim arktekturor e teknologjik tepër kompleks, unikal e të veçantë që përpunon brenda tij një prej arteve më sipërore, atë mesjetar, me të cilin lidhet një histori e gjatë identiteti kombëtar, por edhe me vlera kulturore, artistike e numerike kompetitive me ato të të gjitha vendeve të ish Perandorive Bizantine e Otomane. “Indiferentizmi dhe mospërfillja” e opinionit të specializuar, posaçërisht, tregon një mungesë serioze në realitetin e kritikës së ndërtimeve bashkëkohore kur bëhet fjalë sidomos për institucione të rëndësisë së veçantë kombëtare, ose, së paku nënkupton shijen e hidhur të një objekti të rëndomtë e të padenjë për t’u marrë me të. Mendoj se në këtë rast janë prezente të dyja konstatimet, por prevalon pa dyshim e dyta, ajo që ka të bëjë me mossuksesin, apo më troç me dështimin… Pse?
Odiseja e ndërtimit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar ka përshkuar një kalvar shumë të gjatë, të vështirë, të improvizuar, të shkapërderdhur, të deformuar, plot metamorfoza, jotransparent nga të gjitha optikat ligjore, administrative, projektuese, ndërtimore, teknologjke e ekspozuese, performancës akademike, shkencore e perspektivës së tij, që, në shumicën e rasteve përbëjnë skandale.
1.Projekti.
Projekti i muzeut, në fakt, nuk ka filluar si i tillë, destinacioni i tij ishte përcaktuar ndryshe. Këtë e tregonte tabela e zbatimit të objektit. Objekti u konceptua e u projektua “me urgjencë” si një godinë fare e zakonshme, me strukturë si një magazinë e rëndomtë dhe pa pjesën arkitekturore dhe funksionale “teknologjike” e interierin (pa studim, detyrë projektimi e projektide) nga Bashkia e Korçës dhe u ndërtua së pari (e më pas deri në fund) e pagëzuar me emrin “Qendër për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës” (!), ku investimi financiar ishte fillimisht ai i një fondacioni grek dedikuar këtij objekti. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar nuk kishte dijeni dhe asnjë lloj dialogu, lidhje, apo marrëdhënieje me këtë projekt. Pa paragjykuar në përdorimin efektiv, apo jo të tij, ky fond dhuratë nuk mjaftoi për të realizuar as gjysmën e objektit në fjalë, pra vetëm pjesën skeletore konstruktive vertikale e horizontale të betonit (kollonat e soletat). Punimet u ndërprenë dhe objekti ngeli jetim për shumë vjet, pa ditur se çdo të bëhej me të më tej. Duhet të theksoj përsëri se as që bëhej fjalë për një projekt destinuar si “Muze Kombëtar i Artit Mesjetar”, pasi bashkia nuk e kishte një detyrim dhe tagër të tillë dhe se, si rregull, projektimet e ndërtimet e institucioneve të përmasave e rëndësisë së veçantë kombëtare realizohen me involvimin dhe vendimmarrjen për to të institucioneve qendrore dhe financime të buxhetit të shtetit, apo nga ministria e linjës në këtë rast minimum nga Ministria e Kulturës… Por atëhere shteti as që kishte projekte dhe parashikime buxhetore për një projekt madhor (që të quhej “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar), sepse, për ndryshe investimi do të kishte filluar ndryshe e nuk do të ndërpritej. Fatkeqësisht, por edhe për padurimin, nxitimin, mungesën e rakordimit dhe pamundësinë e faturës së mëtejshme financiare (lokale) ky skelet fantazmagorik betoni ”i mbeti në derë”, pra, bashkisë së Korçës e sidomos kryetarit të saj Niko Peleshi, i cili ishte edhe nismëtar e sipërmarrës institucional i saj, por që i la një stigmë e kosto të hidhur përgjegjësie, administrative, morale e qytetare. Si ka mundësi që të fillojë ndërtimi i një objekti madhor pa u siguruar më herët gjithë dokumentacioni ligjor dhe burimi i plotë i investimit?…
Kjo është arsyeja pse, për shumë vjet, objekti mbeti në mëshirën e fatit. Por, me emërimin e N. Peleshit si zv.kryeministër në vitin 2013, duke shfrytëzuar pozicionin e tij, ai mundi të sigurojë një fond “underground” shtetëror të cilin ia alokoi bashkisë Korçë, duke i ndezur sërish dritën jeshile vijimit të punimeve, por këtë herë duke e orientuar objektin në destinacion të “konvertuar” nga një “Qendër për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës” në “Muze të Artit Mesjetar” (edhe pse në tabelën e re të punimeve emërtimi nuk u ndryshua deri në fund). (foto1) Një vendim i tillë kërkonte rimodelimin e projektit konstruktiv (punimet fizike të të cilit tashmë kishin rifilluar) si dhe projektin arkitekturor e teknologjik.
Për këtë projekt u angazhua me orientim direkt e urgjencë nga Zv.kryeministri, studioja projektuese “Dea Studio” në Tiranë. Pas një verifikimi disa orësh të mjediseve të ish muzeut ekzistues të Artit Mesjetar (madje ku edhe unë nuk jam ftuar qëllimisht si ixhinieri më i vjetër i muzeut…!), projektuesit e “Dea Studio” ju përveshën punës me ngut marramendës për të realizuar projektet e mësipërme, edhe pse ata nuk kishin ndonjë eksperiencë të ngjashme për projektimin e instituioneve të tilla kulturore, ndërsa në terren, madje pa mbaruar projekti final, prishej e ndreqej sipas oreksit të riprojektuesve.
Siç verifikohet lehtë çdo gjë është kryer deri këtu në kundërshtim flagrant me ligjin e projektimit dhe ndërtimit të objekteve kombëtare social kulturore. Për të dyja fazat e mësipërme të projektimit nuk ekziston asnjë studim, asnjë detyrë projektimi asnjë projekt ide, asnjë konkurs projekti, asnjë diskutim i detyrueshëm i projektit, asnjë oponencë, asnjë miratim përfundimtar i projektit dhe i buxhetit përkatës, asnjë transparencë. Dhe kur çdo sipërmarrje fillon e vijon me shpërfilljen e ligjeve e rregullave shtetërore të lojës nga vetë shteti, merret me mend se si destinohet të përfundojë, vetëm me dështim! Po detajoj vetëm dy tre fakte që përbëjnë skandale të pafalshme gjatë fazave të projektimit. A është në kompetencën e bashkisë ndërtim i një institucioni me status kombëtar e që varet administrativisht nga Ministria e Kulturës? Si mund të tolerohet fakti që drejtoria e Muzeut të Artit Mesjetar, apo Ministria e Kulturës, si “zotër shtëpie” të kenë qenë kaq të mefshtë dhe e paaftë sa të mos kenë hartuar e paraqitur studimin, detyrën e projektimit, konkursin dhe projektidetë paraprake, pra, siç e kërkon ligji? Si ka mundësi që studioja e projektimit “Dea”, edhe pse pa këto dokumente të domosdoshme, të mos ketë përfshirë në grupin e projektimit “teknologë” muzeologë, jo për koperturë, por për të mbajtur përgjegjësinë e pjesës “teknologjike” e muzeologjike pasi, siç dihet, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar nuk është vetëm një sallon ekspozues, por një institucion multifunksional dhe veçmas se ai ka një “linjë teknologjike” ku përfshihen ruajtja, manipulimi, konservimi, restaurimi, kërkimi e eksperimentimi shkencor, studimi e më në fund ekspozimi? Si ka mundësi që Ministria e Kulturës, prej nga varej Muzeu Mesjetar të ishte jashtë loje?
