Në gjurmët e Fan Nolit në Diasporë

Figura të kulturës së Diasporës Shqiptare

Nga Prof Nasho Jorgaqi

Atë fund pranvere, duke kaluar nga Athina për të shkuar në Trakë te njerëzit e Fan Nolit, nuk mund të mos ndaleshe në këtë qytet, qoftë dhe për pak kohë. Athina e ka vendin e saj në rininë e Nolit.

Kisha rënë rastësisht në hotel “Afroditi”, në rrugën “Apollon”, përbri lagjes “Plaka”. Nga dritaret e hotelit dukej një pjesë e shtyllave antike dhe shkëmbinjve të Akropolit e nën to shtëpitë e ulëta të lagjes arvanitase. Kjo ishte pamja e parë e Athinës. Një pamje që më hapej këtij mëngjesi të kthjellët helen, e cila lidhej krejt padashur me rravgimet e lashta shqiptare në këtë qytet. Vështroja ashtu i përhumbur qytetin, që rrëzëllente nga bardhësia, nën diellin e fortë, dhe mendja më shkonte vetiu te Noli. Mendoja për atë kohë të largët të rinisë së tij, kur ai pat ardhur pat jetuar këtu. Athina ishte vendqëndrimi i parë i djalosharit pasi doli nga Turqia, po dhe qyteti i ëndrrave të bukura, që i vlonin prej vitesh. Ai kishte arritur këtu me dëshirën e madhe për të studiuar, më synime të guximshme për të hyrë në lidhje me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe për t’u bërë kalorës i Skënderbeut. Djaloshi nga Ibrik-Tepeja donte, medoemos, që duke zbritur në Athinë, ti jepte jetës së tij një kthesë vendimtare. Shumë vjet më vonë, në një bisedë me gazetarin grek A. Manastiriotis, duke e kujtuar me nostalgji, ai do ta quante këtë qytet “dashurinë e tij të vjetër”.

Te kjo “dashuri e vjetër” e Nolit kisha ardhur dhe unë pas afro një shekulli, për ta parë e soditur Athinën nga harku kohor i rinisë së poetit. Shkoja këtë nëpër mend dhe përpiqesha të thurja “hartën” e jetës së tij këtu, vijat e lëvizjes në kohë e në hapësirë, vendet që lidheshin me të. Natyrisht ishte një ndërmarrje tepër e vështirë, sidomos kur kujtoja synimet që ai i kishte vënë vetes. Po si do që ;harta’ e Nolit më dilte gjithnjë e mjegulluar dhe e mangët, shpirti i kërkimit s’më linte të qetë. Ai më rrinte vazhdimisht zgjuar dhe më shtynte të guxoja.

Dola nga hoteli dhe zura të ec nëpër rrugën e vjetër ‘Apollon’, me dyqane karakteristike, që më nxori në ca rrugica të kalldrëmta. Çapitesha dhe shikoja sa nga një anë në tjetrën, kur kuptova se kisha hyrë në lagjen ‘Plaka”. Nuk e kisha menduar që ishte kaq afër hotelit dhe kjo më gëzoi e më dha zemër. Gjendesha në lagjen e njohur të arbëreshëve të Greqisë, një nga zonat më të vjetra të kryeqytetit. S’ka të huaj, aq më tepër shqiptarë, që të vijnë në Athinë e të mos shkelin këtu. ‘Plaka’ i është qepur shkëmbinjve nën Akropol dhe sado që koha ka bërë të sajën, ajo e ruan fytyrën e vet, me shtëpitë e ulëta, rrethuar me kangjella që vetëtijnë nga muret e bardha të hijeshuara nga lulet, me rrugicat gjarpëruese dhe shkallët që ngjiten e zbresin. Ky kënd i Athinës ka historinë e tij dhe ngërthen një atmosferë disi të veçantë. Fan Noli, sa herë do të fliste me miqtë për Athinën, do të kujtonte plot mall “Plakën”. Që herët kjo lagje popullore do të ishte vendi më i dashur për të. Vinte ai këtu, jo aq për t’u dëfryer nëpër kafenetë e tavernat e saj të parapëlqyera, se sa për t’u çmallur midis vëllezërve të një gjaku, për të dëgjuar këngë shqiptare, për të folur shqip, se atje ku flitet shqip, ishte një copëz Shqipëri!.

