Ndrek Luca, i madhi sfidave të vështira skenike, i adhuruari i roleve ikonike të filmit shqiptar

Nga Albert Vataj

Ai, Ndrek Luca, i madhi i skenës së teatrit dhe të sheshxhirimeve të filmit, shembulli më sinjifikativ i forcës së karakterit dhe thellësisë së personalitetit të shprehura në art. Ai që arriti të ishte dhe të mbeste i madh në çdo qasje njerëzore dhe ngulmimi kumtues, prej zakonshmërisë rutinore të së përditshmes, deri në aktin e sublimitetit si shprehje etiko-estetik, virtuozitetit krijues dhe interpretues. Pavarësisht rrethanave dhe tipizimit të karaktereve, që ai duhej të mëkonte ngulshëm, përmes vetvetes së ofruar si një blatim dhe ëndrrës që kulmonte si një andje adhurimi, shenjtëruar në ngjarje eterne.
Sepse ai, Ndrek Luca mbrujti në gjithçka që ai deshi me gjithë shpirt dhe e pulsoi me një zemër të gjëmimshëm vitaliteti, një mëndje të dritur në dije, lartësoi në eterin e ngadhënjimeve, shpirtin e paepur të një veprimtari vlerash artistike dhe njerëzore. Pati një zemër të madha, përmasat e të cilit ai i mishëroi në rolet dhe personazhet që ai solli në jetë për ti bërë ata të pavdekshme, si shprehje e një kapaciteti të fuqishëm, si përjetësim i atyre universeve në galaksinë e pamatshme të adhurimit për artin e skenës, për dramën, për filmin.

Prolog

Ndrek Luca, mori udhën e amshimit 31 vite më parë, në moshën 69-vjeçare. Ai që kishte ende për të dhënë, ende për të bërë, ende për të treguar; se arti skenik, qytetaria dhe demokracia asokohe ende në embrion, meritonin ende atë. Por ai e kishte “vendosur” të ikte. Sepse edhe në dhënie të frymës, në ndalim të zemrës, në mbyllje të siparit, ai ishte sërish aty, i përgjithmonshëm; me gjallërinë e tij karakteristike, me temperamentin shpërthyes, me kumbimin shpues të zërit të tij, me qeshjen e shpenguar, e ashpërsinë e dlirë prej malësori. Po, do të mbetej ai që ishte, i gjallë në prapaskenë, jo si një frymor, por si një shpirtje, si një përfytyrim që do t’i ofrohej, si një blatim asaj bote që i kishte përmbushur ëndrrën dhe e kishte shpërblyer me realen e atij vullneti të shenjtëruar në akt sublimiteti krijues.

Shuarja e një ylli që shndrin

Kishte marrë rrugën e amshimit Ndreka. Ishte fikur një prej yjeve të skenës shqiptare. Ish shuar një pishtar që mëtoi dritë dhe ngrohtësi në dimrin e gjatë të përballjes dhe sfidave, si në skenë ashtu edhe në jetë. Ndrek Luca nuk ishte më që prej 16 janarit të vitit 1993. Ishte ndarë përgjithmonë një nga emrat emblemë të artit tonë skenik dhe kinematografisë shqiptare. Kishte ndaluar prurja e mëtejshme e asaj tradite që mbërriti të ishte dhe të mbeste e pasur dhe unike në të gjithë dimensionet.
Ai dhe një plejadë e tërë krijuesish dhe interpretuesish, skenaristësh dhe kineastësh, kostumografësh dhe fotografësh, etj. etj.; të cilët edhe nën privacione, represion mbikëqyrjeje dhe imponimi ideologjik, mbetën viganë e të panënshtruar, dhe do të mbrohen dhe përfaqësohen si të tillë për artin që bënë, për shpirtin që dhuruan, për sakrificat që i shndërruan në vepër .

Malësori i madh i artit skenik

Në këto rrethana, në atëkohje, ku nuk mjaftonte talenti dhe përkushtimi, por duhej shumë më shumë, ishte pikërisht Ndrek Luca ai që projektonte caqet e së mundshmes së suksesit. U ngjiz dhe u mëtua, si i madhi sfidave të vështira skenike, i adhuruari i roleve emblemë të filmit shqiptar.