Ka edhe shumë argumente të tjerë dekonspirues, por janë mjaft edhe këto dy për të parashikuar se projekti jo vetëm i pjesës teknologjike, por gjithë muzeut do të dështonte. Përgjegjësia e përvojës sime 33 vjeçare në Muzeun Mesjetar(qysh prej krijimit të tij), eksperiencat e mia jashtë vendit, marrëdhëniet me organizata ndërkombëtare muzeore si ICOM, ICROM, ICOMOS, NEMO, etj., por edhe detyrimi intelektual e qytetar më kishin krijuar bindjen pesimiste se gjithçka nuk po shkonte siç duhej. Madje po shkonte keq e më keq në realizimin e kësaj “vepre madhore”! Edhe pse nuk doja të bëja Kasandrën, sugjerimet e mia bërë drejtorit të muzeut për të ndërhyrë e për të influencuar bashkarisht mbi ndërtimin e “shtëpisë sonë” binin në veshin e shurdhër. Ai ishte bërë ortak me ilegjimitetin e pushtetarëve. Në vesh të shurdhër ranë edhe letrat e mia të datës 8 Tetor 2014 drejtuar Zv/kryeministrit N.Peleshi, ministres së Kulturës, M. Kumbaro, dhe Kryetarit të Bashkisë Korçë, S. Filo (të cilit i kërkova edhe një takim të veçantë konsultues që nuk u realizua për për shkak të tij), ashtu si edhe shkrimi im “Që Muzeu i Ri i Artit Mesjetar të mos dështojë…” (Gazeta Telegraf, 3 Shtator 2015, f. 10-11.), si dhe kërkesa që unë i drejtova më në fund Kontrollit të Lartë të të Shtetit më 15.11.2015, për të verifikuar zbatimin e ligjshmërisë së projektimit dhe ndërtimit të objektit. Si dukej gjithçka ishte mbështjellë në një rreth vicioz të disa qeveritarëve, qëllimi kryesor i të cilëve, më shumë se ndërtimi i një muzeu dinjitoz, ishte mbyllja e asaj varreze fosilesh betoni që ju kishte mbetur gjatë si dobiçi në derë, si dhe shpëtimi i tyre nga ngarkesa e madhe e përgjegjësisë shtetërore e morale që ata kishin ndaj objektit dhe qytetarëve. I indinjuar, por edhe me një hamendje se kishte ende kohë e mundësi për të çtiliksur këtë lëmsh të ngatërruar, me iniciativën time shkova për t’u takuar me projektuesit e” “DEA Studio-s” në Tiranë. Ju parashtrova argumentet e mia profesionale, kryesisht ato të karakterit teknologjik e funksional me planimetritë e hartuara prej tyre mbi tavolinë, duke ju dhënë disa shembuj se ku nuk funksiononte projekti dhe se ishte një nonsense që në grupin e projektimit të mos punonin si projektues të rregullt, apo qoftë edhe si konsulentë të atashuar teknologë muzeologë, ca më tepër që studioja e tyre nuk kishte realizuar ndonjëherë një projekt të tillë të ngjashëm e të marrë përsipër nga kjo studio pasi ishin kryer shumica e punimeve strukturore e ndërtimore të projektuar nga dikush tjetër dhe për destinacion tjetër. Edhe pse ata i pranuan si të drejta e racionale vërejtjet e mia (që në të vërtetë hapnin telashe të mëdha sa i takon madhësisë së godinës, zhvendosjes dhe organizimit të planimetrive të kateve, pra korrigjime themelore teknologjike thuajse të parealizueshme në variantin e detyruar të projektit të tyre ), gjatë diskutimeve, ata më lanë të kuptohej se ishin përpara një presioni e detyre urgjente që ja u kishte dhënë vetë zv.kryeministri dhe se zor të bënin ndryshime, edhe pse ishin “të kapur” e të pasigurt në punën e tyre. Kështu ata realizuan këtë projekt arkitekturor(foto 2).
Kush ka idenë dhe njeh sado pak numurin e madh dhe kualitetet e objekteve të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, së pari ky maket i krijon idenë e vogëlsisë, të pamjaftueshmërisë. Në fakt, këtu është edhe “thembra e Akilit” të dështimit të këtij muzeu.
Koncepti i tij, si një skenografi teatrale kukullash, bazohet në vizionin e një mikrokështjelle virtuale guri rrethuar me një kanal të gjerë përreth githë perimetrit të tij të mbushur me ujë, ku përpara portës kryesore të hyrjes varet një urë druri, për të dhënë idenë e ngritjes dhe uljes së saj, sa herë “barbarët do ta sulmonin fortesën nga jashtë” e ku pengesë do të bëhej ky kanal i uji. Mungojnë vetëm bedenat! Duke imituar një konvencion virtual nga Europa veriperëndimore, infantil dhe të papërshtatshëm për muzeun, që në fakt, nuk u zbatua kurrë në praktikë (do ta spjegoj më poshtë), nga ana tjetër krijoi probleme të tjera sa i takon arkitekturës, sepse godina duket e vendosur nën kuotën e sheshit para tij, në gropë, duke shpërfillur principin se kështjellat zhvillohen zakonisht në lartësi vertikale, jo në linearitet. Edhe veshja e plotë me gurë e godinës është bërë një lloj “ekzagjerimi abuziv” tashmë në Korçë. (Edhe kjo u ndryshua). Në rastin konkret kjo krijon një monotoni inerte, neutrale të mërzitshme e të kudogjendur në këtë qytet. Nga pikpamja stilistikore, arkitektët janë kushtëzuar që të “zhvillojnë fantazinë krijuese” konform “trupit strukturor eksistues”. Andaj nuk mund të flasim për një stil arkitektonik origjinal, unik, integral, prej nga zë fill projektideja e një projektuesi të regjur, por për një kryqëzim të detyruar e proliks. Pra as mish, as peshk!
Ndërkohë, në objekt vijonin punimet me projekte pjesore dhe në një terror të veçantë sigurie e fshehtësie, aq sa edhe unë, që isha punonjësi më i vjetër i këtij institucioni nuk lejohesha të hyja e të shihja çfarë bëhej brenda. Dëgjoheshin varé e matrapikë që prishnin ato çka ishin ndërtuar më herët. Po sjell dy shembuj për të ilustruar se si shpërdorohen lekët ose kur “dy dado e mbytin foshnjën”, por edhe kur askush nuk mban përgjegjësi. Për atë që kish realizuar projektuesi paraardhës, projektuesve pasardhës nuk u interesonte, ndaj vendosnin të hiqnin apo të shtonin ato çka atyre u dukeshin të nevojshme. Kështu u prish gjysma e soletës mbi katin e parë, pasi u konsiderua jo funksionale. Por, prej këtij modifikimi, përveç parave të kthyera në beton e hekur skrap, mbetën të varur në ajër në mënyrën më të shëmtuar profesionale inxhinierike, por edhe estetike për një muzeum prestigjoz dy traversa konstruktive të stërmëdha betoni, si dy brirë përbindëshi që mbanin soletën e prishur e që shkojnë tejpërtej gjatësisë së muzeut (Foto 3), por që krijojnë edhe një shqetësim pamor për vizitorin. Sigurisht kjo prishje i ka pasoja dekonstruktive edhe stabilitetit fizik të godinës…Një skandal i vërtetë! Sado që këtotrarë pjesërisht u mbuluan nga një shkallë druri e improvizuar, por po aq e shëmtuar dhe zhurmëmadhe si një bunker, sa krijon edhe një goditje të besdisshme akustike kur njerëzit zbresin prej saj. Kjo është fotoja “monstër”, më domethënëse e sinonime se si mund të katandiset një institucion i ri kulturor i përmasave kombëtare, madje edhe më gjerë. Arkitektët le ta vlerësojnë!