Tek endem nëpër rrugicat e «Plakës» kujtohem se diku këndej, njëherë një kohë, kanë qenë zyrat e universitetit Kombëtar. Zë e kërkoj dhe s’e kam te vështirë ta gjej. Një arbëresh që e pyes më tregon dhe më shoqëron për atje. Është një ndërtesë e madhe dhe e vjetër, mbi shtëpitë e ulëta të «Plakës». Arbëreshi më thotë se me rastin e 150-vjetorit të Universitetit, ajo është meremetuar dhe është kthyer në muze. Por dikur te kjo godinë ishin zyrat qendrore të rektoratit dhe ma merr mendja se këtu duhet të ketë ardhur Theofan Stilian Mavromati për t’u regjistruar në fakultetin e filozofisë, në degën e letërsisë. Faktin e regjistrimit në universitet, ai e përmend qartë në autobiografi, por sa i ndoqi mësimet dhe sa i kreu detyrimet shkollore, për këto nuk thotë asgjë. Duke qëndruar para sheshit të vogël të muzeut, pyes me vete: A mund të gjenden këto të dhëna në arkivin e Universitetit, që është këtu në «Plakë»? Me «Plakën» m’u desh të ndahesha shpejt,sepse kohën të kursyer dhe ekskursioni që më priste nëpër Athinë s’ishte i lehtë. Në radhë të parë, duhej të mbahesha fort pas Nolit, të mos shpërndahesha e të mos hallakatesha. Duhej t’i përvidhesha magjisë së Athinës, t’u shpëtoja në njëfarë mënyre joshjeve të saj, monumenteve mitike e moderne, me të cilat ajo të befason.

Në të vërtetë, këtë qytet, tërë ato ditë përpiqesha ta përfytyroja si teatër të jetës së Nolit. Por, sido që ta ktheje, Athina mbetej Athinë, madhështore dhe enigmatike, e këndshme dhe hijerëndë, si në fillim dhe në mbarim të shekullit. I mendoja këto duke kundruar qytetin nga shtyllat e lashta të Akropolit dhe nga ballkonet e kodrës së Likavitosë. Me siguri sytë e djaloshit që vinte nga Ibrik-Tepeja janë mahnitur para kësaj pamjeje, nga tri krahët shtrihet deri rrëzë maleve të Parnonit, të Parnithosit, të Pandolit e Himitosit dhe vetëm në një anë hapet e merr dritë nga ujërat e gjirit të Saronikut. Një qytet krejt i bardhë, tipik mesdhetar, nën një qiell thellësisht të kaltër.

Vetëm në çastet e perëndimit të diellit ai shfaqet nën një ngjyrë të purpurtë, malet sikur mbushen me vjollca dhe ujërat e detit furfurijnë. Duke u shtyrë thellë në mendime përpiqesha të përfytyroja gjendjen e Nolit të ri, kur erdhi dhe jetoi në këtë qytet. S’ka dyshim që pas atyre që kishte lexuar e kishte mësuar në shkollë për Athinën, ajo do t’i kthehej në një libër të hapur të historisë e të kulturës së lashtësisë. Djaloshin do ta vështronte nga mijëvjeçarët e kohës jo vetëm Akropoli, por edhe teatri i Dionisit, dhe Odeoni dhe faltorja e Hefestit dhe harku i Adrianës. Këto monumente të botës antike do t’i flisnin përditë mendjes e zemrës së tij të etur për dije e bukuri.

Një udhëpërshkrues ka lënë këtë shënim për Athinën: Nuk ekziston këtu asnjë pëllëmbë toke ku s’ka shkelur një perëndi, s’gjen një shkëmb ku të mos ketë pushuar një mendimtar, as edhe një pikë horizonti, ku s’kanë rënë në mendime sytë e ndonjë poeti, as rrugë ku s’ka rendur asnjë hero për të marrë kurorën ngadhënjimtare të ullirit, as edhe një breg prej nga s’janë dëgjuar fjalët shkëlqimplotë të oratorëve… Edhe Noli i ri do t’i ketë përjetuar të gjitha këto. Ai ishte i ndërgjegjshëm se ndodhej në trevat e poezisë e të filozofisë së lashtë greke, të cilat kishin lulëzuar për dyqind e ca vjet e pastaj kishte përfshirë plot zulm botën e të gjitha kohërave. Nënë këtë qiell kishte sunduar jo vetëm skeptri i pushtetit të Perikliut dhe të Themistokliut, por kishin dalë në dritë edhe mendimet e Aristotelit, të Platonit, të Sokratit, qenë shqiptuar fjalët e oratorëve si të Demostenit me shokë, kishte marrë krah poezia e Homerit e Safos e Pindarit; këtu kishte shpërthyer gazi i Aristofanit; ishte shkruar historia nga Plutarku e Tukididi; mermeri dhe guri këtu kishin marrë jetë nga dora e Fidias dhe Praktistelit. Me siguri, mendoja un, duke shëtitur nëpër Athinë, të gjitha këto Nolin e ri e kanë mrekulluar, por nuk e kanë bërë rob të tyre; i nipi i Nol kapedanit nuk ishte dorëzuar, përkundrazi, duke u mbajtur fort pas identitetit të vet, e ruajti individualitetin me të cilin qe gatuar në Qytezën shqiptare.

Meditoja për interesat intelektuale në sferën shpirtërore të Nolit të ri në këtë qytet dhe mend po harroja jetën që kishte bërë këtu. Një jetë të vështirë, plot halle, larg poezisë dhe ëndërrimeve djaloshare, Për çfarë ishte nisur dhe ku kishte përfunduar. Jeta e kishte zhgënjyer keq. Athina nuk e kishte pritur aspak mirë. Imazhi i tij i trëndafiltë për këtë qytet sikur u davarit, sapo zbriti këtu për herë të parë, atë ditë vjeshte të vitit 1901. Iu duk një qytet plot pluhur e vapë, pa shkëlqim, mospërfillës e gati armiqësor. Në vend që të ulen në bankat e universitetit, jeta e detyroi të bëhej karrocier trolejbusi. Kjo ishte një ironi e hidhur për këtë djalë krenar, mik kapedanësh, nxënësin më të mirë të gjimnazit të Adiranopojës!

Vetë Noli do ta kujtoj kur rrihte me kamzhik kuajt, që tërhiqnin trolejbusin nga një cep i qytetit në tjetrin, si një punë tepër të lodhshme, që zgjaste 12 orë në ditë.

Trolejbusi atëherë përshkonte nëpër rrugën kryesore të Athinës. Në ditët tona, sado që qyteti ka ndryshuar shumë, itinerari është po ai dhe këtë e vë re kur shkon në vend. Së pari, rruga Panepestimu, një nga arteret kryesore të qytetit, ndërtesa qendrore e universitetit, e akademisë, e bibliotekës kombëtare pas poshtë sheshi i njohur Omonia. Sigurisht, rruga s’është më ajo para afro 100 vjetëve, por ndërtesat e mëdha të kohës, statujat, monumentet e njerëzve të shquar janë aty ku kanë qenë, aty ku i ka lënë Noli djalosh.

Noli do të kalonte çdo ditë nëpër këto rrugë, ku ngriheshin disa nga tempet e kulturës greke. Sigurisht nuk do ta kishte të lehtë sidomos në fillim, se pastaj ai do ta braktiste punën e karrocierit dhe do ta përmirësonte deri diku pozitë e tij. Atëherë do të ngjiste dhe shkallët e këtyre tempujve që rrinë krah njëri-tjetrit, në rrugën Panepestimiu.

Ndërtesa qendrore e universitetit është një ngrehinë e madhe e stilit neoklasik, me shtylla jonike të larta përpara. Në të dy krahët e hyrjes qëndrojnë përballë njëri tjetrit busti i Platonit dhe i Aristotelit. Pas tyre, në ballë, vjen salla e madhe e ceremonive, e cila nga planimetria, orenditë e zbukurimet i ngjajnë një mjedisi kult,. përreth lëvizjet janë të rralla dhe kudo zotëron një heshtje e rëndë. Këtë e bëjnë më të theksuar bustet e shtatorit të mermerta, portretet e dijetarëve, që vështrojnë nga të katërta anët. Është historia e lashtë dhe kultura e pasur e këtij vendi mik që duket sikur të flet këtu e çdo çast.

Si braktisi punën e karrocierit, Noli për disa kohë u bë sekretar i dramaturgut Kamburollu. Punonte në shtëpinë e tij, kopjonte komeditë, shkruante çfarë i diktonte ai. Tani nuk i binte më pash më pash Athinës, por ishte i detyruar të mbyllej brenda shtëpisë së shkrimtarit.

Vallë ku do ketë qënë kjo shtëpi? Sjell ndër mend se Nolit Kamburollu i pëlqente, i dukej i këndshëm, kurse komeditë të mërzitshme. Ka mundësi që shkrimtari ta ketë kuptuar natyrën liridashëse të djaloshit dhe, duke i çmuar së tepërmi aftësitë e tij, e ndihmoi të futet në një shoqëri, teatrore të Athinës. Hyri në fillim si kopist e pastaj u bë sufler dhe aktor.

Shoqërisë teatrore të kryeqytetit grek, ku punoi Noli atëherë, ishin nga trupat më të njohura artistike të kohës, si ajo e Pantopullisit, e Laladunisit, e Tavullaristit. Ato jepnin shfaqje në Athinë në qytetet të ndryshme të Greqisë, po dhe nëpër kolonitë greke të Turqisë dhe Egjiptit.

Duke u sjellë rrugëve të Athinës duke kujtuar këto më shkonte mendja te lokalet ku kanë dhënë shfaqje trupat e tyre. Më ngacmonte kureshtja për të ditur se ku mund të kenë qenë këto. Por më kot. Ato egzistojnë vetëm në kujtimet e Nolit dhe kjo mjafton për jetën e tij artistike në Athinë. Prej kësaj kohe për djaloshin shqiptar do të mbeten të paharruara dhe dy miqtë e tij të ngushtë, athinjoti Apostoli, që më vonë do të hiqte dorë nga teatri e do të bëhej gazetar i shquar, dhe Venerisi nga Kreta, i cili i qëndroi besnik deri në fund skenës. Në shenjë të kësaj miqësie Noli do të përkthente në greqisht dramën “Armiku i popullit” të H.Ibsenit dhe do t’ua dhuronte shokëve grekë.

Ndarja e Nolit me Athinën qe krejt e papritur. Ashtu si me vendlindjen. dhe me të, do të ndahej për të mos u kthyer më kurrë. Ndodhi që kur ishin për në turne në Egjipt, grupi teatror, ngaqë s’kishte të holla, u shpërnda. Noli u gjend në mes të katër rrugëve të Aleksandrisë dhe atëherë vendosi ta braktisë Athinën. Por Athina mbeti një kapitull i rinisë së tij. Këtu, qysh 18 vjeç, kishte hedhur hapat e parë në shkollën e jetës. Në luftë të përditshme për bukën e gojës, ai ishte bërë zot i vetes dhe kishte arritur të krijojë njëfarë pozite shoqërore. Kudo ku kishte punuar ia kishin çmuar aftësitë dhe vullnetin, mençurinë dhe cilësitë intelektuale.

Në Athinë Noli asnjëherë nuk do ta kishte të lehtë të tregonte shqiptarësinë e tij. Çdo përpjekje për tu lidhur në njëfarë mënyre me lëvizjen kombëtare s’kishte pasur sukses. Diku, në librarinë “Beck” këtu në kryeqytet, ai kishte gjetur rastësisht revistën “Albania”. Kjo e kishte gëzuar qa fort sa nga entuziazmi, menjëherë i kishte shkruar letër kryeredaktorit. Faik Konica, duke i propozuar të bëhej korrespodent i revistës. Por më kot, sepse jo vetëm dëshira nuk i qe plotësuar, por nuk kishte marrë sa përgjigje. Vetëm dy vjet më vonë ai e kishte parë përgjigjen, që i jepte posta e kryeredaktorit të “Albanias”, në faqet e saj!

Në qoftë se në Athinë Nolisi shqiptar do ta ndiente veten të huaj, si njeri i kulturës e i artit do të ishte në terrenin e tij. Ai nuk desh t’ia dinte nga kukuvajkat e megaliidhesë. Qytetërimi i madh grek do të kthehej për të në një gurrë të pashtershme. Kjo do të jetë koha e zotërimit dhe e përsosjes së greqishtes, të cilën ai do ta flasë e do ta shkruaj në mënyrë të shkëlqyer.

Tamam në Athinë Noli do të provonte të hynte për të parën herë në rrugën e letërsisë. Këtu ai shkroi dramën e parë në greqisht “Zgjimi”, pastaj në shqip ” Izraelitë dhe filistinë”, “Zgjimi”, madje, i patë nxjerr shumë telashe se aludonte për hallet e atdheut të robëruar. Shokët e tij grekë ia patën vënë dhe në skenë e qenë gati ta shfaqin në Pirgos, kur autoritetet ia ndaluan. Kësaj here megaliidhea e kishte hequr maskën. Djaloshi e kishte kuptuar atëherë se nuk mund t’i kundërvihej ballzai armiqve të atdheut. Drama ishte kambanë dhe ai nuk donte t’i binte kambanës në shtëpi të huaj. E la mënjanë dramaturgjinë dhe nisi të merret me prozë.

