Në ditën e 100 vjetorit të Ibrahim Kodrës

 Abdulla Tafa – Nga traditat në bashkëkohësi, ç’përfaqëson për ju Ismail Kadareja, figura numër një e letërsisë së sotme shqiptare.

 Maestro Kodra – Kontakti me Kadarenë është magjepsës. Mbi të gjitha ai është kombi, populli. Për mua Kadareja është projektor i fuqishëm i drejtuar në thellësitë e mëdha të shpirtit të popullit, kombit, atje ku fillon, formëzohet, rrit përmasat magma vullkanike e këtij shpirti. Elementët që e përbëjnë këtë magmë janë të shumta: mite, rituale, kultura shekullore e të jetuarit, filozofia e saj, mendësia e raporteve ndërfamiljare, mendësia e juridiksionit të mahnitshëm popullor; i mahnitshëm edhe si pasuri juridike edhe si mekanizëm real, që jep përgjigje për gjithçka; historia e mirëfilltë e ndriçuar në zonat e saj më pulsative si segmenti pas pavarësisë, periudha tërmetore e pashallëqeve të mëdha, kulmi skënderbejan i shek. XV, shekujt sërish me shenjë të formimit dhe të konsolidimit të principatave të para shqiptare etj… Mbi njëmijë vjet të shikuara artistikisht me prirjen për t’u shtyrë akoma përtej në rrjedhat historike. Kadareja e fut këtë magmë në laboratorin e tij, i shton asaj kronikën e ditës, herë tipike, herë-herë ordinere, herë tragjike, herë groteske dhe nxjerr prej andej jo elementin magjik të alkimistëve të moçëm, por formulën sekrete të jetesës dhe të mbijetesës shqiptare. Alambikët cilësisht të rafinuar të artit të Kadaresë edhe pse shpesh punojnë me lëndë të kufizuar në caqe hapësinore i japin asaj rrezatim universal.

Kadareja është traditë dhe novitet. Në të gjendet në formë të kristalizuar arti i popullit, arti i përzgjedhur i traditës sonë të kultivuar. Gjithashtu në të bashkohen mrekullisht Homeri me Eskilin. Dantja me Shekspirin. Xhojsi me Kamynë, Kafka me Sartrin e Elyari me poetët e tjerë të mëdhenj të këtij shekulli, për t’u tjetërsuar në markën e veçantë tepër të njohur në prozën bashkëkohore, në markën Kadare. Kadareja është  shpallje botërisht e mundësive të magjisë sonë artistike. Pohim i ri i gjenisë së vjetër shqiptare.

Marrë nga libri i autorit Abdulla Tafa, “Kodra një univers”, f. 37, Botim i Entit ART, Tiranë 1992. Përgatiti nga Xhevair Lleshi, në vargun e veprimtarive për Maestro Kodrën nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, Tiranë…

SHKARKO APP