Por “dadot” do të shtohen. Kur veshja e jashtme e gjithë godinës me gurë të gdhendur gri të errët kish përfunduar, rezultoi se muzeu dukej nga jashtë shumë i shëmtuar, i zymtë dhe i papranueshëm arkitektonikisht e vizualisht. (Foto 4.) Për këtë arsye, pasi shpenzimet ishin kryer, hyn në lojë një “dado” tjetër, përfaqësuesi i kompanisë gjermane “Bolles+Wilson”, z. Peter Wilson, një beniamin i afërt i zyrtarëve të lartë shqiptarë (i njohur në Korçë si ndërtues i kullës më të shëmtuar në Europë të ashtuquajtur “RED TOWER”, i cili vendosi ta mbulojë fasadën e përparme të gurtë të muzeut me suva me ngjyrë të zezë, për të thyer sadopak monotoninë dhe shëmtinë e tij. Pra, shpenzime mbi shpenzime dhe, siç thotë populli “kallaj mbi gunë”. Sipas gazetës “MAPO” dhe Kult Plus.com, portali gjerman “Bau Netz” që ka shkruar një artikull të shkurtër për Muzeun e Artit Mesjetar thekson: “Në fund, edhe pse nuk ishte pjesë e kontratës, gjermanët (kupto Peter Wilson K.B.) u morën edhe me fasadën e godinës. Si anekdodë thuhet se punonjësit e ndërtimit kishin menduar se po bënin një burg dhe e bënë fasadën e gurit shumë të errët…” madje dhe se (dadoja e katërt, K.B.) “Kryeministri Edi Rama ndërhyri personalisht dhe tashmë edhe fasada ka ndryshuar.” (Foto 5)
Imagjinoni, pra, se si degjeneron projektimi i një prej institucioneve më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore e artistike të kombit shqiptar në ca paçavure dizajnesh hibride që hartohen e ndryshohen sipas midesë së “dadove” që mohojnë njera- tjetrën, që iu pëlqen të fitojnë legjitimitetin, por edhe shpërblimin financiar që u takon, e që ua jep qytetari, sigurisht. E them me bindje se po të duash të kërkosh, apo të gjesh në arkivë një dosje të plotë projektimi të kësaj vepre, nuk do të mundësh kurrsesi, pasi ky rast përbën një shembëll unikal të kokteileve amatore, fantazisë e mendjelehtësisë adoleshente, spekullimit, abuzimit, papërgjegjshmërisë ligjore. “Projekti” i tij, ku kanë futur duart sipas shijeve të tyre subjektive me hir e pahir një lukuni e tërë eksperimentuesish që s’kanë lidhje me njeri-tjetrin, madje edhe politikanë e ku janë qepur mbi njera-tjetrën mballoma me tegela të trashë e të shëmtuar, një projekt aspak legjitim, unik, origjinal e integral, por një rebus, një zgidhje e shartuar “in extremis”, përbën ndoshta jo vetëm një prej megaekzemplarëve të dështimit arkitekturor kombëtar, por edhe një dështim “ndërkombëtar” në kontekst të të drejtave e detyrimeve të ndërsjellta që ka Shqipëria me institucionet relevante europiane e botërore mbi trashëgimisë kulturore e artistike.
Tek e fundit Muzeu i Artit Mesjetar është një institucion me status kombëtar me 39 vjet përvojë aktiviteti, ai varet për të gjithë veprimtarinë e tij nga Ministria e Kulturës…dhe çdo ndërmarrje ndaj tij, siç është edhe rasti i ndërtimit të një godine të re për të është detyrim i kësaj ministrie dhe qeverisë, madje me respektimin ligjor të informimit, konsultimit e shkëmbimit të projektideve dhe ndihmës nga institucionet ndërkombëtare më të specializuara e të përparuara. Ato duhet të reflektojnë e t’i referohen këtij precedenti negativ dhe ta detyrojnë palën shqiptare të troshitet e të korrektojë gabimet foshnjore, madje të ngarkojnë edhe me përgjegjësi drejtuesit e Ministrisë së Kulturës që shkelën me të dy këmbët me mosveprimet e tyre ligjet shtetërore kompetencat e detyrimet funksionale.
2. Vendosja në hapësirë
Por, le t’i afrohemi muzeut të ri duke qëndruar përballë fasadës së tij për të bërë disa konstatime të jashtme arkitekturore. Të kujtojmë se arkitektura është procesi i përbashkët dhe produkt i planifikimit, projektimit dhe ndërtimit të ndërtesave. Veprat arkitekturore, sidomos ato muzeore perceptohen shpesh si simbole kulturore e vepra arti. Historitë e qytetërimeve identifikohen shpesh me arritjet arkitekturore. Nga ana tjetër, jetojmë në dhjetvjeçarin e dytë të shek. XXI, pra kur arkitektura kontemporane identifikohet me stilin postmodernist. Vetë ideja e ndërtimit të një muzeu kombëtar arti, tejet të rëndësishëm e unikal duhet të inspironte arkitektët që edhe në kontekst të brendisë cilësisore e sasiore të koleksioneve të tij, por edhe të anës së disafishtë funksionale, ta kishin konceptuar arkitekturën e jashtme si një kompleks simboli kulturor e arkitektonik unik, me elementë e detaje të bazuar ose mbi lirinë e pakufizuar të krijimit modern, ose mbi një prej stileve apo drejtimeve arkitekturore tradicionale monumentale klasike, apo neoklasike, mjafton që të jepnin vizionin estetik të një vepre të mirëfilltë muzeale të artit mesjetar. ( Sipas arkitektit romak Vitruvius, një ndërtim i mirë duhet të kënaqë tre parime: “firmitas, utilitas, venustas” – qëndrueshmërinë, funksionin, kënaqësinë).
Fatkeqësisht pamja ballore e volumore e godinës as që të le një perceptim monumental muzeologjik, apo të arkitekturës artistike. Forma stereometrike simpliste prej paralelpipedi me disa sqetulla, thyerje, strehë e frëngji të vogla, së shumti të mprovizuara pa ndonjë lidhje organike me objektin e plotë, si prej bunkeri butaforik, të le së shumti idenë e një ndërtese të zakonshme publike administrative, apo rendi. Projektuesit e kanë kuptuar këtë dhe për të thyer “monotoninë” janë përpjekur të bëjnë një sërë ndërhyrjesh kryesisht duke përdorur si alternativë aplikimin e disa “qepenave” me sipërfaqe të ekzagjeruara e të rëndomta drusore, të kombinuara me shirita hekuri. Por, “paçavurja” e dizajneve nuk ka të sosur, ajo është shndrruar në tautologji, sepse çdo ndryshim kërkon të tjera modifikime pasardhëse. Afrohemi edhe më për të tentuar të hyjmë në muze. Ndeshimi me një zgjidhje arkitekturore, që s’’ka asnjë lidhje as me arkitekturën, as me konstruksionin dhe as me brendinë e muzeut dhe që e shëmton deri në vulgaritet konceptin e tërësisë unitare të objektit.
Siç e përmendëm më lart, projekti parashikon që i gjithë perimetri i muzeut nga jashtë të jetë i rrethuar me një kanal uji të përhershëm dhe hyrja në muze të realizohet jo nëpërmjet shkallëve dhe shesheve të bollshme të pushimit, por nëpërmjet një ure të varur me tiranta metalikë mbi këtë kanal e që tenton të nxitë idenë se ura mund të ulet e të ngrihet. Veç të tjerash, ky kanal me ujë do të ishte prezent pikërisht aty ku poshtë tij ndodhen fondet prej mijra ikonash e ku ndërtuesit duhet të marrin parasysh maksimumin e garantimit të rrezikut nga lagështia e jashtme dhe ajo kapilare. Akoma, kjo nyje e dukshme (me kanalin, urën dhe dy trarët e shëmtuar e joproporcionalë me objektin, që shërbejnë si parmakë mbrojtës), si dhe mungesa e shesheve të bollshme të pushimit dhe, sidomos, dera kryesore hyrëse e muzeut e projektuar dhe e zbatuar tërësisht prej qepenash të rëndomta e aestetike dërrasash e që qëndron gjithmonë e mbyllur (do ta komentoj më pas) tek vizitorët lë përshtypjen e izolimit, dilemës, pra jo të mikpritjes, bujarisë e mirëseardhjes!
Së fundi, edhe projekti i kanalit dështoi. Arkitektët kanë mohuar vetveten! Kanali nuk u mbush kurrë me ujë, (për fat të mirë!) por vetëm me ca fiçorë lumi. Por, i tillë i gjithë projekti i kësaj nyjeje (Kanali perimetrik, ura) rrëzohet, zhvlerësohet edhe nga ideja edhe nga funksioni arkitektonik edhe nga ai pamor (ose kanal me ujë dhe me urë, ose hiç fare – një paradoks profesional, një mishmash), pra kjo nyje që e ka humbur idenë arkitektonike, gjithashtu nuk ka asnjë lidhje me muzeun, veçse pamjen e ftohtë gri që të le një përrua i tharë dhe që do të krijojë probleme për sigurimin e godinës gjatë periudhave të shirave e dëborës. (Foto 6)
3.Vendosja në kohë.
Pavarësisht kujt zhanri a stili arkitektonik i përket, një vepër ndërtimore monumentele e sidomos muzeore e një rëndësie e vlere unikale, madhore kombëtare, siç është “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar” duhet të lerë në dimensionin “kohë” një gjurmë simbolike, vulën se kur ajo është ndërtuar, pra bashkëkohësinë, kontemporanizmin, dekadën e dytë të shek. XXI. Sigurisht kjo kërkesë realizohet nga vizioni, por edhe nga detyrimi i projektuesve që në shtatin arkitektonik, strukturor, teknologjik e mjedisor të “stampojnë” në mënyrë kreative jo vetëm identitetin e origjinalitetin e studios projektuese, por edhe që me elementë të dukshëm apo të padukshëm, të japin idenë kur është ndërtuar objekti, a është ai në sinkron me zhvillimet e progresin global të ndërtimeve e arredimeve muzeore, a e konkuron e sfidon ai kohën e humbur të socrealizmit? Unë mendoj se, në pjesën arkitektonike, ashtu si do të jap edhe argumente të tjerë të shumtë mbi brendinë teknologjike të muzeut, kjo kërkesë nuk është plotësuar sepse shumë komponentë të tij ia bëjnë thuajse të pamundur funksionimin normal të tij.
