Nasho Jorgaqi nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i qarkut të Elbasanit
Të shtunën, në 22 dhjetor 2018, në një ceremoni të zhvilluar në Bibliotekën “Qemal Baholli” të Elbasanit, Këshilli i Qarkut të këtij qyteti nderoi me titullin “Qytetar nderi” shkrimtarin, studiuesin, përkthyesin e poetin Nasho Jorgaqi.
Në një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të intelektualëve, shkrimtarëve dhe lexuesve të shumtë, kryetari i Qarkut të Elbasanit, zoti Bukurosh Stafa, bëri një përmbledheje të hollësishme të jetës dhe të gjithë krijimtarisë letrare të Nasho Jorgaqit. Duke folur për paraardhësit e Nasho Jorgaqit ai përmendi edhe dy firmëtarët e aktit të ngritjes së flamurit më 25 nëntor 1912 në Elbasan, Nikolla e Serafin Jorgaqi.
Në mbarim të fjalës së tij, duke i dorëzuar titullin, kryetari i Qarkut tha: “Meqenëse Nasho Jorgaqi është një figurë poliedrike, e kishim shumë të vështirë që motivacionin ta përmblidhnim në pak fjalë … Megjithatë, konkluduam kështu: “Për merita të veçanta dhe kontribut të shquar dhënë në fushën e letrave shqipe si shkrimtar, studiues, biograf, përkthyes, intelektual, patriot, antifashist, përfaqësues i denjë i qarkut të Elbasanit.””.
Më pas e mori fjalën znj. Xhuljeta Graceni, kryetare e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, dega Elbasan, e cila shprehu mirënjohje për krijimet e Nasho Jorgaqit me temën e Luftës dhe të dëshmorëve e, veçanërisht, për veprën kushtuar Qemal Stafës, duke e cilësuar atë si monumentin më të madh letrar kushtuar atij. Pastaj folën e përshëndetën në emër të kryetarit, nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Klevis Xhoxhi, shkrimtari Fatmir Musai, përkthyesi Bardhul Toda.
Me një kumtesë të gjatë profesori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe studiuesi Ilir Yzeiri mes të tjerave theksoi: “Prof. Nasho Jorgaqi ka një meritë të padiskutueshme se është një nga studiuesit më të zot, më të talentuar dhe më punëtorë të letërsisë shqipe të traditës dhe të asaj shqiptare në përgjithësi. Ai është ndër të rrallët studiues, ndoshta, që ka njohur, ka hulumtuar, ka studiuar dhe i ka paraqitur publikut shqiptar kontributet letrare të krijuara në të gjitha hapësirat anekënd globit ku jetojnë shqiptarë: në Shqipëri, Kosovë, te arbëreshët e Italisë, në Zarë të Dalmacisë, në Greqi, SHBA e kudo. Nuk ka tekst të shkruar në shqip me vlerë artistike apo dokumentare që Nasho Jorgaqi nuk e ka prekur, nuk e ka lexuar dhe, më në fund, të mos ia ketë bërë të njohur publikut shqiptar. Por, mbi të gjitha, ai u bë i famshmëm me biografinë shkencore “Jeta e Fan Nolit” I,II (2006), për të cilën punoi mbi njëzet vjet dhe na solli një nga modelet më të plota të letërsisë dokumentare e biografike për një nga figurat më të ndritura të kulturës, politikës, diplomacisë e gjithçkaje që mund të shenjojë një personalitet i madh, siç ishte Fan Noli.
Lloji i studiuesve të Nasho Jorgaqit sa vjen e po rrallohet, por tani vonë ai të mahnit me entuziazmin, energjinë dhe pasionin për të ndihmuar përsëri që trupi i sëmurë i kulturës shqiptare të mund të dalë nga koma e thellë ku ka rënë…”. Në mbyllje të fjalës së tij Ilir Yzeiri tha: “I dashur, profesor! Ta gëzosh nderin që po të bën sot qyteti i Elbasanit. Unë jam krenar që të deklaroj se kam qenë studenti juaj dhe se falë jush arrita që t’i kushtohem edhe unë letërsisë dhe të arrij këtu ku jam sot. Faleminderit, profesor!”
Ndërsa publicisti Ilir Mborja në fjalën e tij mes të tjerash theksoi: “Shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi, ky personalitet i kulturës sonë kombëtare, me jetën dhe veprën e tij voluminoze, veç të tjerave, mbetet dëshmitar i ndershëm i kohës së tij, që për fatin tonë është edhe koha jonë. Nasho Jorgaqi është një shkencëtar me shpirt artisti, po aq sa një artist me dije shkencëtari. Me veprën e tij të shkruar ai ka ruajtur më së miri shenjtërinë e artit dhe të shkencës. Gjithmonë i vërtetë e i ndershëm edhe në kushtet social-politike në të cilat u zhvillua një pjesë e krijimtarisë së tij madhore, Nasho Jorgaqi mbetet nga të paktët personalitete në kohën e sotme (mbushur me kameleonë politikë), tek i cili triumfoi shpirti i ndershëm i një poeti, misionar i së vërtetës. Bash për këtë vëllimet poetike janë ato me të cilat po na befason së fundmi Nasho Jorgaqi.
Duke nderuar Nasho Jorgaqin, Elbasani sot nderon veten e bashkohet me Qarkun e Fierit që edhe ata e kanë nderuar më parë me titullin “Qytetar Nderi”. Po ashtu, “Qytetar Nderi” e ka shpallur Nasho Jorgaqin edhe Dropulli. “Nderi i Orës së Maleve” e ka shpallur komuna shqiptare e Rozhajës në Malin e Zi. “Krenaria Arbëreshe”, komuna e Çivitës në Kalabri. “Mjeshtër i Madh i Punës”, Presidenti i Republikës; Doktor Honoris Causa e ka shpallur Universiteti “Fan Noli” në Korçë e çmime të tjera të panumurta i janë akorduar Nasho Jorgaqit për veprat e tij…”.
Më pas përshëndetën: drejtoresha e Bibliotekës zonja Aida Gashi, piktori Xhemal Lufta, lexues dhe pjesëmarrës të tjerë. Në emër të familjarëve përshëndeti ish-drejtori i shkollës Pedagogjike, z. Grigor Kallajxhiu. Pastaj e mori fjalën Nasho Jorgaqi, i cili mes emocionesh të forta falënderoi organizatorët dhe autoritet shtetërore të Elbasanit për nderimin e lartë që iu bë. Ai theksoi se ndjehej shumë i prekur nga ky vlerësim, të cilin e ndante me të gjithë parardhësit e tij elbasanas të shquar edhe ata në përpjekjet për liri dhe pavarësi.
Nasho Jorgaqi vlerësoi atmosferën dhe emocionet që i krijoi salla e mbushur plot e përplot me intelektualë dhe të rinj elbasanas. Ai i dhuroi Bibliotekës së Elbasanit dy vëllimet e biografisë shkencore “Jeta e Fan Nolit”, për të cilat tha se ishin veprat e jetës së tij, si edhe dy vëllime, një që përmban bibliografinë e hollësishme të të gjithë krijimtarisë së tij dhe tjetri, një antologji me shkrime të botuara me rastin e 70- e 85-vjetorit të lindjes së tij. Ceremonia u mbyll, por “Qytetari i Nderit” Nasho Jorgaqi nuk mundi të largohej për një kohë të gjatë nga ambientet e Bibliotekës, pasi iu përgjigj kërkesave të shumta të lexuesve për foto dhe autografe.
FILIP ZOTO