Ndre Mjeda, gjasi me ken e me met nji maj e nalt në krenin e shqipes dhe shqiptarëve
Nga Albert Vataj –
Ma i bylbylshmi za qi ka lmue kandjen e këndimit e kumtimit. Kangën e zashme të amshtit dhe kandës kurrkush nuk mujti me e ligjëru me atë amë hyjnie ma mirë se Dom Ndre Mjeda. Kurrkush, atëherë e dermsot, nuk ka mujt me e thuar me kaq amëlsi dhe finesë, më një shqipe t’kullueme zanin e shpirtit, kushtrimin e xanun vend thellë në të gjalltë e një prej figurave ma t’kandshme të letërsisë shqipe, personaliteteve ma t’venosun të politikës, shërbestarit të devotshëm të fjalës së shenjtë dhe nacionalistit. Tash rrëmojmë në mbamendjen e kandës së shqipes në gjininë e ligjërimit të hyjnive, poezisë, e sandejmi munena me nxjerr shumë emna, shumë skalitës së asaj gegnishtë t’kulluet, të asaj finesse kumtuese, por s’pariherë na yshtena me e vu përpara në këtë pjedestal Ndre Mjedën. Buzëhollin e lirikës shqipe, zanin e patëdytë të kumbimit.
Jeta dhe përpjekjet
I lindun në Shkodër më 20 nandor 1866, ai gjasi me ken e me met nji maj në krenin e shqipes dhe shqiptarëve. Kushtet e vështira ekonomike nuk e zhytën dot në terr shndritjen enjë ylli, të cilin e pikasën jesuitët, të cilët panë tëk ai tharmin e një shërbestari të devotshëm. Spanjë, Itali dhe Poloni, ishte gjeografia e studimeve dhe formimit teologjike të Mjedës. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci, prej ku u dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, duke u kthyer në vendlindje. Që në ag të vrulleve, u lidh që herët me lëvizjen patriotike. Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër pushtetit osman. Poeti ngriti zërin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do ti kushtonte lirinë. Më 1902 Ndre Mjeda, arrestohet, por I shpëton në syrgjynosje në Anadoll, kapërcyell të jetës së tij që e himnizon me poemthin, “I tretuni”. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift në famullinë e Kukël. Vitet e fundit shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, dhe vdiq më 1 gusht 1937 në këtë qytet.
Ndihmesa e shqipshkrimit
Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë “Agimi” me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndrtyshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
Mjeda dhe poezia
Me Mjedjen kemi një nga mendjet më të mëdha të kohës, njeriu që dinte pothuajse gjithçka për poezinë. Duhet të kujtojmë se ai nuk qe rob i rregullave të ngurta të vjershërimit, pasi siç shkruan “masa e plotëson poezinë, por nuk asht nji gja e domosdoshme e saj”. Kjo thënie ka vlerë të veçantë kur kemi parasysh një poet që ka kultin e formës: duhet kuptuar se, megjithëse mjeshtër i formës, ai nuk e ka kërkuar atë, ka qenë ideja që ia ka organizuar, duke u përftuar kështu katreni katërrrokësh me rimat ABAB, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCC, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCD etj. Botimi i veprës “Juvenilja” më 1917 pati fatin e veprave të dorës së parë, ato me të cilat mediokriteti i zakonshëm nuk hyn dot në marrdhënje: pra, nuk u shkrua për të. Gjergj Fishta ishte zëdhënës i letërsisë romantike kur do të donte (Hylli i dritës, 1921) që kjo poezi të vinte “më tepër prej zemrës se sa prej mendjes”. Mirëpo s`duhet harruar se në kulmin e postulatit romantik “poezia është shpërthim spontan i ndjenjave” (Wordsworth), John Keats thoshte se poezia është diçka “impersonale”, pa dashur të përmendim Edgar Alan Po e Charles Baudelaire, të cilët sollën shkëputjen e plotë nga kjo atmosferë.
Që në shkulmet e rinisë ai do të hidhte sytë nga poezia, poemthi “Vaji i bylbylit” u botua me 1881. “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës ai I ka jo më pak shndritëse poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e papërfunduar.
Mjeda e kaloi gati gjithë jetën e tij si prift në krahinat e Shkodrës, veçojmë shërbesën 1906-1907 në famullinë e Kuklit.