4. Brendia muzeore dhe ekspozita.
Le të tentojmë të futemi brenda muzeut. Aspak “miqësore e mikpritëse”, porta e madhe prej dhogash druri të shëmtuara e pa asnjë hapësirë drite “komunikimi”, si një derë kapanoni, garazhi, hangari qëndron e mbyllur e vizitori duhet të orientohet disa çaste për të gjetur mënyrën se si do të komunikojë për të hyrë. Kjo nuk është rastësi, por ka të bëjë me disa defiçenca e pamundësi që vijnë si rezultat i mungesës së theksuar hapësinore e, si rrjedhojë, e disa zgjidhjeve të kushtëuara, të detyruara, por krejt të gabuara e amatoreske, madje që dëmtojnë edhe qindrat e objekteve të ekspozuara, duke përbërë një skandal mjedisor muzeologjik. Konkretisht, pasi gjendesh brenda muzeut nuk ka si mos të bëjë përshtypje ngjyra e zezë e gjithçkaje që të rrok pamja, që nga pllakat e dyshemesë (të një cilësie të dobët, ashtu si edhe te shkallët e pjesërisht në katin e dytë të ekspozitës) e pothuajse e të gjitha “mobilerive” e shumë kamareve të tjera ambientalë pa ndonjë funksion konkret të rëndësishëm e fare të rëndomta (si fole pëllumbash) prej gipsosonidi të lyera me bojra plastiko. (Foto 7) Duket se kjo është shija e firmës projektuese “Bolles+Wilson”, e cila ka marrë përsipë projektin e arredimit të brendshëm të muzeut. Edhe në disa godina të tjera publike apo ndërtesa masive në bulevardin “Republika” të projektuara nga kjo firmë dominon ngjyra e zezë, e cila të godet ekstremisht, gjë që nuk ka lidhje me traditën dhe optimizmin e lirizmin e peizazhit urban mesdhetar të Korçës. Për më tepër, në kontekst të artit pasbizantin ikonografik që përbën kryesisht pasurinë e Muzeut Mesjetar ku ngjyrat “zotërojnë materien e fjalëve”, ngjyra e zezë simbolizon ferrin, djallin, demonët, satanët, ndëshkimin, errësirën, abisin e tmerrshëm, vdekjen, varrin, nekrofilinë…Mendoj se çdo ngjyrë tjetër mund të ishte përdorur në pjesën mirëseardhëse të muzeut, përveç të zezës, kurrësesi…
Sidoqoftë, edhe kjo nuk është kryesorja! Duke iu referuar një fakti fare të rëndomtë, le të na japë një shembull studio “Bolles+Wilson” nëse në muzeumet, qofshin edhe më të zakonshmit, apo në institucionet e tjera kulturore (madje edhe publike, apo sociale si teatro, kinema, biblioteka, galeri, hotele, godina shtetërore, etj) të mos ekzistojë një holl, një sallon i bollshëm pritjeje, një mjedis tranzitor ndarës midis mjedisit të jashtëm dhe ekspozitës së muzeut? Ca më tepër që në muze ky mjedis merr edhe funksione të tjera teknologjike prioritare. Kjo, për disa arsye të rëndësishme funksionale: së pari si një mjedis ku vizitorët “të marrin frymë” disa çaste, të akomodohen, të relaksohen, të parapërgatiten, të pinë një çaj, të presin rradhën nëse në ekspozitë ka grupe të tjera e ndërkohë të interesohen për lokalet e suvenireve, literaturës, guidave e katalogëve, mjediseve higjenike, etj; së dyti, për disa arsye shumë më të rëndësishme mjedisore e teknologjike, të cilat jami detyruar t’i shpjegoj. Me t’u hapur porta kryesore e muzeut, një përplasje, apo shtjellë e fortë ajri krijohet për shkak të ndryshimit të temperaturës së jashtme të muzeut me atë të ajrit mikroklimaterik të kondicionuar të brendisë së tij. Ajri nga jashtë muzeut sulmon vrullshëm direkt pavionet e ekspozitës, duke prishur ekuilibrin e temperaturave e lagështisë relative, por duke e ndotur mjedisin dhe objektet me pluhura e, sidomos me mikroorganizma e insekte, ndaj të cilave ikonat prej druri e materiale të tjera organike janë shumë të ndjeshme për t’u atakuar entomologjikisht. Pra mungon barriera izoluese, mbrojtëse që në çdo muze sado të vjetër, klasik, apo modern është holli multifunksional e preekspozicional i publikut. Dhe kjo mungesë përbën një skandal të vërtetë arkitekturor e teknologjik në dëm të vlerave së paçmuara të një prej trashëgimive artistike më të kurorëzuara në Shqipëri. Sigurisht, projektuesit me sado pak eksperiencë e dinë domosdoshmërinë e këtij ambjenti, por ata i ka detyruar të aplikojnë këtë zgjedhje të dënueshme mungesa e sipërfaqeve, apo volumeve të mjaftueshme të këtij muzeu. Asnjë arkitekt profesionist nuk do të kish pranuar të projektonte zgjidhje të tilla. Sepse, pika më e dobët e këtij muzeu mbetet pamjaftueshmëria, ngushtësia, dendësia, kapaciteti i tij i vogël hapësinor. Madje kati i parë përsa i takon lartësisë është aq i ulët sa nuk e kap asnjë standard apo manual veprash publike, pra sërish një skandal ala shqiptar.
Kur u formatua së pari ‘muzeu i vjetër’ i Artit Mesjetar në vitin 1980, vetëm për projektimin e ekspozitës u angazhua një ekip akademikësh dhe specialistësh arkeologë, bizantologë, studiues shkencorë e konservues nga më të njohurit, të cilët hartuan së pari platformën metodologjike e shkencore se si do të organizohej kjo ekspozitë që ajo të përfshinte në brendinë e saj në mënyrë sa më racionale, sa më konçize e sipas një rendi kronologjik të gjithë spektrin e kësaj kulture e arti mesjetar mbarëshqiptar qofshin ato religioze apo etno dhe popkulturore. Për këtë arsye muzeu u quajt jo rastësisht “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar”. Kush e ka vizituar muzeun e vjetër, me siguri e mban mend ekspozitën e kompozuar jo vetëm me atribute të larta shkencore, por edhe vizualisht, artistikisht e estetikisht të admirueshme. (pavarësisht të disa kufizimeve politike e ideologjike të sistemit, të cilat u kamufluan me argumente profesionale.). Po ashtu, duke marrë shkas nga çelja e një ekspozite vetëm me 80 ikona të muzeut tonë në një sallë dytësore të Muzeut të Kulturës Bizantine në Selanik të Greqisë (Icons from the Orthodox Communities of Albania, 2006) dua të theksoj se për projektimin dhe përgatitjen e saj janë angazhuar rreth 35 specilistë të niveleve akademike! Për këtë mjafton të shihni katalogun respektiv. Ndërkaq, arredimin ekspozicional të Muzeut të ri Mesjetar e merr pa asnjë njohje e përgjegjësi profesinale përfaqësuesi fuqiplotë i studios gjermane në Korçë “Bolles+Wilson”, arkitekti Peter Wilson! Iniciativa (apo imponimi), guximi deri në lunatizëm, në këtë konglomerat projektesh e ndryshimesh, që shpesh nuk kanë as dokumente teknike, të çon vetiu tek kulla “Red Tower”, kjo monstër betoni që e shpërfytyron qendrën e Korçës.
