Naim Frashëri një emblemë e shndritshme e kulturës, patriotizmit dhe Shqipërisë europiane
Nga Gentiana NISHICA (MALAJ)
Naim Frashëri një emblemë e shndritshme e kulturës, patriotizmit dhe Shqipërisë europiane
Është e pamundur të analizosh në një shkrim të vetëm figurën shumëdimensionale të Naim Frashërit e veprën e jashtëzakonshme që ai ia blatoi me aq dashuri, përkushtim e krenari njëherësh nënës Shqipëri, atdheut të tij të robëruar. Rilindës, poet kombëtar, hartues tekstesh shkollore në gjuhën shqipe, ideolog i shquar i filozofisë bektashiane, dishepull i patriotizmit e Shqipërisë europiane, Naimi përmes penës së tij të artë u bë frymëzuesi i aksionit të madh të Rilindjes për çlirimin kombëtar, zgjimin kulturor e progresin shoqëror të bashkëkombësve të tij. Nëse Pashko Vasa e Abdyl Frashëri cilësohen me të drejtë si “etërit” e “arkitektët” e nacionalizmit shqiptar (kujtojmë Lidhjen e Prizrenit), Naimi me poemat e tij të njohura “Historia e Skënderbeut”, “Bagëti e bujqësi” e “Qerbelaja” u brohorit nga bashkëkohësit e vet si “apostull” i shqiptarizmës. Vepra e Pashko Vasës “E vërteta mbi Shqipërinë e shqiptarët” e shkruar në gjuhën frënge në dekadën e fundit të shekullit të XIX-të, i tregoi botës së civilizuar se ka një komb shqiptar në Ballkan, autokton prej mijëvjeçarësh e një çështje shqiptare të shtruar për zgjidhje.
Poet i lindur e me talent të rrallë, Naim Frashëri i pajisur me një kulturë të gjerë falë universit të pamatë të dijes e interesave të tij intelektuale, e mori shpejt në duar stafetën e lënë nga paraardhësi i tij i shquar Jeronim de Rada dhe u bë shpejt figura qendrore e kulturës kombëtare. Me Naim Frashërin letërsia e gjuha shqipe njohën një hop të tillë cilësor i cili nuk ishte njohur në pesë shekujt e sundimit otoman. Zgjimit të ndërgjegjes kombëtare përmes shkrimit shqip, hapjes së shkollave në gjuhën amtare dhe iluminizmit të bashkëkombësve me idetë e Rilindjes Europiane e të Revolucionit Francez, i kushtoi të gjithë jetën dhe energjitë e tij. Akademik Rexhep Qosja në studimet e tij e quan me të drejtë “mësues i popullit shqiptar”. Për ne “bilbili i gjuhës shqipe” siç e kanë pagëzuar bashkëkombësit, ka po atë vlerë si Pushkini për gjuhën e kulturën ruse apo Dantja për atë italiane. Që në bankat e “Zosimeas” së Janinës rilindësi i madh ra në kontakt me veprat e iluministëve të mëdhenj frëng Russo e Volter dhe e përcaktoi qartë kauzën e veprës së tij, e cila ishte një iluzion i largët e njëherësh jetik e i domosdoshëm për ëndrrën e lirisë e të shtetformimit shqiptar. Nëse pesë shekuj më parë Gjergj Kastrioti e tregoi me tehun e shpatës identitetin europian të shqiptarëve, postulati i famshëm i Naimit: “Ti dritë që lind nga perëndon”, është rikonfirmim i përjetshëm i rrënjëve tona historike dhe një busull e pagabueshme orientimi nëpër udhëkryqet e historisë. Naimi si askush tjetër vendosi dhe e përjetësoi në art një raport special e të amshuar me atdheun:
Ti Shqipëri më jep nder,
më jep emrin shqipëtar!
Këto vargje profetike janë testamenti i përjetshëm i patriotizmit dhe i dashurisë sublime ndaj tokës që e lindi, një besëlidhje e shenjtë dhe e përjetshme.
Naim Frashëri është ideologu kryesor dhe më i shquar i bektashizmit shqiptar, këtij besimi që u njësua qysh në fillimet e tij me idealet e larta kombëtare, lirinë e pavarësinë. Teqetë bektashiane në Frashërin e tij e mbarë Shqipërinë u kthyen në vatra të flakta lirie.