Padyshim ai ishte nga aktorët me individualitet të patëdytë artistik, ku shquhet për interpretime të thella dhe përjetime përshkuese. Bota e brendshme e tij spikat qartë dhe fuqishëm në një lojë të bukur skenike. Ndjeshmëria që ai ka, e mbush rolin me çdo grimcë shkëlqimi, për ta sjellë në jetën e një personazhi që vjen për të mbetur bashkë me atë shpirt që e solli në jetë.

Ai ju përkushtua me mish e me shpirt si teatrit ashtu edhe kinematografisë, duke lënë pas role të pavdekshëm, të cilat u bënë pjesë e kulturës sonë, u bënë gjaku që vërshonte vërshimshëm në nevojën për art kumtues dhe shpirt përjetues.

Ndrek Luca një fenomen

Në vitin 1990, me forcën e artit të deklamimit e me shpirtin e tij të papajtuar kurrë me padrejtësitë, ai arriti të ruante të pacenuar personalitetin dhe karakterin e malësorit. Ndaj ai e dëshmoi këtë, kryesisht në rolet ikonike të veriorëve. Kujtoni rolin e tij në filmin “Plagë të vjetra”, malësorin tipik të shtruar në spital. Apo Bacen e Gjetajve, një babaxhan i drejtë dhe i gatshëm me sakrifikuar për të tjerët. Sepse Bacë ishte në të vërtetë Ndreka edhe në jetën e tij. Siç thoshte Stanislavski për aktorin, i cili “ngjitet në skenë që të luftojë, luftë për të cilën ai duhet të ketë planin e vet, me të cilin të arrijë fitoren”.
Kështu edhe Ndrek Luca, Artist i Popullit kishte në planin e tij të realizimit të roleve, përkushtimin maksimal mendor, fizik e shpirtëror. Ma së pari se çdo gjë, ai synonte zbulimin e të vërtetës në skenë, zgjidhjen e drejtë e të natyrshme të asaj që shtrohej për zgjidhje. Studionte shumë mbi dramën, skenarin e rolin dhe patjetër dhe të fshehtat e botëkuptimit dhe shpirtit. Thellohej në çdo gjë që kishte të bënte me rolin që i ishte besuar, me atë personazh që ai do t’i mëkonte nga vetja gjithçka, për ta lejuar ta përfaqësojë edhe përtej ekranit të madh të kinemasë, po, në kujtesën dhe adhurimin e njerëzve. “Në bazë të logjikës së tij qëndronte njohja e jetës. Zotnonte mirë skenën, hynte thellësisht në rol, transformohej në mënyrë krijuese e të vetëdijshme në personazhin që interpretonte, tue ruejtë karakterin konvencional të lojës, e tue mos ra në natyralizëm. Ndrek Luca ishte i madh në thjeshtësinë e vet, shkruan mes të tjerash në “Shkodra – Kontributet në traditat kulturore e artistike shqiptare”, Marian Shestani.

Ai jetësoi veten te çdo rol që ju besua dhe personazh që solli në jetë

Aktor me intelekt të lindun, me vizion të qartë për punën e aktorit, gjithnjë i frymëzuem në punën e tij prej artisti. Impulsiv e ngulmues, gjithmonë i shqetësuem, gjithmonë i çiltër ndaj rolit e spektatorit, i pajisun me aftësinë e vetëkërkimit, aktor i idesë e jo i efektit, me një plasticitet e komportim të rrallë me partnerin, Ndrek Luca ishte njeri i lindun për skenën e teatrit. I përkryem në realizimin e shumë roleve: Jago tek “Otello” i Shekspirit, Lekë Gjoka tek “Toka Jonë” e Kolë Jakovës, Pali tek “Vajza nga fshati” e Fatmir Gjatës, Guri Bardhi tek “Perleshja”, Ribakovi tek “Orët e Kremlinit”, Mak- simura tek “Në anën tjetër” të Bajramovit, Xhiri tek “Arturo Ui”, Deli Pjetra, po kaq i dashtun për Ndrekn, etj. Luejti e realioi me sukses të plotë role nga ma të ndryshme në kinematografi. Të tillë mbetën në kujtesë rolet e Tomorrit tek “Detyrë e posaçme”, Dom Palit tek “Komisari i dritës”, Lu Ta Hait në dramën kineze “Shtergata”, Jonuz Brugës në “Ushtimë në bregdet”, Ramiut tek “Dueli i heshtun”, Gjin Maneshit tek “Plagë të vjetra”, Pjetër Mustakuqit tek “Operacioni zjarri”, Ndrios tek “Udha e shkronjave”, etj, Kudo Ndreka realizoi role të skalituna, “pikturue” përmes penelatash të gjalla, plot dritë- hije, dukuni këto të të vecantave karakteristike të lojës së tij aktoreske. Ndrek Luca ishte edhe dramaturg, autor i disa dramave. E filloi dramaturgjinë në vitin 1952 me komedinë në një akt “Nuska”. Për të vazhdue pa ndërpremje autorësinë e disa dramave si “Shtatë shaljanët”, 1957, “Votra e huej”, 1958, “Nënë më fal”, “Letër në malësi”, “Një firmë me revole”, “Oborri i për- bashkët”, “Jerina”. Por edhe komeditë “Ëndërra në diell” dhe “Nusha”. Ndrek Luca mbetet një personalitet i shquem e i veçantë i skenës teatrore e kinematografike shqiptare, që la emnin e vet të shkruejtun me shkroja të mer- itueme në piedestalin e të mëdhajve të teatrit kombtar shqiptar. Për Artistin e Popullit Ndrek Luca asht shkrue një monografi e plotë nga Dr. Luigj Martini, “Ndrek Luca”, Shkodër, 2016.