Për të filluar shikimin e ekspozitës në muzeun e ri duhet të ngjitesh në një shkallë në qendër të tij. Çuditërisht, edhe pse shkalla është Të shëmtuara për një muze pretencioz, mu përbri tyre, që koincidon me qendrën e sallës të katit të parë dhe të muzeut, njëkohësisht, vizitori ndeshet me nyjen higjenike, nga një WC për secilën gjini dhe një varëse rrobash (“garderobë”) si në kopshtet e fëmijëve. Vend më të papërshtatshëm për këtë nyje higjenike nuk mund të gjesh. Jo vetëm nga pikpamja arreduese që mund të përbëjnë precedentin e ndjeshmërisë së “aromave e zhurmave” fiziologjike të vizitorëve, por edhe për faktin se për një muze, ku dynden grupe të mëdha turistësh, kjo nyje është shumë e vogël, mikro, aspak komode dhe plot mungesa të pajisjeve higjenike dhe aksesorëve të tjerë të domosdoshëm të higjienës vetiake. Një zgjidhje e tillë aspak komode (e cila, në fakt, paguhet në biletën e vizitorit), sigurisht, është e sforcuar, për shkak të pamjaftueshmërisë së volumeve të godinës, por edhe të punës aspak cilësore të projektuesve. Kjo “nyje gordiane” që përfshin shkallët ngjitëse, “garderobën”, WC- të dhe shkallët e sajuara zbritëse përbën një zgjidhje të shëmtuar në qendër të muzeut! Për sa i përket ekspozitës në katin e sipërm, mendoj se ajo i përngjan një kaleidoskopi apo mozaiku loje me ngjyrat plot kontraste të forta të sfondeve , si dhe vendosjes jo racionale të stendave të ekspozimit të ikonave. Me këtë mënyrë, që imponohet gjithashu nga mungesa e hapësirave volumore, janë krijuar shumë korridore, labirinthe, apo ujdhesa të ngushta ekspozimi nga të dyja anët e përballë njera-tjetrës, ku jo vetëm është vështirë pamja komode e objekteve, jo vetëm se krijohet një vështirësi kaotike qarkullimi (Foto 8), por, nga prekja e pavullnetshme me shpinë, krijohet edhe mundësia e dëmtimit të ikonave.
Ajo që të bije në sy mbi cilësinë e ekspozimit është gjithashtu, mungesa e materialeve, vitrinave, tavolinave ekspozuese, vetratave dhe aksesorëve të tjerë ekspozues bashkëkohorë. Shpesh, për të “krijuar larmi” dyshemeja dhe sfondet janë prej të njëjtit material, drurit, dërrasave të llakuara, teprim i cili nuk mund të lejohet në një muze ku të gjitha objektet janë prej druri shekullor, jo vetëm nga pikpamja e rëndomtë estetike, por edhe sepse sa më shumë dru tjetër i shtuar pa kriter në një mjedis të tillë objektesh me përbërje organike, shton mundësinë e krijimit të vatrave të reja të atakut entomologjik. Gjithashtu, sasia numerike e ikonave në këtë sallë është i tepruar në krahasim me kapacitetet ekspozuese, por ka edhe më keq e për këtë do të flasim pak më poshtë. Një instalim i gabuar, gjithashtu, është ai i ikonostasit të Rehovës (sh. XVIII) edhe për vendin e mënyrën si është ekspozuar, edhe për faktin se pjesa e poshtme (pavarësisht mungesës së vlerave artistike) e tij është ekstremisht e infektuar nga një prej insekteve më të mëdhenj (rreth 1cm. i gjatë) shkatërrues të drurëve të butë (Hylotrupes Bajulus) dhe përbën një rrezik eventual për përhapjen e infeksionit në të gjithë ekspozitën, që do të thotë se për të duhej një ndërhyrje emergjente teknologjike para ekspozimit. Manierizmi për shumëllojshmëri ngjyrash, thuajse pigmente të forta të sfondeve në sipërfaqe të kufizuara me prerje të forta (me spektër nga e bardha në të zezën) nuk përfaqëson shprehjen e ndonjë stili modernist të ekspozimit. Përkundrazi ato bëhen qëllim në vetvete. Artit pasbizantin do t’i korrespondonin më harmonishëm sfonde me tone të ngrohta. Jo rastësisht në dekorimin me freska të kishave pasbizantine sfondet midis skenave të programit ikonografik realizohen me ngjyra jo pikante, por të “buta”, “neutrale”. Si më të realizuarin do të përmendja pavionin e quajtur “Ballkoni i Bardhë” i cili “të hap sytë” dhe është mbresëlënës.
Por problemin më të diskutueshëm, ku ekspozita shfaq edhe fytyrën e saj të vërtetë amatoreske është pjesa e brendshme perëndimore, siç e kanë pagëzuar “Muri i Artë”, ose më saktë tre mure, ku janë bërë edhe ndryshimet më të rënda arkitekturore e konstruktive. Pasi vizitori e ka djekur pjesën e mëparshme të ekspozitës sipas dimensionit kronologjik, vlerave e personaliteteve anonimë apo të njohur të artit tonë ikonografik, pra e ka plotësuar vizionin ekspozicional, ai duhet të përballet me një pavion ekstremisht të papërballueshëm enumerativ, vështirësisht të shikueshëm dhe të lodhshëm. Rreth 200, apo më shumë ikona, dyer ikonostasi, fragmente baltakinësh, etj. të varura në mënyrë kaotike e pa ndonjë bosht kompozicional, madje shumica të shekujve XVIII-XIX, kur arti pasbizantin konsiderohet si epokë në dekadencë dhe shënon fundin e tij, krijojnë vetëm një pamje ekstravagante, prolikse, emfatike, të lodhshme, irracionale e të papërballueshme, një amalgamë që nuk i shton asnjë vlerë ekspozitës dhe interesit të vizitorit, përkundrazi edhe për disa argumente të tjerë. Në këtë pavion ekstramuzeor objektet janë vendosur në 8, apo 9 rreshta në të gjithë lartësinë e murit (madje që nga kuota zero deri 8 apo 9 metra) dhe po aq dendur në gjerësi (rreth 35 metra). (Foto 9) Ndodhesh përballë një konglomerati skenografik fasadë, ku vizitori stepet, befasohet, ndihet ngushtë sepse nuk ka mundësi t’i soditë ngase

këndi i vështrimit të tij nuk e përballon dot atë lartësi dhe largësi. Veçse me tejqyrë! Muri i bojatisur me të verdhë (prandaj e kanë quajtur Muri i Artë), sipas mendimit tim është një konceptim e realizim kontraversal. Dihet që përbërësi dhe ngjyra kryesore e ikonave, sidomos e atyre të shekujve të fundit pasbizantinë është ari i vendosur në sfondet, veshjet, aureolat e elemetët e tjerë hyjnorë e qiellorë. Ngjyra e verdhë e murit kthehet në kundërvënie (“contrapunctus”) dhe duket se e konkuron, e zbeh këtë karakteristikë të freskografisë e ikonografisë pasbizantine. Le të japin një shembull të vetëm arreduesit e ekspozitës nëse kanë parë diku një kishë pasbizantine ku sfondi midis ndarjes së skenave ungjillore të ketë ngjyrën verdhë. Asnjëherë! Më tej, si mund t’iu shërbehet këtyre ikonave për pastrimin, kontrollin rutinë, apo evakuimin në një rast emergjence, kur dihet se në muze, sidomos në këtë pjesë të tij nuk ka asnjë mjet të mekanizuar e të destinuar për këto procese? Sigurisht që ekspozimi i aq shumë ikonave në “murin e artë” vjen për dy arsye, e para për të “riparuar” strukturalisht lartësinë e katit të parë i cili ishte jashtë çdo standarti muzeologjik dhe së dyti, sepse fondet e muzeut nuk kanë hapësira të mjaftueshme e të përshtatshme për ruajtjen e këtyre ikonave, qoftë edhe në fondet. Madje, gjatë zhvendosjes nga muzeu i vjetër, nga fondet e objekteve janë nxjerrë nga inventari dhe janë lënë andej-këtej dhjetra të tillë, që në muzeun e vjetër kanë qenë të ekspozuar.
Sidoqoftë numuri prej më shumëse 400 objektesh ikonografike i ekspozuar në këtë mikromuze është shumë i madh, i ekzagjeruar, formalist, inflancionist. Nuk është sasia e objekteve ajo që përbën surprizën e suksesin, por vlerat më të spikatura të ekspozuara me një sens kompozicional e arredues racional e të larmishëm në raport me kapacitetin volumetrik ekspozues, që në rastin e këtij muzeu është shumë i vogël. Ne, me të drejtë krenohemi se koleksioni ynë (prej rreth 8000 objektesh mesjetarë) është një nga më të mëdhenjtë e rajonit. Por, nga ana tjetër, po t’i referohesh vëllimit të përgjithshëm të muzeut të ri (prej afro 4.000 m3 ), i korrespondon që 1 objekti t’i takojë rreth 0.5m3 hapësirë spaciale, pra një shifër që në krahasim me standardeve muzore ndërkombëtare duhej të ish sa dy ose trefishin e tij.
