Ndërroi jetë aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci
Lajmin për vdekjen e Adem Mikullovcit e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij Lumnije Mikullovci, përmes rrjetit social facebook. Adem Mikullovci la pas vete 45 role kryesore, si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore. Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”, “Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie (nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj. Mikullovci gjithashtu ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si: “Pas vdekjes” (Çajupi), “Mosha e bardhë” (D.Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjëlli i stacionit”, monodrama “Bihorasit” (dramatizim i veprës së autorit Q. Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”, stend-up komedia “Përgjuesi” etj.
Në vitin 1990 Adem Mikullovci ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut. Ai riaktivizoi veprimin politik edhe më 2017 kur iu bashkua Vetëvendosjes, kur edhe u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës.