Ndahet nga jeta kritiku i artit Gëzim Qendro
Lajm i hidhur për artin. Gëzim Qendro, kritik arti dhe ish-drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të marte. Mësohet se Qendro vuante prej një kohe të gjatë nga një sëmundje e rëndë.
Lajmin e hidhur e ka dhënë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjetin social facebook. Mes rrjeshtave të lamtumirës, Kumbaro shkruan se ikja e parakohshme e Qendros, lë një boshllëk të madh njerëzor e miqësor.
“Trishtim i madh! Vendosi të largohet sot prej nesh, pas një sëmundje të rëndë dhe shume para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e Artit dhe të Mendjes, kritiku dhe historiani i estetikës dhe artit, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gezim Qendro. Le vepra shume te mira mik! Por edhe na le një boshllëk të madh njerëzor e miqësor siç vetëm fisnikët munden. Je i pazëvendësueshëm! Lamtumirë!”, shkruan Kumbaro.