Për disa nga këto probleme unë fola gjatë me zotin Peter Wilson ditën e inaugurimit të muzeut. Sigurisht, me sensin profesional i shfaqa atij disa nga konstatimet e mësipërme. Nga reagimet kuptohej se argumentet e tij reflektonin “problemet e projektimit të godinës” dhe që puna e tij bazohej në përligjjen se ai nuk mundi të bënte më shumë, pasi “kjo ishte nusja, ky ishte dhëndëri” (pra godina e muzeut).
5.Emri
Emërtimi si “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar” sintetizon në vetvete një platformë muzeore që përmbledh të gjitha llojet, zhanret e gjinitë e artit mesjetar në vendin tonë. Dhe arti mesjetar shqiptar nuk përfaqësohet vetëm me ikona, por edhe me zhanre të tjera, pasi dihet që për shkak të pushtimit otoman për disa shekuj, mesjeta në rajonin e Ballkanit zgjati më shumë. Kjo periudhë e gjatë pushtimi sigurisht la gjurmë e shembuj konkretë edhe në kulturën dhe artin mesjetar shqiptar. Arti otoman dhe islam, kryesisht në arkitekturë, urbanistikë, objektet e kultit, pikturë (ilustrime murale, miniatura, vizatim, kaligrafi), aplikacion (qeramikë e porcelan, tekstile e tapiceri), zejtari, letërsi, ashtu sikundër edhe arti i krishtërimit katolik, por gjithashtu edhe pasuria etnokulturore e popullore me tipare autoktone e tradicionale rajonale përbëjnë një pjesë të paneglizhueshme të artit tonë mesjetar. Kjo platformë zaten ka qenë e zbatuar në muzeun vjetër në mënyrë evidente si pjesë unike e organike e këtij arti. Mungesa e tyre e pajustifikueshme jo vetëm që përbën një cungim e mungesë shpërfillëse, ofenduese, por i krijon “Muzeut Kombëtar Mesjetar” një precedent të gabuar e abuziv në emërtimin e tij si i tillë. Në vlerësimin e shumë specialistëve vendas e të huaj, duke u bazuar në objektet ikonografike të ekspozuara në të, vetëm pak prej të cilave (me gishtat e njërës dorë) janë bizantine e gjithë të tjerat pasbizantine, realisht, muzeu nuk mund të përfaqësohet më me atë emërtim, por objektivisht jo më shumë se me emrin “Muzeu Ikonografik”, çka përbën kombëtarisht e ndërkombëtarisht një pakësim të peshës specifike, gravitetit dhe prestigjit të tij muzeologjik, pasi Shqipërisë i mungon tashmë muzeu i mirëfilltë i Artit Mesjetar Shqiptar. Mendoj se ky konstatim përbën një skandal të paprecedent shtetëror.

6.Fondet
Muzeu i Artit Mesjetar përbën një institucion kulturor polifunksional. Ekspozita përbën vetëm hallkën e fundit të një zinxhiri që i shfaqet publikut si një sintezë objektesh përfaqësuese, në krahasim me numurin e madh prej rreth 8000 veprave që ai përnban në fondet e veta. Për të arritur deri tek ekspozita objektet përshkojnë një “proces apo linjë teknologjike” që fillon nga fondet ku ruhen, konservohen e përpunohen shumica e objekteve (ikona prej druri, objekte religioze metalesh të çmuar, tekstilesh, kodikësh me material organik, etj.), të cilët jo vetëm duhen varur, apo “stivosur”, por duhet të jenë nën kontroll dhe të përpunohen e kurohen përjetësisht. Por ç’ndodh realisht me fondet e muzeut të ri? Së pari, ato nuk duhet të ishin vendosur në katin “nën tokë” për shkak të disa arsyeve madhore: rrezikut ndaj lagështisë që mund të penetrojë nga jashtë, fenomen që nuk mund të neglizhohet e që është prezent në një sërë institucionesh të ngjashme të vendit tonë (kujtoj Bibliotekën Kombëtare, Tiranë apo institucine të tjera të cilat edhe janë përmbytur). Së dyti: Ambjenti i fondeve është i vogël, i pamjaftueshëm dhe për shkak të kësaj, edhe pse rrjetat janë relativisht komode, kompozimi sipërfaqësor i vendosjes së tyre është krejtësisht i gabuar. Fondet në një muze, sidomos kur objektet përbëhen prej materialesh organikë (ikona, tekstile, letër, si në rastin tonë), vijojnë të dëmtohen e sulmohen realisht e pafundësisht nga mikroorganizma (myke) dhe insekte dhe kontrolli e trajtimi i tyre gjithëvjetor është detyrim teknologjik i konservuesve. Prandaj, në mënyrë figurative, në muze të tillë mjedisi i fondeve konsiderohet si “sallë reanimacioni” e një spitali ku çdo pacient (në këtë rast ikonë) duhet të jetë e aksesueshme plotësisht për t’u kontrolluar në të gjitha pozicionet e mundshme spaciale, veçanërisht duke qenë në pozicion statik të rrjetave e në të gjitha hapësirat e brendëshme, si dhe përgjatë perimetrit të jashtëm, pra që ato (rrjetat) të mos lëvizin sa herë duhet të kontrollojmë, apo të kërkojmë, pasi çdo lëvizje e tepërt i dëmton gjithë ikonat e asaj rrjete. Por, ka edhe më keq, në rastet më ekstreme, nga mungesa e hapësirës, ikonat janë vendosur apriori e tërthor si në rastin e fondeve në bibliotekë, pra një ikonë, një fije letre…një paradoks i paparë gjetiu…, (foto 10) madje që kanë prishur dhe sistemin e klasifikimit territorial dhe logjikën e inventarizimit. Sigurisht këto parametra (për të cilat ne kishim përvojë) nuk mund të ishin atribut i arkitektëve e konstruktorëve, por e teknologëve entomologë e ambjentalistë, që, fatkeqësisht, nuk figurojnë në grupin e projektimit e mungesa e të cilëve i kanë kushtuar muzeut të ri një dëm të pakthyeshëm. Së treti, vendosja e fondeve nën tokë dhe sidomos në këtë mjedis shumë të ngushtë krijon një precedent tjetër, atë të pamundësisë së evakuimit në rast të ndonjë ngjarjeve të pazakontë e të rrezikshme, siç është psh. zjarri. Pavarësisht se për çfarë arsye, para disa kohësh, aksidentalisht u dogj Katedralja e Parisit, e paimagjinueshme për një monument simbolik e botëror. Por ja që ndodhi! Kjo ngjarje është një kambanë alarmi për të gjtha institucionet kulturore e aristike shqiptare, ku masat kundër zjarrit janë të papërfillshme. Lidhur me këtë dukuri, në rastin e Muzeut të ri Mesjetar në epiqendër të fondeve është vendosur “”laboratori” i trajtimit të ikonave kundër biodegradimit. Ai bazohet në rritjen e temperaturës dhe balancimit të lagështisë së ikonave për një kohëzgjatje të caktuar, në mënyrë që të ngordhin insektet, larvat, vezët e tyre dhe mikroorganizmat e tjera.
Pra, kjo linjë bazohet në paisje termike elektrike që krijojnë temperatura mbi ato normalet dhe, si çdo paisje tjetër elektrike në një moment të veçantë mund të pësojnë defekte elektrike (apo ndonjë defekt mbingarkese tensioni e qarku te shkurtër në linjat elektrike) që mund të shkaktojnë shkëndija, flakë, zjarr, i cili mund të shpërndahet shumë shpejt duke shtuar këtu edhe faktin e disfavorshëm që objektet tona janë mijra ikona me panele druri. E nëse Notre Dame do të rindërtohet sërish, ikonat nuk mund të “rindërtohen” më. Po kështu mund të ketë probleme të shfaqjes pjesore të zjarrit në fonde, i cili mund të diktohet. Por, a është mënyra e shuarjes me ujë zgjidhja problemit? Jo! Nga uji ikonat do të dëmtoheshin në mënyrë të pariparueshme. E pra, vendosja e fondeve në katin nën tokë, planimetria jo adekuate e vendosjes së tyre, si edhe pajisjet elektrike të laboratorit antibiodegradues midis tyre, rreziku nga uji dhe zjarri si dhe mjedisi i pamjaftueshëm e i pamanovrueshëm përbëjnë skandalin e radhës! Me problemin e rrezikut kundër zjarrit dhe fenomeneve të tjera natyrore, në mënyrë të veçantë, nuk bëhen eksperimente, nuk ka tolerim; projektuesit duhet të garantojnë sigurinë maksimale me shifra deri 100%. Përndryshe marrin përgjegjësi të skajshme profesionale.(foto 11)
7.Teknologjia, laboratorët.
