Nelo Llukaçi dhe “Ekspozita e Unit”

Skulptori i njohur Nelo Llukaçi ka zgjedhur një titull të vecantë për ekspozitën e tij “Nelo -Ekspozita e Unit” e cila do të qëndrojë e japur gjatë datave 5 – 30 korrik në Galerinë e Arteve Figurative “Nikolet Vasia” në Durrës.
Nelo lindi më 17 gusht 1938, në një familje punëtore me baba podgoriçan (profesion marinar) dhe nënë italiane shtëpiake tejet e apasionuar pas artit. Djali i fundit i 7 fëmijëve ishte i vetmi që zhvilloi talentin e tij i ndikuar nga Nëna Leopoldina e cila i fliste për artin (operën të cilën e kishte parë e dëgjuar në Teatrin “ Giusepe Verdi” në Fiume) dhe vëllai tij Dario që më vonë do të ishte një aktor i njohur i humorit.
Që në hapat e parë me vizatimet e tij tërhoqi vëmëndjen në shkollë të profesor Sabri Tuçit, figurë e shquar e artit shqiptar, i shkolluar në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, Itali. Pasi dalloi talentin e tij, profesor Sabriu e afroi në studion e tij ku zhvillonte kursin e vizatimit për shtëpinë e Pionerit. Nelo i dhënë pas artit dhe i etur për krijmtari e ktheu në qëllim të jetës së tij artin figurativ.
Kështu filloi aktiviteti artistik i tij me vepra të shumta që pasuan njëra-tjetrën. Ta dëgjosh dhe sot e kësaj ditë ai flet me një pasion e dashuri të madhe për artin dhe atë çfarë arti përfaqëson. Ai jeton me të, flet me të, e lexon atë, e ndien atë në çdo frymë dhe sekondë të jetës sonë të përditshme.
Krijmtaria e tij është e larmishme nga vizatimet e para, pikturat e skulpturat e para duke arritur në ditët e sotme me ndërthurjen e materialeve të ndryshme, kjo shihet jo vetëm në vepër por dhe në mënyrën si ta shpjegon ai dhe e bredshmja e tij. Hyjmë në studion e tij, shohim vepra nga fillimet e tij e deri sot dhe vërejmë një mozaik veprash që të gjitha së bashku krijojnë një njeri, formojnë Nelon. Artistin e pëmbushur. Artin në plotësinë e vet.
Gdhendje pafund në krijmtarinë e tij për t’i bërë idetë të përjetshme. Vepra në allçi të tonuar, në bakër, qeramikë, plumb eksperimentues, i përjetshëm me thjeshtësinë e tij.
“Vallja e Çlirimit” një “remake” në gur i origjinalit që ndodhet në Galerinë Kombëtare të Arteve, fituese në vitin 1971, ekspozuar ndërkombtarisht. “Luli i vocërr” një tjetër vepër autentike bazuar në vargjet e të madhit Migjen. “Mundësitë”, “Elektrifikimi”, “Mendimi i përbashkët teknik”, “Me këngë në gojë”, “U kthefsh me fitore”, “1 Qershori” “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Luigj Gurakuqi e Ded Gjon Luli” e shumë portrete e kompozime të tjera.
Përvec skulpturës Nelo ka pikturuar gjithmonë në mënyrë të natyrshme plot emocion, vepra të ndryshme sidomos lulet janë pasioni i tij. Tregon gjithmonë për lulet e muzeut arkeologjik që e kanë emocionuar me bukurinë e tyre gjatë veprimtarisë së tij si restaurator i objekteve arkeologjike. Një jetë mes skulpturës, pikturës restaurimit plot emocione formash e ngjyrash. E gjitha kjo përmblidhet në një ekspozitë të vetme, e cila ngjason me një vizitë në studion e artistit, dhe një udhëtim në botën e vetë artistit.
Gjen emocionet e Nelos në kapakët e salsës së dikurshme, në portrete të inçizuara me mjeshtri, derdhjet në metal, një pasion tjetër i tij. Çdo ditë është një ngacmim e shtysë për të, jeton me format dhe gjetjet në natyrë ndër vite. Ai shprehet “Çdo gjë eksziston në natyrë , ne kemi vetëm aftësinë ta evidentojmë me të bredshmen tonë”.
“Shpirtra që kërkojnë liri”, “Viktima të eksodit”, “Në udhëkryqet e Europës”, “Britma” janë disa nga veprat e pas 90-tës me gjendje shiprtërore e artistike të ndryshimit që ndodhi. “Poezia, Drama, Tragjedia e mendimit njerëzor” në tel bakri, një filozofi jete.
“Ditët që jetojmë” një vepër unike në konceptimin e saj që i përket të shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes.
Bie menjëherë në sy një vepër në qeramikë “Pro dhe kundër vetes.” I pyetur mbi të, ai me thjeshtësinë e tij, përgjigjet: Herë ne pajtohemi me veten e herë jo, ne jemi gjithmonë në kërkim të gjetjes.
Ky është Nelo gjithmonë në kërkim e në provë me aftësitë e veta për të krijuar me unin e tij. Kjo ekspozitë është një ftesë në studion e tij, por përtej kësaj është një udhëtim në botën e vetë artit.

SHKARKO APP