Përmes veprës madhore “Historia e Skënderbeut” Naim Frashëri i thuri një himn të pavdekshëm heroit legjendar të shqiptarëve dhe zgjoi tek bashkëkombësit e tij dëshirën e flaktë për liri. Hyjnizimi i një figure reale e madhështore të historisë si Gjergj Kastrioti, mveshja e tij me cilësi e forcë të mbinatyrshme ishte për poetin jo vetëm evokim i “motit të madh të arbrit” e protagonistit të kësaj epoke heroike, por edhe bindja e thellë e poetit se Zoti që i dhuroi Arbërisë një të tillë kryembrojtës nuk do ta braktiste popullin e tij që lëngonte nën thundrën e pushtuesit të Azisë. Heroin kombëtar të veshur me pancir e të armatosur deri në dhëmbë që u prin trimave të tij drejt qytetit heroik, Naimi jo rastësisht e krahason me pëllumbin, simbolin e paqes:
Krujë, i qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë,
po vjen si pëllumb i shkruar,
të shpëtojë Mëmëdhenë.
Naimi është njëri nga burrat mendjendritur që ka ngritur në doktrinë unitetin e harmoninë fetare, njërën nga kryevlerat kombëtare me të cilat krenohemi me të drejtë para botës së qytetëruar. Për bektashizmin shqiptar e Naimin si emblemë të tij, shqiptarët pavarësisht religjioneve të ndryshme janë vëllezër të një gjaku e një gjuhe dhe kanë vetëm një nënë, Shqipërinë. Idetë e tij dhe të rilindësve të tjerë nuk ranë në një truall të zbrazët. Ndërgjegjja kombëtare u zgjua duke davaritur errësirën e shekujve. Shqiptarët e të katër besimeve u dhanë mandatin liderëve të tyre me qëllimin e shenjtë mëvetësinë e Shqipërisë e prosperitetin e saj. Ata ishin së bashku në Manastirin e alfabetit shqip e në Vlorën e pavarësisë.
Naimi i madh kaloi në amshim pa e parë Shqipërinë të lirë e të pavarur për të cilën kishte dhënë një kontribut të pavdekshëm. Ndoshta e kishte profetizuar vetë fundin e afërm teksa shkruante:
Lum kush të rrojë,
ta shohë zonjë!
U fik si qiriri për të ndriçuar kombin e bashkatdhetarët e tij në kryeqendrën e perandorisë të cilës nuk ia fali kurrë pushtimin e atdheut, obskurantizmin e prapambetjen që i imponoi e mbi të gjitha aneksimin me dhunë e shkëputjen nga kontinenti nënë Europa. Guximi e kurajoja intelektuale e bilbilit të gjuhës shqipe janë në kufijtë e legjendës. Imagjinoni një nëpunës të lartë të perandorisë turke e cila edhe në grahmat e fundit ishte e fuqishme, e egër dhe e frikshme t’i bëje një “skaner” aq të qartë e ta nxirrje lakuriq barbarinë e hipokrizinë e saj ndaj shqiptarëve, si bëri poeti ynë i madh në veprën e tij “Historia e Skënderbeut”.
Pa qenë studiues i mirëfilltë i gjuhës ai e ngriti shqipen në një standard të ri. Megjithëse nuk ishte klerik, arriti mrekullisht të ishte lideri shpirtëror i bektashizmit shqiptar, besimit më të ri që zuri paqësisht rrënjë në trojet shqiptare. Naimi është një ndër dishepujt e mëdhenj të bashkimit shpirtëror të kombit ashtu si pasardhësit e tij mendjendritur Mjeda, Fishta e Ismail Kadareja. Si poeti i parë i madh i trojeve shqiptare, Naim Frashëri u shndërrua në një model idilik e burim frymëzimi për brezat e krijuesve që erdhën pas tij. Emri i tij vetëtin në vitet e shekujt. Ai është bashkudhëtari i përjetshëm në rrugën e historisë së kombit të tij, ashtu si Skënderbeu e Nënë Tereza, Bogdani e Fishta, Ismail Qemali e Ibrahim Rugova. Ai e shkroi vetë testamentin e pavdekësisë:
Kur më shihni se jam tretur,
mos kujtoni se kam vdekur,
jam i gjallë e jam në jetë,
jam në dritën e vërtetë.
Për njerëzit e mëdhenj kufiri jetë – vdekje është konvencional e krejt i papërfillshëm. Shumë nga ata bëhen akoma më të rëndësishëm kur largohen nga kjo botë e shpirti i tyre fluturon në amshim. I tillë është Naimi, një prej racës së të pavdekshmëve. Gjuha është përjetësia dhe identiteti i një kombi e bashkë me të edhe kryemjeshtërit e mëdhenj të saj. Naim do të thotë fat e ne shqiptarët patëm fatin të kishim një magjistar të gjuhës tonë si ai.