Vallë, ku do të kenë qenë zyrat e redaksisë së revistës “Numas”, ku Theofan Mavromati botoi njërën pas tjetrës tri skica verën e vitit 1903? “Numasi” ishte një revistë letrare me emër, të cilën e drejtonte arbëreshi nga Hidra, Dhimitër Tangopullosi.

Kjo ndoshta shpjegon faktin se nuk ishte e rastit që djaloshi nga Qyteza shqiptare e filloi rrugën e letërsisë nga faqet e kësaj reviste. Ka shumë mundësi ta ketë ndihmuar arbëreshi i Hidrës. Pastaj sjell nëpër mend se debutimi i tij letrar ngjau muajt e fundit të qëndrimit në Athinë. Pas daljes në dritë të skicave. Theofan Mavromati do të largohej nga ky qytet njëherë e përgjithmonë. Ai nuk do të kthehej më dhe në qoftë se do të kthehej, do të kthehej emri i tij. Dy-tri vjet më vonë emri i Theofan Mavromatit do të lakohej nëpër gazetat e Athinës. në “To kratosi”, “Akropolis”, “Agon” etj. Mbi të do të lëshonin anatema priftërinjtë e dhespotët. Edhe profesorë të kadedrave të Univeristetit do të derdhnin vrerin e tyre. Ky shqiptar ortodoks, “bukëshkalë e i pabesë”, do t’u nxirrte telashe të mëdha idhtarëve të “Greqisë së Madhe”.

Por Noli kurrë nuk do të ngatërronte Athinën me megaliidhenë. Në dhjetëvjeçarë të ngarkuar të jetës së tij që erdhën më pas, Noli Athinën jo vetëm nuk do ta harronte por do ta sillte nëpër mend me mall si “dashurinë e tij të vjetër”. Mos ishte kjo dashuria e parë në vargun e qyteteve të dëgjuara të botës ku ai do të jetonte? Në këtë dashuri ai nuk do të fuste as Adrianopojën e as Stambollin megjithëse edhe ato u takojnë fillimeve të jetës. Athina për të ishte më shumë, prandaj në vitet ’20 do të gjente rastin t’i dërgonte me anë të gazetës “Politea” dhe shoqeve të saj, mesazhe miqësie e mirëdashjeje. Theofan Mavromatitani ishte Fan Noli kryeministër i Shqipërisë dhe përfaqësues i popullit shqiptar në frontin e luftës kundër fashizmit për vëllazërimin e popujve të Ballkanit. Në këto vite Athina do t’i drejtohej me respekt këtij qytetari të përkohshëm të saj, por edhe adhuruesit të vet.

Te kjo dashuri e vjetër e Theofan Mavromatit kisha ardhur dhe unë, kisha zbritur nga kujtimet e tij dhe kisha dalë nëpër rrugët e sheshet e Athinës për t’i rënë në gjurmë. E kaluara më qe përftuar me një kthjelltësi të çuditshme. Ishte po ai diell mesdhetar, që ngrihej mbi kodrën e lartë të Likatovisë, po ajo dritë e butë që vinte nga deti, ishte bota helene që gjallonte përqark dhe lidhte të sotmen me një të kaluar të largët. Dhe kur e arrita këtë lidhje nuk e kisha të lehtë të shkëputesha, por njerëzit e Fan Nolit që më kishin ftuar, më prisnin. Duhet të nisesha sa më parë për në veri, në viset e Trakës së largët.

**

Aeroplani ka fluturuar mbi Atikë e mbi ujërat e pellgut verior të Egjeut dhe po bën rrotullimet e fundit sipër aeroportit të vogël të Aleksandropulit. Unë qëndroj pas dritares dhe shoh konturet e qytetit bregdetar, relievin e rrafshët, rrugët, sheshet dhe pistën e aerodromit të panjohur. Kam udhëtuar vetëm dhe gjatë tërë kohës nga Athina nuk kam shkëmbyer asnjë fjalë. Është një aeroplan i linjës së brendshme, mbushur plot me vendës. Tërë rrugës ka zier muhabeti, kështu që e ndiej frymën e Ballkanit.
Gazeta Dita

SHKARKO APP