Ndërron jetë në Zvicër koreografi, Agron Bajrami
Pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë, ka vdekur mbrëmë Agron Bajrami, koreograf, themelues dhe udhëheqës i Shkolles së Vallëzimit “Shota”, bën të ditur albinfo.ch.
Agron Bajrami ka lindur në Prishtinë, në vitin 1964. Për sa kohë jetoi në Kosovë ka qenë anëtar i Ansamblit të Valleve “Shota”, ndërsa me vajtjen në Zvicër ai ka themeluar në vitin 1993 Shkollën e Vallëzimit Shqip “Shota” me seli në Aarau.
Këtë vit “Shota” e Zvicrës do të shënonte 25 vjetorin e themelimit, si shoqëria e parë e këtij lloji në komunitetin shqiptar të Zvicrës.
Agroni do të mbahet mend si një valltar dhe koreograf me talent dhe përkushtim të rrallë. E gjithë familja e tij, duke u nisur nga ai dhe e shoqja, Liria pastaj të gjithë fëmijët, kanë qenë që nga fillimi pjesë e Shkollës së Vallëzimit “Shota” në Zvicër.
Përveçse si artist i shquar i valles, Agron Bajrami është marrë edhe me arte pamore dhe me vizive. Ka punuar disa vite si kameraman në një televizion të Zvicrës.