Ndahet nga jeta muzikologu dhe profesori i njohur shkodran
Është ndarë nga jeta në moshën 86 vjeçare Ferid Bala, muzikolog, profesor i kantos, një qytetar ekzemplar i Shkodrës. Lajmi i trishtë është dhënë nga të afërm të tij, duke e bashkëndarë me miqtë e të njohurit e familjes së madhe Bala.
Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ka publikuar një status në faqen e saj zyrtare në Facebook të shoqëruar me një foto, ku shkruan:
“Ndarja nga jeta e Profesor Ferid Balës një lajm i trishtueshëm, jo vetëm për familjen, ish- nxënësit e bashkëpunëtorët, por për të gjithë Shkodrën.Personalitet i muzikës, pedagog i qindra talenteve, botues librash, familjar e qytetar i nderuar i Shkodrës, Profesor Feridi ka lënë pas një trashëgimi për të cilën ndjehemi të gjithë krenarë.Lamtumirë Profesor, pushofsh në paqe!”
Shkollën fillore Feridi e bëri në Shkodër në mësonjëtoren 24 Maji ku mësues muzike pat kompozitorin Prenk Jakova. Që në atë kohë Prenka e klasifikoi Feridin, së bashku me Enver Dibren, si një nga zërat më të mirë të shkollës dhe e aktivizoj nëpërmjet Shtëpisë së Pionierit, në melodramen Dasma Shkodrane. Aty djaloshi shkodran bie në kontakt me këngëtarët e njohur File Gjeloshi, Bik Ndoja, Leo Prela (Bariton). Për shkak të zërit të bukur e të vecantë ai zgjidhet së bashku me Klotilde Shantojen, Florinda e Ndrek Gjergjin, nga specialistët rus të muzikës për tu dërguar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Bukuresht. Ky aktivitet, ku morën pjesë 100 koriste nga Shqipëria, të gjithë të veshur me kostumet e bukura shqiptare, pat si drejtues artistik muzikantin e njohur Gaqo Avrazi dhe u vlerësua me cmimin e 3-të.
Në vitin 1971, fillon punën në degën e sapo krijuar të kantos në shkollën e muzikës Prenk Jakova në Shkoder, ku nxori maturantët e parë apo zbuloj talente si: Valdete Hoxha, Agim Hushi, Violeta Gashi, Enriketa Kuqani, Valentina Hasani, Sabahet Vishnja, Myfarete Laze, Frano Lufi. Në shkollë merret me krijimin e programeve mësimore si dhe jep eksperiencën e tij metodike në hapjen e shumë shkollave analoge në të gjithë vendin. Si pedagog dhe specialist i muzikës, Feridi merret me punime shkencore, shkruan artikuj të ndryshëm problemor të mësimdhënies në kanto në shtypin shqiptar apo merr pjesë në emisione televizive. Në këtë vit dekorohet me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të III-të. Që nga viti 1886-të, Feridi mban titullin – Mësues i Dalluar -. Cmimin Naim Frashëri të Klasit të II për arritje të larta në procesin mësimor, e merr në vitin 1990 dhe në 2011-tën nderohet nga Bashkia e Shkodres me titullin “Prenk Jakova.
Ferid Bala ka një veprimtari të gjërë didaktike dhe është autor i disa librave për shkollat e mesme të muzikës, si “Ushtrime Vokale”, “Përmbledhje me Arie e Romanca”, etj. Së bashku me shokë të tjerë muzikantë themelon në Shkoder shoqaten Artistike “Dashamirët e Këngës Shkodrane” duke organizuar aktivitete të ndryshme koncertore dhe shkencore. Si cdo shqiptar, mbas daljes në pension në vitet 1990-të, provon emigracionin në SHBA dhe në Kanada nga ku kthehet rreth vitit 2000. Po këtë vit boton librin kritik “Në lulishten e këngës dhe të këngëtarve popullore shkodranë”, në vitin 2009 boton librin “Fjalor muzikor i komentuar”, në vitin 2011 (me rastin e 50 vjetorit të shkollës së muzikës Prenk Jakova), boton librin “50 vjet Art e Kulturë” dhe librin “Këshilla për këngëtarët”. Në vitin 2012 nxjerr në treg një libër “Përmbledhje pjesësh popullore” që është bashkëpunim i autorit me shumë kompozitor dhe krijues shqiptarë. Së fundit në vitin 2014 nxjerr monografinë “Kënga dhe Këngëtarët shkodranë, pjesa e parë” e në 2015 pjesën e dytë të këtij libri.
Si këngëtar lirik dhe si solist i Ansamblit Amator të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, Feridi, u shqua për interpretimet e tija me nivel të lartë në aktivitete e konkurse të ndryshme kombëtare, ku u vlerësua me cmime, diploma dhe medalje të ndryshme. /Ora News