Ai u lind në Dukagjin dhe u përjetësua në art

Ndrek Luca u lind në Dukagjin më 3 shtator 1927. Familja e tij shpërngulet në Shkodër qysh kur ai ishte në moshë të vogël. Ai iku nga malësia, por pa mundur të zbrazë shpirtin, karakterin dhe personalitetin e tij nga kjo lëndë eterne e përfaqësimit dhe energjisë që do t’i shërbente si një gjenerator potencialesh të fuqishme të asaj që ai do të ishte gjithmonë.

Që në fëmijëri ai ka pasur pasion për aktrimin. Ky pasion do ta shtyjë atë që në vitin 1950 të kërkojë nga organet e kohës të aktivizohet më Teatrin e Ushtrisë pas mbërritjes së tij në atdhe në përfundim të Shkollës e Aviacionit kryer në Jugosllavi. Falë talentit të jashtëzakonshëm dhe përkrahjes së regjisores ruse të këtij teatri Zina Andro, kalon në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1950 si aktor profesionist. Roli i tij i parë në këtë Teatër do të ishte po atë vit në 11 Nëntor roli i Shpend Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria” të Kolë Jakovës. Aktivitetin e tij skenik e fillon në vitin 1950 me Teatrin e Ushtrisë, ku bënin pjesë edhe aktorë të tjerë me emër, kolegë të ardhshëm të tij në Teatrin Kombëtar. Nën drejtimin e regjisores Zina Andri, ai interpreton në dy pjesë teatrale, dhe pas një viti kalon në Teatrin Kombëtar si aktor profesionist.

Roli i tij i parë është ai i Shpen Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria”. Ishte ky rol, ku spikati talenti i tij dhe i hapi rrugë roleve të tjerë për mëse 30 vjet në seknë.
Nga viti 1951 e deri në vitin 1987, vit kur doli në pension, Ndrek Luca realizoi mbi 100 role në skenë, ku u shqua si një ndër aktorët më të mirë të skenës, krahas mjeshtërve të tjerë të saj. Ai u shqua si një aktor brilant karakteresh, ku me lojën e tij të bukur interpretative i dha gjallëri skenës nën peshën e zërit të veçantë dhe një impulsiviteti të pashoq. Pjesa më e madhe e roleve të tij janë kryesorë dhe ato shpesh herë edhe u dubluan nga aktorë të tjerë, por gjithsesi nën interpretimin e tij ata, fituan vlera të reja. Në të dy planet si në komedi edhe në dramë Ndrek Luca krijoi role të bukur dhe asnjeherë nuk e ndau komedinë nga drama, shkruan Flori Slatina në “Jeta e vepra e artisteve”. Kjo gjë e shtyn që përveç punës si aktor në Teatrin Kombëtar të shkruante edhe vetë drama, ku ndër më të suksesshmet përmendim “Shtatë Shalianët”, “Votra e huaj”, të interpretuara në skenën e Teatrit Kombëtar si dhe pjesët “Bardha”, “Andra në diell”, etj.
Së bashku me bashkëshorten e tij aktoren Mimika Luca, ata dhanë një kontribut të çmuar për vite me radhë. Në vitet 80 i përkushtohet edhe regjisë dhe në 1981 vë në skenë me sukses në Teatrin e Operas dhe Baletin operën “Toka jonë” me libret të tij dhe të Kolë Jakovës, e muzikë të Pjetër Gacit.

