“Natën Má”, “Mbrëmja që po kalojmë bashkë është mbrëmja e fundit” në Metropol
“Natën, Má”, një dramë tronditëse e skenaristes amerikane, Marsha Norman do të rikthejë përsëri në vëmendjen e artdashësve, Ema Andrean. Shfaqja me regji të Andreas do të jepet për publikun për 13 ditë me radhë, duke filluar që sonte, (ora 19:00) e deri më datë 6 maj në Teatrin “Metropol”.
Artistja e mirënjohur, Ema Andrea këtë herë ka zgjedhur që protagoniste të shfaqjes të jenë dy aktoret e talentuara, Ilire Vinca dhe Egla Ceno.
Kjo vepër është hera e parë që ngjitet në skenën e një teatri në Tiranë, ndërsa më parë është vënë në skenë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Drama “Natën má” trajton fatin e Telmës, një nëne dhe së bijës, Xhesit. Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit, e cila duhet t’i thotë së ëmës që, në mëngjes do të vdesë.
Si do ndjehej një nënë, nëse fëmija i thotë qartë, ftohtë, vendosur, me bindje dhe pa emocion që mbrëmja që po kalojnë bashkë është mbrëmja e fundit! Që kur të thotë “natën e mirë” do të hyjë në dhomën e vet dhe do të vrasë veten. Xhesi është një grua e divorcuar, e cila jeton me të ëmën. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet ndaj ajo ndjehet e humbur. Prej kohësh vuan nga një depresion kronik. Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës.
Shfaqja sjell dramën fituese të çmimit, “Pulitzer” dhe të çmimit të “Teatrit Botëror” nga autorja Marsha Norman.
Muzika për këtë shfaqje është realizuar nga Bojken Lako, ndërsa të tjerë muzikantë do të jenë; Endi Aron Cekani, Rei Kondakçiu.
Skenografina i është besuar Enjo Shehit, kurse identiteti vizual Vincenzo Giannattasio-s.
Shfaqja do të ngjitet në skenë sonte, më 20 prill dhe do të shfaqet deri më 6 maj, nga ora 19:00 në Teatrin “Metropol” të Tiranës.
/Albina Gjergji/
– Fotot: Marrë nga profili i aktores dhe regjisores, Ema Andrea.