Një spektër i shtuar në ngjyrimin njohës të Dom Ndre Mjedës është edhe ajo çfarë Ernest Koliqi, “Cirka” nr. 28-29, Shkoder 5 shtatuer 1937 dhe At Gjergj Fishta (Posta e Shqypnís, 1917/ 20.
“Kur e shifshe, Dom Ndreu të paraqitej në gjasë të nji prifti katundi ndër mâ të lânunt. Shkurtalak edhe pak si i gërmuçun, verë e dimën mbërthye në nji pallto të randë të zezë të përlyeme përpara me pluhun burrnoti, me nji fytyrë kuqloshe në të cilën syt e vogjël zhdukeshin nën vetulla të denduna fije-trasha dhe goja nën shllungën e musteqeve të ngathët e vërdhukë: kështu të dilte para Poeti i njimbëdhetë rrokshave të Lissus e nuk të bânte asnji përshtypje zotsije të veçantë.
Për natyrë perbuzës i çdo reklami dhe i çdo esibicjonizmi, urrente lávdin dhe ndryhej ne nji pervujtní idhnake qi ishte mësim, qortim i naltë për të gjithë ne.
Nuk i rridhte aspak fjala, shprehjet i dilshin copa copa, i qitte prej goje me mundim. Ngatrrohej tue folë e, kur vèhej disi për fije në bisedë përdorte terminologji të thatë. Anmik në shkrim e në jetë i lajleve e i stërhollimeve, por jo i panjerezíshem, perkundrazi, tue e njoftë s’afermi ndihej në tê nji edukatë humaniste plot masë e plot mirsí të ndritun dhe shifeshin në tê sjellje të zgjedhuna qi dishmojshin qëndrimin e gjatë në rrethe të nalta të hueja.
Dom Ndreu duhej zbulue si njerí dhe si artist. Tue ndejun me tê, pikësëpari gjêjshe Dijetarin. Kush ndër Shqiptarë mund i krahasohej për kulturë organike ? Greqishten e vjetër dhe latinishten i dinte në themel. Qyshë në rini fitoi përjâshta konkurse me vjerrsha klasike.
Shetiti mbarë Europën njiherë si nxanës e ma vonë si Profesor. Banoi në Francë, në Spanjë, në Poloni, në Jugosllaví. Filozof i shquem, mrekullonte shokët me analyza të reja e me objekcijone të paprituna.”
Ernest Koliqi, “Cirka” nr. 28-29, Shkoder 5 shtatuer 1937
“Qe nji vepër poetike, me të cillen mund të thohet, se pernjimend asht stolisë gjuha e rritë pasunia e literaturës shqipe. Në ket veper gjuhën e gjen të paster, stilin e naltueshém, shembélltyrat të gjalla e plot njomësi e gjithmonë të arsyeshme. Aty ke nji prendverë lulesh e bilbilash, e nji natyrë të kérthnestë e plot jetë; e fillim e mbarim né ket veper zotnon nji melankoni e kandshme, e cilla edhe sendeve ma të vogla u jep nji interes e nji randësi të veçantë: sado qi kisha me thanë se kjo melankoni nuk rrjedh gjithmón prej zemres aq sa prej mendes s’autorit. Njimend, duket se kjo melankoni nisë njiherë prej mendes s’autorit, pershkohet neper rreze të filozofisë e të poezisë klasike, e mandej deperton neper fashóje të gjuhes shqipe: por jo aq e përmallshme, sa me t’u molisë zemra per çka auktori k’ndon mbi lirë të vet të tingëllueshme, me gjithëse bukurín e formës e rreh orë e çast edhe flladi i poezisë. Si prej shllimeve të zgjedhuna, si prej mjeshtris’ me të cillen janë ndertue vjershat e lidhë mendimet, shihet çeltas se autori, para se me e botue vepren e vet, e ka përshkue kushedi sa herë nen limë të mendes e të teknikës. Prandej kjo veper ka me qenë domosdo e nevojshme me u përdorue si tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheu ka me ia ditë per nder mundin qi ka hjekë në perpilim të k’saj vepre”.
At Gjergj Fishta (Posta e Shqypnís, 1917/ 20)
KOHA JONË SONDAZH

