Neglizhenca ndaj veprave të artit, në Shqipërinë komuniste
Në verën e vitit 1986, 3,310 piktura, skulptura, grafikë, vizatime etj. – pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve – ishin vënë në rrezik shkatërrimi kur kjo pasuri artistike ishte strehuar në një ambient të papërshtatshëm.
Një dokument i nënshkruar nga Alfred Uçi si kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve dërguar Këshillit të Ministrave, zbulon se ambientet e fondit të Galerisë së Arteve i ishin dhënë Komitetit Ekzekutiv të Tiranës për t’i përdorur për destinacion tjetër dhe veprat e artit ishin degdisur në katin e pestë, poshtë një tarrace përvëluese në “Ndërmarrjen e Përhapjes së Librit”.
E gjithë pasuria e fondit të Galerisë së Arteve, afro 10 herë më shumë se veprat e ekspozuara ndodheshin në mëshirën e fatit në kushte ekstreme të temperaturave në ambiente të papërshtatshme, dhe nën efektin e agjentëve të tjerë të rrezikshëm natyrorë.
Teksa ngre shqetësimin e tij për këtë rrezik të paprecedentë të kësaj pasurie, Alfred Uçi shkruan në relacionin e tij: “Kushtet në të cilat ndodhet fondi i Galerisë, janë krejt të papërshtatshme. Qysh tani vihen re dëmtime të rënda e të shpejta të veprave. Mjedisi ku ruhen është i ndarë në dhoma të vogla (zyra) pa ngrohje, pa ventilim e me tarracë që lëshon nxehtësi të jashtëzakonshme. Në këtë mjedis nuk mund të përmirësohet gjendja ndaj agjentëve atmosferikë, lagështirës, mykut, ndryshimeve të temperaturës, rrezeve ultraviolet etj. parametrat e të cilave edhe brenda një cikli 24 orësh i kapërcejnë kufijtë minimalë e maksimalë. Nga stina në stinë këto ndryshime bëhen edhe më të mëdha”.
Sipas Uçit, dëmet viheshin re në pikturën e vajit, e cila përbënte pjesën dërrmuese të fondit.
“Ka shumë deformime të telajove nga tensionet në tërheqje, plasaritjet e ngjyrave, dëmtime të kanavacës, grundit, pelohulit, rritjes së aktivitetit të mykut, reagimit gazor, etj”, vëren ai.
“Meqenëse zgjidhja përfundimtare e këtij problemi kërkon ndërtimin e një godinë shtojcë pranë Galerisë së Arteve gjë që do të vonohet dhe meqenëse ruajtja e vlerave të fondeve është detyrë e ngutshme, ne mendojmë që qysh tani të merren masa urgjente për t’i shpëtuar fondet e Galerisë së Arteve”, shkruan Alfred Uçi.
Është fakt se Galeria Kombëtare e Arteve vijoi të mbijetojë deri në ditët e sotme me të njëjtat ambiente që nga ndërtimi i saj, duke i adaptuar ato herë pas here. Uçi propozonte në këtë shkresë si masë shpëtimi, kthimin e 3,310 veprave të artit sërish në Galerinë e Arteve dhe deri në ndërtimin e godinës së re ekskluzivisht për fondin (e cila nuk u ndërtua kurrë), të përdoreshin disa nga ambientet e ekspozimit dhe ambiente të tjera në Galeri që mund të përshtateshin.
Nuk shpjegohet në këtë shkresë se për ç’arsye ishin marrë ambientet e Galerisë së Arteve nga Komitetit Ekzekutiv i Tiranës, por si një urdhër partiak, ky zaptim duhet të ketë ndodhur për disa kohë deri në rënien e regjimit komunist.
Gjithsesi, edhe në vitet e demokracisë, fati i këtij fondi të pasur veprash arti vijoi në të njëjtën rrugë, nën alarmin e përhershëm të shkatërrimit dhe mungesës së kushteve të ruajtjes.
Vite me vonë u mësua se në këtë fond ruheshin edhe vepra të rralla të shkollave më të mira të artit botëror, konfiskuara nga regjimi komunist në familjet me gjak fisnikëror në gjithë qytetet e Shqipërisë, që në vitet e para të instalimit të këtij regjimi.