Një prej funksioneve, ndoshta nga më të rëndësishmit në Muzeun Mesjetar është konservimi (apo restaurimi, siç artikulohet me një gjuhë më të zakonshme) e ky proces zhvillohet në laboratorët respektivë. Ne kemi patur një përvojë relativisht të
mirë në muzeun e vjetër, aq sa ky institucion konsiderohej si një nga qendrat më dinjitoze të restaurimit të ikonave, edhe duke u nisur nga fakti se laboratorët plotësonin shumicën e kritereve të punës normale për konservim, si dhe, kryesorja, kushtet optimale të garantimit të parametrave supernormalë të sigurimit teknik dhe shëndetësor të punonjësve, të ruajtjes së materialeve dhe substancave kimike të rrezikshme, flakëruese e antishëndetsore, me të cilat punojnë specialistët (laboratori i konservmit të ikonave, laboratori i konservimit kimik, laboratori i përpunimit entomologjik, laboratori i restaurimit të paneleve drusore,etj. me vëllim të përgjithshëm rreth 700 m3). Po ashtu, specialistët tanë kanë punuar për një periudhë disa vjeçare në laboratorin e konservimit të ikonave në Muzeun e Kulturës Bizantine, Selanik, kanë patur rastin të shohin edhe laboratorë të tjerë të huaj, të ndërtuar madje shekullin e kaluar, gjithashtu. Pra, deri diku ne e kishim një përvoje pozitive. Krahas kësaj për projektimin e laboratorëve modernë ka norma, kritere dhe modele të përcaktuar nga institucione relevante kombëtare e ndërkombëtare. Por çfarë ka ndodhur, në fakt, me laboratorët në muzeun e ri mesjetar? Fatkeqësht një megaskandal i paprecedent! I vetmi laborator që është vendosur në të (sigurisht rëndom për shkak të mungesës së hapësirës në muze), ai i konservimit të ikonave, nuk plotëson asnjë kriter ligjor, profesional, mjedisor, shëndetësor. Ai është shumë i vogël në sipërfaqe, lartësi, volum, kapacitet (70 m3, pra rreth 6 herë më i vogël se në muzeun e vjetër ), pa ndrçim e ventilim natyral të mjaftueshëm. Brenda tij ka vetëm 4 “mikrotavolina” primitive e jofunksionale, prej materialesh të papërshtatshme dhe 4 ndenjëse, aty nuk ke mundësi ku të vërtitesh për të punuar në mënyrë komode në favor të objekteve që restaurohen. “Laboratori” s’ka asnjë pëllëmbë vend të lirë për perspektivën e tij. Ventilimi i çdo tavoline me disa aspiratorë që të kujtojnë ato të qoftexhinjve, teknologjikisht është i gabuar. Ekszistojnë mënyra të tjera shumë më të përparuara. Asnjë aparaturë e re, qoftë edhe një mikroskopi domosdoshëm elektronik, nuk ka vend ku të instalohet dhe as që është menduar për modernizimin e tij, fare, fare… Shembujt e laboratorëve funksionalë, i njohin shumë mirë restauratorët. Një shembull elementar: si mund të përfytyrohet restaurimi i objekteve të këtij muzeu pa mundësinë e sigurimit të ujit të distiluar, apo të zbutur, paisjet e të cilave kërkojnë ambjent të veçantë. Dihet që uji i zakonshëm ka kripra të ndryshme por edhe jone klori (si dezinfektues) të cilat mund të krijojnë acid klorhidrik dhe ky i fundit është një komponim shumëi rrezikshëm edhe për ngjyrat, edhe për vernikët, edhe për objektet prej metalesh, letre, guri, tekstili, etj. Laboratorit i mungojnë, gjithashtu disa dhoma të tjera ndihmëse, si ato të ruajtjes së materialeve e substancave kimike, kápa, dhoma e errët e paisjeve elektronike, ambjenti i diagnostikimit e fotografimit me röntgen, mjedisi i higjenës e shplodhjes (sepse restauruesi nuk punon dot pa ndërprerje më shumë se gjysëm ore rresht, për shkak të përqëndrimit të shikimit dhe të materaleve kimike të dëmshme.) Të gjitha janë absolutisht të rëndësishme, por ato që unë veçoj si më skandalozet janë mosrespektimi i funksionit minimal për të punuar, si dhe rreziku potencial i dëmtimit të shëndetit të punonjësve nga lëndët kimike kancerogjene (kujtoj petrifikimin) të cilat veprojnë ngadalë në sistemin respirator, në tru dhe sistemin nervor e atë abdominal. Restauruesit dhe konservuesit me përvojë, si ata të Muzeut Mesjetar, që në Shqipëri numërohen me gishta, janë pasuri e profesionistëve që sakrifikojnë e rrezikojnë me shëndetin. Meqë nuk kanë asnjë status mbrojtës shëndetsor, unë ju sugjeroj atyre që të mos punojnë më, ta bojkotojnë punën, përderisa nuk ju sigurohen kushte dhe një garanci nominale për shëndetin e tyre. (Foto 12)
Përballë laboratorit të mësipërm ndodhet i etiketuar iashtuquajturi “Laborator Kimik”. Një skandal edhe më i madh! I paimagjinueshëm! Për të qeshur e për të qarë! Ai s’është më shumë se sa një miniambjent rreth 12m2, apo 30m3 (në muzeun e vjetër ky laborator ishte 200m3 dhe shumë i organizuar profesionalisht) , pa asnjë objekt, paisje, mobilje që mund t’i përafrohet atij qoftë edhe imagjinatës së një laboratori në një shkollë fshati të thellë(Foto 13). Ai nuk ka asnjë dritare, apo mënyrë natyrale ajrimi, nuk ka instalime hidraulike dhe asgjë tjetër që mund të japë idenë. Madje, ka thuajse katër vjet që bashkë me eleminimin e këtij laboratori në muzeun e ri, është mënjanuar nga organika edhe
inxhinieri restaurues kimist apo biolog, edhe ky një skandal që nuk mund të përtypet. Siç dihet, procesi i diagnostikimit, konservimit dhe restaurimit të ikonave, objekteve, metalike, të gurit, tekstilet, letra, objektet e drurit të papikturuar, etj., të cilat ndodhen në muzeun mesjetar, bazohet në aplikimin e përbashkët e të alternuar të shkencave natyrore si kimia, biologjia, fizika, entomologjia, arkeometria, dendrologjia, spektrometria, arkeologjia, kristalografia, etj., gjë që nuk diskuton më domosdoshmërinë e specialistëve të këtij profili restaurues apo konservues në muzeun mesjetar, përderisa ne nuk kemi shkolla të mirëfillta universitare apo pasuniversitare për restauratorë…Mjafton t’u hedhim një sy konferencave ndërkombëtare dhe të shohim me çfarë profesionesh janë lektorët, kumtuesit e relatorët, profesorët, restauratorët, që të bindemi, pa mohuar, natyrisht, edhe aspektet e restaurimit artistik apo estetik. Madje, habitem, ku ndodhen tani në muzeun e ri ato qindra kimikate e aparatura që ndodheshin në laboratorin biokimik të muzeut të vjetër me të cilat unë krijova dhe punova për më shumë se tre dekada duke diagnostikuar, analizuar, eksperimentuar e konservuar qindra objekte metalikë, tekstili, letre, apo druri,etj. Me siguri nga të dhënat që kam ato ndodhen në vendin e gabuar, madje mund të përbëjnë një rrezik real për muzeun e personelin!
Sa për laboratorin e restaurimit mekanik të objekteve prej druri me gjithë atë arsenal pajisjesh, instrumentesh e veglash pune e orendish, as që bëhet fjalë që të shfaqet diku.
Midis të tjerash Ligji Nr, 27/2018 PËR TRASHËGIMINË KULTURORE DHE MUZETË, në nenin 207, pika 3 thekson: “Pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar mgrihet dhe funksionon Qendra e Restaurimit dhe Studimit të Ikonave, e cila ngrihet edhe si qendër e restaurimit të materialeve dhe veprave ikonografike, me synimin për të formuar restauratorët e ardhshëm në fushën e ikonografisë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji…” Ndaj këtij përcaktimi ligjor, mjediset dhe baza laboratorike e muzeut s’janë veçse ëndërra me sy hapur.
