Në 88 vjetorin e lindjes së simbolit të arsimit lezhjan
Mark Vuji, la pas një pasuri arsimore dhe studimore
Të flasësh e të shkruash për kontributin e madh në fushën e arsimit dhe të studimit të Prof. As. Dr. Mark Vuji, “Mësues i Popullit”, është një detyrim intelektual dhe po aq njerëzor, duke lënë pas një pasuri të madhe arsimore dhe studimore në mbi 50 vitet e punës së tij të palodhur në shërbim të arsimit. Me guximin dhe profesionalizmin, për të marrë përsipër përgjegjësi dhe për t’i çuar punët përpara deri në zgjidhjen e tyre, me përvojën dhe shembullin konkret të mësuesit, drejtuesit dhe studiuesit të përkushtuar, duke paraprirë vetë në çdo nismë. Me meritë të madhe, veçanërisht në ngritjen nga e para të arsimit të mesëm të përgjithshëm, Gjimnazi “Hydajet Lezha”, në qytetin e Lezhës, që e drejtoi më përkushtim e profesionalizëm për 30 vite me radhë. Duke e bërë kështu, një qendër të rëndësishme e trajnim-kualifikimit të mësuesve në rang lokal, rajonal, por edhe në shkallë kombëtare ,duke e kthyer atë gjimnaz, në shkollë eksperimentale për metodat e mësimdhënies, për të cilat Prof.Vuji, ka shkruar libra. Në këtë gjimnaz pararojë vatër e dijes, me punën dhe përkushtimin e mësuesve dhe të këtij drejtuesi në vite, pati arritje në procesin mësimor-edukativ, por edhe cilësi në arsim, ku nën drejtimin e Prof. Vujit, organizoheshin sesione e konferenca shkencore rajonale e kombëtare, që nga vitet `70 e në vazhdim, takime didadtike e pedagogjike, ku nxirreshin përfundime shkencore për iniciativat e marra dhe punët e bëra e jepeshin rekomandime për ngritjen e nivelit të mësimit dhe të edukimit. Të cilat u zbatuan me përpikmëri me metodat mësimore e shkencore në punën me nxënësit në orën e mësimit dhe jashtë saj, nga drejtuesi i palodhur Mark Vuji dhe kolektivi i dalluar i këtij gjimnazi në vite, me profesionalizëm, duke marrë edukatën e punës dhe kalitur vullnetin. Përveç si mësues dhe drejtues shembullor, Prof. Mark Vuji, ka qenë edhe studiues dhe bashkëpunëtor shkencor . Për 20 vite ka qenë anëtar i Këshillit Shkencor pranë Institutit të Studimeve Pedagogjike, ka dhënë leksione në Universitet në Departamentin e Psikologjisë dhe Pedagogjisë , autor i kapitujve për metodat në tekstet universitare të Pedagogjisë dhe të Didaktikës , ka botuar artikuj e studime shkencore etj. një pasuri e madhe për nxënësit, studentët, mësuesit dhe studiuesit. Prof . As.Dr.Mark Vuji, “Nderi i Qytetit të Lezhës”, mbajtës i shumë vlerësimeve për punën e tij të madhe ndër vite në arsim, me certifikata e tituj të ndryshëm lindi më 1.10 .1930, në Hot të Malësisë së Madhe, në një familje me tradita patriotike dhe arsimore, që i trashëgoi dhe i vuri më së miri në shërbim të arsimit dhe të shkencës në vite, për të mbetur shembull frymëzues për drejtuesit, mësuesit, studiuesit dhe nxënësit, simbol i arsimit lezhjan,pikë referimi e kujtese.
Jak Rrozhani