Për kontributin e tij të çmuar që në vitin 1967 është nderuar me titullin e lartë “Artist i Merituar” dhe më pas me tituulin “Artist i Popullit”. Eshtë gjithashtu laureat i Çmimit të Republikës si dhe fitues i çmimeve të tjera nëpër festivale të teatrit dhe filmit.

I madhi i roleve negative

Në kinematografi, Ndrek Luca mbahet mend për të gjitha rolet që ka luajtur, por kryesisht rolet negative.

Personazhet e tij tek filmat prifti “Komisari i Dritës”, kapter Ramiu “Dueli i heshtur”, Gjini “Plagë të vjetra”, Pjetër Mustakuqi “Operacioni “Zjarri”, Ndrio “Udha e shkronjave”, e deri tek Pashai “Balada e Kurbinit”, e shumë të tjerë, mbeten ndër kulmet e kinematografisë shqiptare.

Një mjeshtër i roleve negativë, por jo më pak i tillë edhe në rolet pozitivë, Ndrek Luca njihet për shpirtin e madh të tij, lojën e bukur, për gjenialen e paarritshme. Në lojën e tij nuk kishte shtirje, ai ishte origjinal dhe i besueshëm. Me shembjen e komunizmit (të cilin e urrente shumë jo vetëm në filmat e tij), ai bëri një punë të madhe për njohjen e rehabilitimin e Gjergj Fishtës, mësuesit të tij të parë.

len për t’u nënvizuar vlerësimet për lartësinë ku ai i çoi rolet, vërtetësinë dhe shpirtëroren, me të cilët ai i veshi ato personazhe që rrugëtuan si emblema në galerinë e tij interpretuese. Tre medalje për tre personazhe në tre kulmime kohësh -1976: Medaljon dhe çmim ne Festivalin e I te filmit (Rrugicat qe kerkonin diell -Gani Herri), 1983: Medaljonin e Festivalit te V te Filmit (Flaka e maleve – Zejtari) dhe më 1990: Medaljon ne Festivalin e IX të filmit (Balada e Kurbinit – Pashai)

Epilogu

Ndrek Luca edhe pse mbylli sytë më 16 janar 1993, është i gjallë mes nesh, me rolet e tij të paharruara, në një mori personazhesh skenike që ai i bëri sinonim të vetvetes dhe të pavdekshëm për gjeneratat. Pavarësisht kohëve në të cilat shtrihet e gjithë veprimtaria e tij si aktor dhe jo vetëm, sërish ai e mbajti lart dhe e përfaqësoi dinjitetshëm emrin dhe prejardhjen e tij. E mbajti të madhërishëm në pavdekësi artin e madh, ku ai dëshmoi se me punë dhe përkushtim, vendosmëri dhe besim, gjithçka është një mundësi për të sjellë në jetën e pasosur një ëndërr. Sepse ai ishte një malësor në gjithë kuptimin e fjalës dhe mbeti i tillë, aq sa ç’është edhe sot që e kujtojmë dhe e nderojmë. Shembulli i tij si mik, bashkëpunëtor, koleg, por edhe si bashkëshort, prind dhe demokrat, është sinjifikim i një shpirti të pasur dhe karakteri të paepur. Natyrisht nuk e pati aspak të lehtë të ishte i përkorë dhe i gjithëkohshëm në të gjitha planet, por ai ka ditur të sfidojë rrethanat e vështira, të triumfojë dinjitetshëm dhe të përjetësojë emrin dhe veprën në panteonin e vlerave tona kombëtare.

I madhi Ndrek Luca dhe Marjeta Ljarja në filmin Plagët e Vjetra
Filmi “Plagë të vjetra”. Regjia: Dhimitër Anagnosti, Skenari: Dhimitër Anagnosti, Producent: Shqipëria e Re, Muzika: Ismail Balla (formulim).
Përmbajtja e shkurtër
Gjini një plak malësor shtrohet në spitalin e Tiranës për të hequr nga shpatulla një plumb që i ka mbetur si suvenir nga një gjakmarrje e vjetër. Por kur mëson se operacionin do ta kryejë dr. Vera ai heziton nga mungesa e besimit në aftësitë e grave. Vera në

SHKARKO APP