Muzeut të ri Mesjetar i mungojnë gjithashtu disa ambjente të tjera jetike, pa të cilat nuk mund të përfytyrohet një institucion i tillë me status ”kombëtar” i ndërtuar në vitin 2016, pra institucioni më i ri kulturor kombëtar në Shqipëri.
I mungon së pari një sallë alternative ekspozitash; skandal!
I mungon, më tej një sallë konferencash, apo një “amfiteatër” modern për veprimtari të ndryshme shkencore e audiovizive lokale, kombëtare e ndërkombëtare me kapacitet të mjaftueshëm të paktën për rreth 100 persona; dy aktivitetet shkencore të zhvilluara aty e reflektuan më së miri këtë skandal! Ja se në ç’mënyrë qesharake zhvillohet një aktivitet i rëndësishëm shkencor kur mungon salla e përshtatshme…: Skandal (Foto 14,15)
I mungon lokali i bibliotekës së instiucionit, njëheresh edhe si mjedis studimi e kërkimi shkencor për punonjësit dhe studiuesit e tjerë të jashtëm, edhe pse biblioteka ekzistuese në muzeun “e vjetër” u shkatërrua nga drejtuesit e papërgjegjëm të tij: skandal!
I mungojnë mjediset e veprimtarive edukuese, aulat metodike teorike e praktike interaktive për nxënësit dhe të rinjtë e shkollave të apasionuar pas historisë dhe artit e kulturës mesjetare e bizantine: skandal!
Muzeut i mungon çdo perspektivë e zgjerimit të kapaciteteve hapësinore restauruese për të ardhmen: skandal!
Kjo situatë e trishtueshme dhe e papranueshme për institucionin më të ri artistik kombëtar në Shqipëri, që ka shkelur me të dy këmbët çdo ligj e normë projektimi, ndërtimi, teknologjie është rezultat i një kompromisi “xhentëlmenësh” i disa njerëzve që, të veshur me mantelin e pushtetit, kanë mbyllur “in extremis” dhe në mënyrën më hibride e mediokre gropën prej betoni të mbetur aty prej shumë vitesh dhe jo ndërtimin e një muzeu të ri që të ballafaqohet me sfidat e bashkëkohësisë dhe vizionin e së ardhmes. Kryeministri E. Rama, ish zv. Kryeministri N. Peleshi, ish ministrja e kulturës, M. Kumbaro, kryetari i bashkisë së Korçës S. Filo studiot e projektimit “Dea” dhe “Bolles+Wilson” duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për veprimet dhe mosveprimet e tyre, si dhe për konspiracionin diabolik që fshehin e shpërfillin detyrimin e tyre kryesor-zbatimin e ligjshmërisë respektive mbi monumentet dhe trashëgiminë kulturore dhe ato të ndërtimit të objekteve e veprave të reja madhore me status kombëtar kulturor, ndaj duhet të përgjigjen.
Edhe një konstatim domethënës: Vlera totale e investimit nuk e ka kaluar vlerën 800.000 €uro megjithë prishje-ndreqjet apo punimet e kryera nga dy herë. Çka tregon se është një investim qesharak për një institucion kombëtar me vlera e statusin më të lartë kulturor në Shqipëri.
Sigurisht, një përgjegjësi të veçantë ligjore e pofesionale ka “i zoti i shtëpisë”, pra drejtori i Muzeut të Artit Mesjetar, L.G., që edhe pse e ushtron këtë detyrë prej 20 vitesh (ndërkohë që mandati i tij është 3 vjeçar), nuk influencoi aspak me kompetencat e detyrat që i atribuon ligji i projektimit e ndërtimit në këtë rast si subjekt porositës. Inaktiviteti, neglizhenca, mediokriteti dhe kompromisi i heshtur i tij me aktorët e tjerë qeverisës, projektues e zbatues “për shtëpinë e tij” është rrjedhojë e paaftësisë së tij intelektuale e profesionale, i një drejtuesi që përbën ndoshta rastin më të spikatur, më unikal nepotik e klientelist në Shqipëri nëpërmjet piruetave politike, familjare e materiale, i drejtuesit që për hir të pazotësisë, konformizmit, servilizmit, mefshtësisë së tij ka qëndruar i fshehur e i trembur si hije, si “miu prapa poçes” për të mos u hapur probleme e shqetësime eprorëve të tij, një drejtues, CV 20 vjeçare e të cilit si i tillë s’është më shumë se sa një fletë e bardhë, bosh, nul, pa asnjë kontribut administraiv, profesional, kulturor, pa asnjë vizion, një dembel Stambolli, një vegjetues i përgjumur, inekzistent, hije. Roli i tij drejtues në muze si renegat apo mercenar politik i paskrupullt, ekscentrik, perfid, makiavelik ka qenë bazuar në krijimin e aleancave, konçensineve e grupazheve të bazuara në interesa reciproke. Roli i tij i papërgjegjshëm përbën edhe një nga arsyet kryesore, në mos kryesoren të dështimit të muzeut të ri mesjetar. Nqs ai do të bëhej një barrierë për të kundërshtuar ndërtimin ekstraligjor të këtij muzeu të parashkruar për dështim dhe që ai e dinte me koshiencë, nuk do të ndodheshim në këtë situatë skandaloze. Për të gjitha këto, ai duhet të përgjigjet administrativisht e ligjërisht. Ndërsa moralisht, nuk e di se si ndërgjegja e shpirti i tij do të gjejnë paqe e qetësi, për atë eulogji që ai i la trashëgimi qytetit Shqipërisë dhe qytetit të Korçës.
Në përfundim theksoj me vetëdjë të plotë profesionale e qytetare se Muzeu (‘I ri’)Kombëtar i Artit Mesjetar”, në Korçë përbën një prej precedentëve më të dukshëm negative në shek. XXI, atë të dështimit në fushën e ruajtjes, konservimit, ekspozimit dhe transmetimit të trashëgimisë mijëvjeçare kulturore shqiptare. Po ritheksoj vetëm dy fakte që fokusohen si rezultante e të gjitha atyre që trajtova më lart: 1) hapësira e muzeut duhet të ishte të paktën sa dyfishi i tij; 2) Muzeu është projektuar, ndërtuar e arreduar në mënyrën më antiligjore e më antiprofesionale të mundshme nga institucione shtetërore, studio, kompani e individë pa kurrfarë përvoje në këtë fushë, por të detyruara e ortake me njerëz të pushtetshëm të qeverisë, që, më shumë se ndërtimin e tij ata kishin për qëllim shmangjen e përgjegjësive shtetërore e morale për të mbyllur atë zgafellë betoni të mbetur aty prej shumë vitesh e që, sipas mediave të huaja, ishte shndrruar në një ambjent prostitucioni e të droguarish.
Fatkeqësisht, zhguni i tij tepër i ngushtë, sado i eksperimentuar, modifikuar, i mballosur në mënyrë butaforike nga zanatçinj delikuentë, madje edhe kuaziligjorë, i rri shumë ngushtë margaritarit unikal të artit mesjetar shqiptar.
Ky muze i improvizuar keq duhet zhbërë. Zgjidhja e vetme është ndërtimi i një muzeu bashkëkohor, të plotë e të denjë kombëtar të Artit Mesjetar dhe shndrrimi i godinës që analizuam në një muze provincial historik a etnografik, të cilët në Korçë mungojnë prej shumë vitesh, duke përmbushur kështu njëheresh edhe zanafillën e odisesë që lançuam më lart.
Për këto arsye unë ju bëj apel të gjitha autoriteteve shtetërore e atyre ligjorë, të gjitha institucioneve të trashëgimisë kulturore e atyre akademike, investiguese e kontrolluese shqiptare, specialistëve muzeologëe e restaurues, si dhe të gjitha organizmave relevante ndërkombëtare (ku Shqipëria është anëtare, apo ka marrëdhënie) e që kanë detyrime ndaj pasurisë kulturore europiane e botërore, që e ndiejnë veten të obliguar ndaj kësaj trashëgimie me vlera universale, të ndërhyjnë e influencojnë sa më shpejt për t’i dhënë një zgjidhje bashkëkohore këtij muzeu.
*Autori i shkrimit ka punuar 33 vjet në MKAM si Përgjegjës i laboratorëve të restaurimit, muzeolog, studiues dhe botues i artit mesjetar.

SHKARKO APP