Ndërroi jetë take tukja

Fejton nga Hyskë Borobojka –

Jeta e njeriut është tragjike dhe komike. Njëri vjen mysafir në këtë botë tjetri ikën. Kështu ndodhi dhe me burrin e të shquarin Take Tukja qe banonte në apartamentin e tij në katin e tetë të pallatit 99-të. Ra të flinte me guguçen e tij, zonjën Trëndelinë, por harroi të merrte frymë dhe u gdhi i ftohtë akull, si manekinat në dyqanet e veshjeve. Takja ndërroi jetë e iku nga kjo botë pa halë dhe nuk sheh gjë me sy e s’dëgjon me veshë. Por miqtë e tij që u la uratën kanë çfarë të tregojnë. U zunë ngushtë e s’dinin si ta zbrisnin arkivolin e tij nga kati tetë i pallatit deri poshtë, ku e priste makina e zezë me derë të hapur.

Të gjitha prapsitë i solli ai qerrata arkitekti, që kishte projektuar pallatin e lartë me shkallë të ngushta si të minareve të xhamive dhe nuk kishte menduar fare se aty do të mbyllte sytë i gjori Take, dy metro pa dhjetë i gjatë e 95 kilogramë i rëndë. Si do bënin ta zbrisnin poshtë? Kjo ishte çështja? Për fatin e tij të mbarë se do të mbetej aty për nam e do tregohej histori, njeri nga miqtë dha një mendim të vlefshëm

-Ta zbresim me litar nga dritarja!.

-Një fjalë goje! – thanë të gjithë sa ishin aty. Por eja e gjej aq litar të gjatë e të fortë. Se s’duhej një pash e dy, por një litar vrahu i gjatë e i trashë. Njëri nga miqtë rendi sa i hanin këmbët dhe siguroi mjetin e duhur me të cilin do të zbriste i ndjeri Take. .E lidhën mirë e bukur arkivolin, që të mos hapej e delte lipsani që ishte brenda si e siguruan se çdo gjë ishte në regull,katër burra të shëndoshë e mbajten fort litarin, për ta ulur pa zarar merhumin Take. Kur e pa njëri nga shokët e tij të ngushtë, që sa qe gjallë nuk i qe ndarë as dimër as verë, i vajti pranë dhe i pëshpëriti në vesh:

-Hë qerrata! Të kisha thënë të stërviteshe në zborin ushtarak, për të zbritur nga lartësitë, por nuk më dëgjove?!. Zbrit tani i lidhur me litar?!

Puna (me ca siklete), vajti mbarë. Take Tukja zuri vend në makinën e zezë dhe u nis drejt “qytezës së “Shpirtrave të vdekur” i shoqëruar nga 13 vetura, 5 autobuza e 7 motorrçikleta. Si u mbajt për të një ligjëratë e ngarkuar me lavdërime, që Takja nuk i kishte dëgjuar sa qe gjallë.(Të mirat i përmenden njeriut kur vete në atë botë, të këqijat mbulohen në dhe bashkë me eshtrat) Si i hodhë të gjithë sa ishin nga një dorë dhe, që balta t’i bëhej me ëmbël se mjalta, banesa e tij e përjetshme u mbulua cep më cep nga tufat e luleve të freskta e nga kurorat me mbishkrime, nga miqtë e shokët e të ndjerit sa u bë një kapicë e madhe.

Akoma nuk i kishte ulur perdet errësira e natës, kur u turrën drejt “banesës” së tij një tufë me burra, gra e fëmijë për të grabitur buqetat me lule e kurorat, kush e kush të rrëmbente më shumë.

-Prisni, o të uruar, sa t’u marr erë. Duroni sa të thahen petalet e sepalet?! – u tha në heshtje i zoti i “banesës”.

Njëri nga fqinjët e murgut Take, që ia kishin ngritur “banesën e përjetëshme” me pllaka mrmeri e ia kishin rrethuar me kangjella i pëshpëriti në vesh i dëshpëruar:

-Ti, more byrazer ke halin e luleve, që t’i rrëmbyen pa u marrë erë, por mos u mërzit, se ata që t’i solllën sot do vijnë nesër të të shohin e të sjellin të tjera, por mua të gjorit, që m’i shkulën e m’i morën kangjellat rrethore për t’i shitur për skrap!?

Ndërsa një tjetrit i kishin rrëmbyer edhe gërmat metalike, me të cilat ishte shktuar emri dhe mbiemri në “portën e banesës”. së tij.

Kjo praktikë e shëmtuar një palë vijnë me lule e kurora për të nderuar të afërmit,miqtë e shokët, që kanë ndrruar jetë dhe pa u larguar mirë të parët,vjen me vrap pala tjetër, si hajdutë, tua rrëmbejnë për tua shitur klientëve të tjerë për të bërë biznes fitimprurës pa licencë nga Bashkia e Tiranës ,ndodh në dy “qytezat” e banesave të përjetëshme, në Sharrë e Tufinë.

 

SHKARKO APP