Në Korçë me brezin e fundit që ruan traditën
Zahiretë apo ushqimet e dimrit nuk mungojnë në familjet korçare, edhe pse sot në dyqan mund të blesh çdo gjë. Dikur i bënin për të kursyer, ndërsa sot për ushqim më të sigurtë dhe me shije më të mirë.
Si çdo vit, gratë e një pallati në lagjen 10 në Korçë mblidhen në oborr për të përgatitur gatimin tradicional, petë të thara në diell për t’u konsumuar në ditët e ftohta të dimrit. Evelina 70-vjeçare ka mësuar që fëmijë sesi t’i bëjë petët e thara me vezë, që lëshojnë një aromë të mirë kur ziehen.
“Që nga mosha 12-vjeçare unë kam bërë petka, e kam mësuar nga mamaja. I hedhim vezë, miell, ujë dhe kripë, kaq duan petkat”, thotë Evelina Luadhi, amvisë. E megjithatë, duket se petkat, trahanaja, turshitë e zahiretë e shijshme të dimrit, mund të zhduken bashkë me këtë brez.
“I bëjmë edhe për fëmijët, mosha jonë e vazhdon. Këto të rejat tani, të rinjë sot kanë dyqanet. Janë të gatshme, fëmijët merren me punë tani”, tha një tjetër amvisë.
Tradita e amvisave të Korçës duket se varet te ndërgjegjësimi i të rinjve për t’i trashëguar këto gatime në përpjekjet e tyre moderne në kërkim të ushqimit të shëndetshëm dhe më të sigurtë.