Ndahet nga jeta regjisori i madh Muharrem Fejzo, ishte me COVID
Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare regjisori i madh shqiptar Muharrem Fejzo. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë djali i tij, Joe Fejzo. Mësohet se regjisori ishte i infektuar me koronavirus.
Ai shkruan: Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e stë dhashë dot një got uje, nuk mertiton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës.
Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit. Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.
Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.